Kosova pa pavijon në Bienalen e 15-të të Arkitekturës në Venecie

Në dy edicionet e fundit, edhe Kosova pati rastin e mirë që të përfaqësohej denjësisht me pavijonet e saja të kuruara nga arkitektët Përparim Rama në edicionin e 13-të në vitin 2012 dhe Gëzim Paçarizi në atë të 14-in në vitin 2014. Fatkeqësisht, kjo kënaqësi dhe entuziazëm nuk zgjati shumë.

Foto: Andrii Lutsyk / Shutterstock.com



Fillimi i pranverës deri nga fundi i vjeshtës, për çdo të dytin vit, tash e 15 herë bën që të gjithë adhuruesit e arkitekturës nga mbarë bota t’i kthejnë sytë nga Venecia. Bienalja e arkitekturës në Venecie pa fije dyshimi paraqet një nga ngjarjet më të rëndësishme në fushën e arkitekturës. Ekspozita kurohet nga emra të rëndësishëm të botës së arkitekturës dhe laureatët e saj nëpër vite me «Luanin e artë» janë emrat më të mëdhenj të arkitekturës. Ajo që Bienalen e Venecias e bën të veçantë për nga formati, për dallim nga shumë ekspozita të tjera të arkitekturës, është prezantimi dhe garimi i pavijoneve kombëtare. Në njëfarë mënyre kjo ngjarje paraqet një lloj kampionati botëror të arkitekturës.

Në dy edicionet e fundit, edhe Kosova pati rastin e mirë që të përfaqësohej denjësisht me pavijonet e saja të kuruara nga arkitektët Përparim Rama në edicionin e 13-të në vitin 2012 dhe Gëzim Paçarizi në atë të 14-in në vitin 2014. Përpos promovimit botëror të vlerave arkitektonike të Kosovës, kjo ishte edhe një nxitje për arkitektët vendorë që të merren më kualitativisht me arkitekturë në mënyrë që një ditë, pse jo, të ishin edhe kuratorë të pavijonit kombëtar. Fatkeqësisht, kjo kënaqësi dhe entuziazëm nuk zgjati shumë. Në rastin e saj të tretë, që është bienalja e sivjetme e 15-ta me radhë, Kosova vendosi që të mos marrë pjesë. Këtë e vërteton moscaktimi i komisionerit të pavijonit nga Ministria e Kulturës deri më 20 nëntor 2015, që ishte afati përfundimtar i përcaktuar nga organizatorët. Ky komisioner, me organet gjegjëse të ministrisë përkatëse dhe në bashkëpunim me autoritetet e gjegjëse të Bienales, do të ishte dashur të propozonte kuratorin e pavijonit nacional. Të gjitha këto procedura nuk kanë ndodhur, apo në rastin më të keq, nëse kanë ndodhur pa njohurinë e publikut mbi mënyrën e përzgjedhjes, atëherë do të flisnim për një pavijon klandestin. Edhe pse edhe kjo mundësi nuk përjashtohet, unë po nisem nga informatat publike e që flasin se Kosova tashmë ka vendosur të mos jetë prezente me pavijonin e saj në edicionin e pesëmbëdhjetë të Bienales.

Vendet të cilat e njohin sadopak rëndësinë e kësaj ngjarjeje botërore, përgatitjen për pavijonin e radhës i fillojnë menjëherë pas përfundimit të atij të fundit. Kështu ato i japin vetes të paktën dy vjet kohë në dispozicion për një paraqitje sa më dinjitoze. Organizohen konkurse kombëtare, e shpesh edhe ndërkombëtare, për të përzgjedhur kuratorin e pavijonit të tyre nacional.

Ministria e Kulturës e Republikës së Kosovës, deri më tani nuk ka dhënë asnjë sqarim për mospjesëmarrjen, edhe pse kjo çështje është ngritur disa herë nëpër mediume të ndryshme. Për fat të keq, kjo amulli e krijuar jep mundësi që individë të caktuar të tentojnë të shfrytëzojnë këtë situatë për t’u promovuar individualisht nëpër ngjarje periferike të karakterit biznesor që organizohen në intervalin kohor të njëjtë me atë të Bienales. Një nga organizatat e shumta që organizon ngjarje të tilla është edhe «The European Cultural Centre» nga Venecia, e cila këtë vit organizon ekspozitën «Time – Space – Existence». Kjo organizatë ofron hapësirë për ekspozim arkitektëve individualë dhe ndërmarrjeve të tjera që merren me arkitekturë, kundrejt një pagese. Fatkeqësisht, po shpresoj nga mosdija, por që nuk i justifikon, individëve të tillë u jepet hapësirë edhe në mediumin kombëtar publik për t’iu bërë thirrje institucioneve për t’i dalë në «ndihmë» për ta «përfaqësuar» Kosovën në një ngjarje të rëndësishme botërore. Të jem shumë i sinqertë, një shtet i fuqishëm dhe kulturëdashës, ndoshta do të duhej t’i ndihmonte edhe këta entuziastë individualë, por jo ai shtet i cili nuk ka pranuar të mbështesë pavijonin e tij kombëtar. Bile në këtë rast, ndarja e fondeve për përfaqësime individuale të karakterit biznesor do të ishte edhe shkelje e rëndë ligjore. Obligim i Ministrisë së Kulturës ishte që të mbështeste prezantimin e arkitekturës kosovare me pavijonin e saj në Arsenale, aty ku la gjurmë të pashlyeshme tek çdo vizitor në dy edicionet e kaluara. Atëherë, çdo përfaqësim dinjitoz individual shtesë në ngjarjet përreth bienales, do të na gëzonte gjithashtu.

(Autori është asistent kurator i «Pavijonit të Republikës së Kosovës në Bienalen e 14-të të arkitekturës në Venecie», 2014)