Kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

Tre deputetë gjermanë - Peter Beyer, Josip Juratoviq dhe Manuel Sarrazin - kundërshtojnë tre aventurierë ballkanikë: Aleksandër Vuçiqin, Hashim Thaçin dhe Edi Ramën. Në një editorial të përbashkët në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung» politikanët gjermanë theksojnë se nëse në Samitin e Berlinit mungon vullneti serioz për përparim, atëherë në tavolinë nuk do të jetë më perspektiva e hyrjes në BE për Serbinë dhe Kosovën.

Kupola e Reichstagut nën të cilën gjendet Bundestagu, parlamenti gjerman, në Berlin.



Në prag të samitit të Ballkanit që mbahet këtë të hënë në Berlin, tre deputetë gjermanë, Pe­ter Bey­er nga CDU, Jo­sip Ju­ra­to­viq nga SPD dhe Ma­nu­el Sar­ra­zin nga të Gjelbrit kanë botuar një editorial të përbashkët në gazetën «Frankfurter Allgemeine Zeitung», në të cilin kundërshtojnë idenë e Aleksandër Vuçiqit, Hashim Thaçit dhe Edi Ramës për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Thuhet se kështu Serbia do të pranojë pavarësinë e Kosovës dhe do t’i hapet rruga e Beogradit drejt anëtarësimit në BE. Ky ndryshim i kufijve sipas parimit etnik është një lojë e rrezikshme, shkruajnë deputetët gjermanë, sepse do të shkaktonte probleme të reja dhe sërish njerëzit do të ishin viktima të politikës nacionaliste. Duket se ndërkohë edhe John Boltoni, këshilltari i Donald Trumpit për siguri nacionale, e ka kuptuar këtë. Bolton ishte angazhuar për këtë plan dhe e kishte joshur edhe presidentin amerikan.

«Ne e hedhim poshtë këtë propozim, sepse territoret e definuara etnikisht janë vizion i rrezikshëm i nacionalistëve racistë, të cilët tashmë e kanë çuar rajonin njëherë në luftën më të përgjakshme të historisë europiane pas Luftës së Dytë Botërore. Propozimi është kundërkushtetues dhe e vë në pikëpyetje identitetin multietnik të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës nënvizon se vendi është i pandashëm. Dhjetëra mijëra njerëz, para së gjithash serbë në Kosovë dhe shqiptarë në Serbi, do të prekeshin drejtpërdrejtë nga shkëmbimi i territoreve. Shumë prej tyre do të ishin të detyruar – vullnetshëm apo kundër vullnetit të tyre – të kapin valixhet dhe braktisin vatrat e tyre. Një eksod të tillë të pakicave me rrezik real të konfliktit të armatosur duhet penguar. Kurrë më fotografi të tilla nuk duhet të shohë bota», shkruajnë deputetët gjermanë. Që të tre prej vitesh merren në mënyrë intensive me Ballkanin.

Ideja e Thaçit, Vuçiqit dhe Ramës mund të ketë pasoja për rajonin. Deputetët gjermanë përmendin Bosnjën, ku plani për rrudhjen e Kosovës i trimëron ata që duan ta varrosin shtetin e dobët dhe t’i bashkohen Serbisë dhe Kroacisë sipas përkatësisë etnike. Kjo, sipas deputetëve gjermanë, është ide raciste që ka çuar në gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995. Nëse prishen kufijtë e Kosovës, atëherë Marrëveshje e Ohrit në Maqedoninë e Veriut do të humbte dukshëm besueshmërinë. «Ithtarët e fantazive shqiptaromëdha për një union të përbërë nga shqiptarët etnikë, të cilët sot jetojnë në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut do të përpiqeshin që shkëmbimin e territoreve ta përdorin për qëllime të tyre. Shefi i Kremlinit Vladimir Putini do ta shihte rivendosjen e kufijve si legjitimim për aneksimin e tij të Krimesë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe do të ngrinte dyshime ndaj integritetit territorial të Ukrainës», paralajmërojnë deputetët gjermanë.

Propozimi i Vuçiqit dhe Thaçit do të ishte kapitullim para vlerave europiane, mendojnë Bey­er, Ju­ra­to­viq dhe Sar­ra­zin. Andaj, sipas tyre, ky propozim duhet të hidhet poshtë menjëherë dhe shumë qartë. Njëkohësisht të gjitha vendeve të Ballkanit duhet t’u ofrohet në perspektivë e anëtarësimit në BE. Deputetët gjermanë theksojnë se nga samiti i Berlinit dhe nga kancelarja Angela Merkel e presidenti francez Emmanuel Macron presin veprime të përgjegjshme, zgjidhje konstruktive dhe reflektim për t’u kthyer në kornizën e mëhershme të dialogut mes Serbisë dhe Kosovës. Nëse mungon vullneti serioz për përparim, atëherë në tavolinë nuk do të jetë më perspektiva e hyrjes në BE për këto dy vende. (dialogplus.ch)