Kryesia e PDK-së i jep përkrahje Veselit «për evitimin e konfliktualitetit dhe anarkisë»

Partia Demokratike e Kosovës ka zhvilluar ditën e sotme një mbledhje ku ka diskutuar zhvillimet e fundit në vend.




Përmes një njoftimi për media, PDK shpreh shqetësime për, siç thotë, «situatën e tensionuar dhe veprimet jodemokratike që po përdoren si mjet për arritjen e qëllimeve politike».

«Në veçanti PDK konstaton se kufizimi i punës normale në institucione demokratike dhe përdorimi i dhunës në këto institucione apo edhe jashtë tyre, sikur ndodhi mbrëmë, nuk përkojnë me veprimet politike që duhen të përdoren në një shtet demokratik ndaj institucioneve demokratike dhe shtetërore», thuhet në këtë njoftim për media, raporton Koha.net.

Kryesia e PDK-së fton të gjitha partitë politike dhe individët, që të respektojnë rendin dhe vlerat demokratike, institucionet, si dhe Ligjin e Kushtetutën e Kosovës.

PDK thotë se do të angazhohet në mbrojtje të këtyre vlerave që garantojnë funksionimin e shtetit demokratik e ligjor me vizion për integrimin në BE dhe partneritetit me botën demokratike.

«Kryesia e PDK-së i jep përkrahje veprimeve të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe Kryetarit të Kuvendit, për evitimin e konfliktualitetit dhe anarkisë, si dhe mbështetë vendosmërinë e tyre për të vazhduar punën normale në Kuvend, në miratimin e ligjeve në shërbim të qytetarëve të vendit tonë», përfundon njoftimi.