«Kosovarët humbën njërën prej kokave më të afta»

Radikalizmi dhe zjarrvënia nacionaliste ishin diçka e huaj për këtë profesor të përzemërt të sociologjisë: si e përshkruante Fehmi Aganin gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» pak ditë pas vrasjes?

Si askush tjetër ai i njihte kurthet e problemit të ndërlikuar të Kosovës: Fehmi Agani.



«Që në fillim të sulmeve ajrore të NATO-s u tha se Fehmi Agani kishte vdekur. Tani negociatori kryesor i shqiptarëve të Kosovës vërtet ra viktimë e vrasjes. Të premten në mbrëmje agjencia jugosllave e lajmeve Tanjug njoftoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës e paskësh arrestuar atë dhe pas largimit të presidentit të shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugovës, thjeshtë e kishte vrarë Aganin, sepse ai paskësh qenë <i padobishëm> për UÇK-në. UÇK e ka mohuar këtë.

Sipas një raporti nga rrethi familjar Agani në të vërtetë u rrëmbye nga policia serbe nga një tren me refugjatë, ndërsa politikani po përpiqej të largohej nga Kosova. Sipas Tanjugut kufoma e Aganit u gjet afër Lipjanit në jug të Prishtinës.

Me Fehmi Aganin shqiptarët e kanë humbur njërën prej kokave më të afta të tyre; si askush tjetër ai i njihte kurthet e problemit të ndërlikuar të Kosovës. Ish-nënkryetari dhe, siç quhej një kohë të gjatë, <kryeideologu> i Lidhjes Demokratike nën Ibrahim Rugovën angazhohej për një Kosovë multietnike, e cila synohej të arrihej me rrugë paqësore. Thuhet se ndikimi i tij bëri që Republika e projektuar Kosovës t’u garantonte të drejtat minoritare edhe serbëve. Radikalizmi dhe zjarrvënia nacionaliste ishin diçka e huaj për këtë profesor të përzemërt të sociologjisë. Në shkurt të vitit 1998 Rugova nuk e propozoi më për nënkryetar të partisë – një vendim të cilin negociatori i deritanishëm kryesor gjatë bisedimeve për autonomi e komentonte herë me hidhërim të lehtë, herë me injorim. Por Rugova nuk mund të hiqte dorë nga shërbimet e Aganit: në kështjellën Rambouillet Agani e kishte fjalën kryesore si përfaqësues i krahut të moderuar të shqiptarëve të Kosovës.

I lindur më 1932, Agani qysh si fëmijë kishte simpati për partizanët e Titos, të cilëve iu bashkua vëllai i tij më i madh. Gjatë studimeve për filozofi në Beograd mes viteve 1951 dhe 1955 ai njohu marksistin kritik Stevozar Stojanoviq. Në vitet 60-të Agani punoi së pari në gazetën e partisë <Rilindja> dhe nisi pastaj një karrierë shkencore si filozof në Universitetin e sapo themeluar të Prishtinës. Kësisoj ai u bë ideolog prijës i komunistëve shqiptarë. Si i tillë ai shpeshherë u përplas me kursin e komunistëve të Beogradit, por deri në demonstratat e vitit 1981 nuk ngjalli tërbimin e tyre – një kohë ai ishte dekan dhe më vonë madje drejtor i Institutit Albanologjik, një institucion me ndikim. Kur e larguan nga partia më 1984 humbi edhe katedrën dhe u dëbua te sociologjia më pak e ekspozuar.

Më 1990 Agani, i cili gjithnjë e më shumë u bë demokrat, ishte bashkëthemelues i Nismës Demokratike Jugosllave, një partie intelektualësh, e cila angazhohej për një Jugosllavi të përbashkët dhe demokratike kundër tendencave të dhunshme të mëvetësisë. Njëkohësisht ai u angazhua në Lidhjen Demokratike të Kosovës, ku i priu krahut të moderuar. Si askush tjetër ai mbrojti vijën demokratike dhe pacifiste kundër miqve partiakë më radikalë».

(Tages Anzeiger, 10 maj 1999)