Kryesia sot vendos për skenarin në seancën e së enjtes të Kuvendit

Derisa tensionet kanë arritur në pikën më kritike, Kryesia e Kuvendit të Kosovës qysh javën e kaluar ka thirrur seancën për këtë të enjte. Por për modalitetet e mbajtjes së saj, Kryesia pritet të mblidhet për të diskutuar edhe një herë sot (e mërkurë) në orën 11:00.




Edhe pse kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli disa i ka ripërsëritur se nuk do të autorizojë futjen e sigurimit në sallë, gazeta merr vesh së të mërkurën do të mblidhet sërish Kryesia e Kuvendit për t’i diskutuar se si të veprohet në kuadër të autorizimeve që i ka kryetari i Kuvendit, shkruan sot «Koha Ditore».

«Varësisht prej qëndrimeve të anëtarëve të tjerë të Kryesisë dhe shefave të grupeve parlamentare do të merret një vendim në lidhje me seancën e së enjtes», ka thënë një burim i gazetës brenda Kuvendit.

Deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që janë partnerë i PDK-së në koalicion, disa herë i kanë kërkuar kryetarit Veseli që të veprojë sipas Rregullores së Kuvendit. Kjo rregullore, mes tjerash, parasheh edhe futjen e sigurimit në sallë për të siguruar mbarëvajtje të punës.

«Sidomos është me rëndësi të merret qëndrimi i LDK-së, sepse ata vazhdimisht po insistojnë që të krijohen kushte në Kuvend», ka thënë burimi.

Ndërkaq javën e kaluar Kryesia ka marrë vendim për vendosjen e kontrolleve të rrepta në hyrje-daljet e Kuvendit të Kosovës, të cilat do të fillojnë se aplikuari që nga seanca e së enjtes. Do të ketë funksionalizim të plotë të skanerëve, që deri tani nuk kanë funksionuar si duhet dhe kujdes më të madh të punëtorëve të sigurimit në Kuvend.

Këto masa vijnë pas përshkallëzimit të situatës javën e kaluar, në seancën ku opozita kishte futur vezë, skalperë e gaz lotsjellës.