Kosova ndërmjet pavarësisë dhe ëndrrës evropiane: takim me ambasadorin e Kosovës në Francë, Qëndrim Gashi

Revista «Le Grand Continent: Ne e kemi takuar Qëndrim Gashin, ambasador i Kosovës në Francë, për një bisedë me mbi këtë vend dhe ambiciet e tij nacionale, regjionale dhe atlantike.




Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, ish-komandant i gueriles kosovare (UÇK) gjatë konfliktit të 1998-1999, dha dorëheqje, të premten më 19 korrik, pasi ishte ftuar për t’u paraqitur para drejtësisë ndërkombëtare si i dyshuar: çfarë do të ndodh tash?

Dy mundësi parashihen në Kushtetutë për qeverinë dhe ato varen nga presidenti dhe deputetët në Parlament. Ose do të mbahen zgjedhjet brenda dy muajsh ose një tjetër qeveri do të formohet nëse ajo e merr shumicën në Parlamentin aktual. Këto janë pra dy opsionet formale, juridike e kushtetuese.
Sa i përket pyetjes suaj në lidhje me ish-kryeministrin, dëshiroj të nënvizoj së pari që ai nuk ishte ftuar të paraqitet para drejtësisë ndërkombëtare por nga një instancë e drejtësisë kosovare që vepron nga Haga. Duke i respektuar ftesat dhe kërkesat e drejtësisë, ish-kryeministri ynë e ka dëshmuar vullnetin e tij që të bashkëpunojë plotësisht me dhomat e specializuara.

Por, ky është një moment i vështirë për Kosovën sepse historia është shumë e afërt ndërkohë që ne nuk e kemi njohur deri tash një pranim të krimeve të kryera nga shteti serb e as dënime proporcionale në lidhje me ato krime. Është e nevojshme të kujtohet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte një forcë e armatosur që luftonte për lirinë e Kosovës, por drejtësia do t’i prononcojë verdiktet e saj kundër disa individëve të kësaj force.

Ajo prandaj nuk do t’i gjykojë përpjekjet e popullit kosovar për ta fituar lirinë e vet dhe pavarësinë. Ju rikujtoj se Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë veç e ka konfirmuar ekzistencën e një ndërmarrje kriminale në radhët e shtetit serb, të gjykuar fajtor për krimet e kryera kundër kosovarëve.

Sidoqoftë, duhet konstatuar me zhgënjim se viktimat kosovare nuk janë trajtuar me respekt të mjaftueshëm nga drejtësia. Për shembull, deri në janar 2018, në Kosovë, Serbi dhe Hagë janë dënuar 37 kosovarë (shqiptarë nga Kosova) dhe 25 serbë. Këto të dhëna janë objektive dhe vijnë nga Humanitarian Law Center, organizatë e bazuar në Beograd (e krijuar nga Nataša Kandić, serbe) dhe që punon edhe në Kosovë.

Për më shumë, është për keqardhje që në disa qarqe perëndimore mbizotëron një qëndrim i mea culpa kundrejt Beogradit. Regjimi aktual në Serbi kësisoj e ka shfrytëzuar këtë sentiment për t’i mohuar plotësisht krimet e Millosheviqit dhe shokëve të tij. Ju rikujtoj që numri i viktimave gjatë luftës është rreth 13’000: 11’000 shqiptarë nga Kosova dhe 2000 serbë. Kësaj i shtohen personat gjithnjë të zhdukur, si dhe ata të dhunuar, pa e përfshirë periudhën e aparteidit të viteve 1990 ende mjaft të panjohur ose të harruar në botën perëndimore. Lufta ka shkaktuar po ashtu shkatërrim ose dëmtim të 100 mijë shtëpive, shkatërrim të vendeve të kultit e të kulturës, dëbimin nga shtëpitë e tyre dhe jashtë Kosovës të gjysmës së kosovarëve, përfshirë të diplomatit që ju flet në këto momente.

Përball këtij konstatimi, ne presim prandaj ende që Serbia të ballafaqohet me të kaluarën e saj si një kusht i nevojshëm për pajtimin regjional. Megjithatë, drejtësia e bën punën e vet dhe e riafirmoj që ajo gëzon mbështetjen tonë, sepse përgjigja jonë është kërkuese: ajo nuk konsiston në kërkimin e më pak drejtësie, por që më shumë drejtësi për të gjitha viktimat dhe pa imunitet për autorët e dyshuar. Për të gjitha viktimat, shqiptare ose serbe, ne dëshirojmë një drejtësi të pavarur dhe pa influencë politike. Republika e Kosovës vet është e krijuar mbi vlerat e të drejtave të njeriut, dhe ne e kemi një obligim të veçantë që t’i mbrojmë ato në vendin tonë dhe gjetkë, pas një kohë të gjatë të së qenit viktimë e shkeljes së atyre të drejtave.

Së fundi u shënua 630 vjetori i betejës së Fushë Kosovë, një prej ngjarjeve konstituive të identitetit historik dhe mitik serb. Çfarë vendi gjen kjo betejë në historinë tuaj?

Është politikisht e rrezikshme dhe intelektualisht sipërfaqësore të mendohet se pararendja kronologjike mund të justifikojë të drejtat ose kërkesat e popullatave të sotme. Çështja e identitetit është komplekse dhe nuk duhet t’i jepet asaj një përgjigje simpliste, identitete inerte, të fiksuara mbi një vend ose në një kohë të caktuar, identitete të pastra. Në një regjion si Ballkan ku janë zhvilluar aq shumë ngjarje përgjatë periudhave ilire, romake, etj., nuk mund të flasim për një kontinuitet historik të vetëm dhe ekskluziv.

Për shumicën e kosovarëve, kjo betejë është vetëm njëra ndër betejat kundër otomanëve, që i bashkoi përkrah serbët, shqiptarët dhe krishterë të tjerë të Ballkanit. P.sh. në vitin 1448 një fisnik transilvanez luftonte kundër otomanëve por princi serb më i rëndësishëm i asaj kohe nuk e ndihmonte atë aspak – përkundrazi ai bashkëpunonte me otomanët. A do të duhej që ne ta bëjmë një seleksionim të kapitujve të historisë për t’i justifikuar armiqësitë ndërmjet popujve tanë respektivë? Unë nuk mendoj ashtu.

Në të vërtetë, kjo betejë e «Fushës së mëllenjave», e rëndësishme në folklorin serb dhe në folklore të tjera të regjionit, ishte transformuar dhe mitizuar në shekullin e XIX-të nga themeluesit e shtetit modern serb, së pari nga historianët e pastaj nga politikanët. Fatkeqësisht, më vonë ajo u instrumentalizua përsëri nga ish-presidenti serb Millosheviq, gjë që e shënoi edhe fillimin e shkatërrimit të Federatës jugosllave të Titos. Kjo betejë andaj përfaqëson një datë të rëndësishme për serbët, por ajo është po ashtu e rëndësishme për tërë ata që dëshirojnë ta përdorin historinë për qëllime politike, nganjëherë të neveritshme.

Nëse, për t’i shpjeguar rrënjët e tyre, shqiptarët dhe Kosova e sotme i referohen periudhës së ilirëve ose Dardanisë antike dhe relacioneve të popujve tanë me atë periudhë, një periudhë që është para arritjes së popullatave sllave në Ballkan në shekullin e VII-të, kjo duhet të bëhet vetëm në emër të studimit të historisë e jo për të na dhënë ose për të justifikuar më shumë të drejta sesa fqinjëve tanë. Historia duhet të respektohet dhe ne duhet ta refuzojnë çdo instrumentalizim, sepse ajo e mbyll portën e memories. Dëshiroj t’ju jap një shembull që është pak personal. Në Kosovë, në fund të luftës, regjimi serb i kishte marrë pothuajse të gjitha artefaktet e muzeut kombëtar (dhe nuk i ka restituuar ato ende), por ai i kishte lënë ato që bënin pjesë në koleksionin e historisë së natyrës në muze, sepse kërkonte elemente që justifikonin leximin e tyre të historisë. Por për më tepër, autoritetet tona pas luftës nuk interesoheshin as ato në këto elemente sepse edhe ato kërkonin të vërtetonin «pararendjen» kronologjike. Petrit Halilaj, një artist kosovar i ri dhe brilant e ka organizuar një ekspozitë të bukur mbi këtë tematikë.

Në Ballkan, nganjëherë, njerëzit i kërkojnë ndasitë, duke i harruar ato që lidhen me të natyrshmen, e kjo e shpjegon pjesërisht pse partitë ekologjike nuk janë vërtet popullore në Ballkan… Por ky është vendi im, është regjioni im dhe mendoj se projektimi drejt së ardhmes është ajo që ia vlen më së shumti; e me gjithë atë që e dëgjojmë, le ta respektojmë historinë dhe t’i respektojmë historitë tona.

Çfarë raportesh ka aktualisht Kosova me Serbinë?

Raportet ndërmjet Kosovës e Serbisë mbesin të vështira, përkundër përparimeve të shumta që nga fundi i luftës në 1999. Në planin diplomatik, ekziston një zyrë e Kosovës në Beograd dhe një e tillë e Serbisë në Prishtinë, edhe pse nuk ka marrëdhënie diplomatike formale meqenëse nuk ka njohje.

Ne dëshirojmë megjithatë të ndërtojmë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë me Serbinë. Por për këtë duhet mbyllur mirë kapitujt e së kaluarës, gjë që nuk mund të bëhet duke qenë vetëm. Kështu ne kemi nevojë për përkrahjen e miqve evropianë.

Rajoni i Ballkanit nuk mund të mbetet peng i mungesës së kurajës së elitës politike serbe për ta thënë të vërtetën dhe për ta pranuar realitetin pozitiv që e përbën shteti i pavarur i Kosovës, një shtet laik e multietnik. Pra Kosova është fuqishëm në favor të pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy shteteve të pavarura e sovrane, të udhëhequra nga perspektiva evropiane.

Një marrëveshje globale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë e cila e parasheh njohjen reciproke dhe një raport të fqinjësisë së mirë është e domosdoshme.

Në secilin minoritet ekzistojnë minoritete të tjera. Si ta zgjidhim problemin e provincave veriore të Kosovës me shumicë serbe?

Kosova është vend unitar, me komunat e veta dhe qeverinë qendrore, por një vend unitar në të vërtetë. Problem nuk është veriu i Kosovës por aktet destabilizuese të Beogradit në këtë pjesë të Kosovës.

Deklarimi i pavarësisë së Kosovës ishte përfundim i një procesi negociatash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën udhëheqjen e të dërguarit special të OKB-së, ish-presidenti finlandez Martti Ahtisaari. Këto negociata që u zhvilluan kryesisht në Vjenë, adresuan të gjitha çështjet që preokuponin popullatën serbe në Kosovë. Nëse ne e kemi deklaruar pavarësinë tonë në shkurt 2008, ajo u bë mbi bazën e një vargu të ligjesh, masash dhe dispozitash kushtetuese vijuese që do të garantonin të drejtat e komunitetit serb dhe të komuniteteve të tjera në Kosovë. Mund t’i citoj disa masa.

Sot popullata e Kosovës përbëhet nga rreth 90% shqiptarë, nga 5 deri 7% serbë si dhe nga komunitete të tjera që jetojnë aty. Në flamurin tonë qëndrojnë gjashtë yje, të cilat përfaqësojnë secilin prej komuniteteve tona. Janë dy gjuhë zyrtare, shqipja dhe serbishtja. Në parlament 20 ulëse nga 120 gjithsej janë të garantuara për minoritetet. Nëse dëshirojmë ta modifikojmë Kushtetutën, duhet fituar dy të tretat e votave në parlament si dhe dy të tretat e votave të minoriteteve. Nga këto 20 ulëse, 10 janë të garantuara për serbët kurse 10 të tjera për boshnjakët, turqit, goranët, romët, ashkalinjët dhe egjiptianët.

Një proces i decentralizimit ishte po ashtu i realizuar madje para pavarësisë. Një varg komunash u krijuan për t’i dhënë besim shtesë komunitetit serb në Kosovë që ai do të mund të vazhdonte të jetonte në këtë shtet laik e multietnik. E tërë kjo madje ishte e kompletuar me masa «ekstra» mbi kompetencat e komunave me popullatë shumicë serbe, pa përmendur këtu, po ashtu me rëndësi, masa e kushtuara për mbrojtjen e Kishës ortodokse serbe në Kosovë.

Ua citoj tërë këto gjëra sepse ishte një proces i vështirë që të zbatohej, por edhe fal atij vendet perëndimore, përveç pesë shteteve anëtare të BE-së, e kanë njohur Kosovën.
Është për keqardhje që tërë këto përpjekje të kurorëzuara nga kosovarët nuk janë mjaftueshëm të njohura ose të marra parasysh në Evropë e mbi të gjitha në Serbi. Qeveria serbe, përkundrazi, pretendon sot se nuk ka pasur koncesione nga pala kosovare. Beogradi flet për nevojën që «secila palë të fitojë diçka» duke e asimiluar vendin tonë në një ëmbëlsirë ku secilit i takon një pjesë.

Në lidhje me këtë dhe faktin që Kosova është krijuar mbi parimet e të drejtave të njeriut dhe respektit të komuniteteve etnike, vlerësoj se tash mund t’i kemi dy qasje: ose tentojmë ta kemi një vizion ose qasje që i merr parasysh nevojat e qytetarëve të Kosovës e të Serbisë, e nëse jo atëherë gjejmë zgjidhje sipas nevojave të udhëheqësve politikë në rajon. Si konsekuencë, ne duhet të gjejmë zgjidhje që janë në interes të përgjithshëm të Kosovës, të Serbisë dhe të Evropës («fitues-fitues-fitues», «win-win-win»), ashtu që vlerat evropiane të mund të fitojnë. Përndryshe rrezikojmë të krijojmë një situatë reversibile me një sentiment që është paguar çmim kot dhe mund të kërkohet kthimi i të hollave.

Duke i pasur parasysh deklaratat e fundit të presidentit kosovar dhe të z. Rama, a mendoni se bashkimi i Kosovës dhe i Shqipërisë është i pashmangshëm?

Jo. Familja evropiane dhe Aleanca euro-atlantike janë dy çelësa të politikës sonë të jashtme. Dhe do të bëjmë tërë që është e nevojshme për t’iu bashkuar këtyre familjeve si shtete të pavarura. Bashkëpunimi me Shqipërinë është i natyrshëm sikurse me shtetet tashmë anëtare në BE por kjo nuk do të thotë që e kemi një synim të veçantë me Shqipërinë. Sot populli kosovar është populli më pro-evropian në Ballkan, kështu që për ne është e qartë se për ku jemi të orientuar. Fatkeqësisht, më duhet të them njëkohësisht se për shkak të dobësive dhe problemeve strukturale e të brendshme në BE, për shkak të një hezitimi të BE-së, disa sinjale i dërgohen nganjëherë Ballkanit që lejojnë të kuptohet që ky rajon nuk ka një perspektivë të vërtetë evropiane.

E kuptoj shumë mirë që çështja e zgjerimit të BE-së është e vështirë dhe delikate. Por kjo çështje duhet t’i shpjegohet qytetarëve të BE-së, sepse bëhet fjalë për një koherencë politike: përfshirja në familjen evropiane e gjashtë shteteve, që nuk janë shtete të mëdha por që ndajnë një histori të përbashkët me Evropën, i përgjigjet një koherence politike. Nëse kjo perspektivë do të ishte e mbyllur, preokupime dhe pyetjet do të shtroheshin, bashkë me rrezikun e konsekuencave me shumë të panjohura. Andaj, nuk mendoj se është fati ynë ose e dëshirueshme të bëhet bashkë Ballkani perëndimor. Bashkimi i vetëm duhet të jetë në kuadër të BE-së, ndërkohë që përpjekjet duhet të vazhdohen për ta avancuar bashkëpunimin me fqinjët, përfshirë me Shqipërinë.

Pra, Kosova nuk dëshiron një përafrim preferencial me Shqipërinë, ideja është integrimi në familjen e madhe evropiane me ose pa atë, por nëse është e mundur duke i përfshirë fqinjët tuaj në Ballkan ?

Pikërisht. Ne nuk mund t’i lëmë vetëm vendet e tjera sikurse ne nuk dëshirojmë të mbesim vetëm jashtë Bashkimit.

Hyrja e Shqipërisë në Bashkim Evropian e rrezikon ta komprometojë një fuzion të tillë potencial?

Dëshiroj ta nënvizoj që Kosova e përkrah plotësisht perspektivën evropiane dhe përpjekjet e fqinjëve tanë për të hyrë në BE. Ne e përkrahim natyrisht p.sh. Malin e Zi ose Shqipërinë në këtë projekt. Për ne kjo nuk përbën rrezik, rreziku sipas nesh do të ishte nëse fqinjët tanë kërkojnë perspektiva të tjera që janë jashtë kuadrit evropian.

Shpresoj se BE do të vendos t’i hap negociatat me Shqipërinë, sikurse me Maqedoninë e Veriut, sepse ajo do t’i avancojë me të vërtetë vlerat evropiane në rajon. Nga ana tjetër unë nuk i kuptoj zërat që janë kundër hapjes së negociatave duke e ditur që ato veç janë shumë të gjata e të vështira; Kosova e përkrah plotësisht të ardhmen evropiane të fqinjëve. Dhe mund të shtoj këtu se ne e kemi përkrahur po ashtu marrëveshjen ndërmjet Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut sepse mendojmë se ajo do ta përforcojë stabilitetin dhe paqen në rajon. Interesi ynë në rajon është që të shohim progres dhe jo bllokime progresi, por jo secili prej vendeve të Ballkanit e sheh situatën në këtë formë…

A e shpreh vullnetin Kosova për integrim në Bashkim Evropian? Nëse po, a do ta kishte ky anëtarësim si kusht zgjidhjen e dallimeve të saj me Serbinë?

Është e qartë që do të ishte e pamundur për Serbinë si dhe për Kosovën të integrohen në BE nëse dallimet ndërmjet dy vendeve tona nuk rregullohen. Do të ishte jonormale të pranohen në gjirin e BE dy shtete që kanë aq shumë probleme, sidomos meqë për ne BE është një projekt paqeje, një perspektivë për të ardhmen, një kuadër i zgjidhjes së problemeve po ashtu.

Qasja andaj duhet të jetë simultane. Ne jemi të vetëdijshëm për nevojën e realizimit të reformave interne për shtetin ligjor, nivelin e zhvillimit të ekonomisë, sistemin shëndetësor, arsimin, etj. Dhe njëkohësisht, ne duhet ta arrijmë një marrëveshje globale e definitive me Serbinë. Është parakusht për zhvillimin e marrëdhënieve të mira ndërmjet rajonit tonë dhe BE.

Kuptohet, BE nuk është e gatshme për momentin të pranojë anëtarë të rinj, por portat nuk duhet mbyllur megjithatë. Ne mund t’i pranojmë obligimet tona të reformave interne përkundër vështirësive, sikurse faktin që BE duhet të reformohet. Por këto dy procese të reformave nuk janë reciprokisht përjashtuese.

Dëshiroj më tej ta përshëndes angazhimin e Francës e cila e ka një pozitë shumë të qartë në lidhje me nevojën që të ketë sukses në dialogun ndërmjet Kosovës e Serbisë, si dhe ta përshëndes angazhimin personal të presidentit Makron sikurse të Gjermanisë për ta lehtësuar këtë dialog dhe për të ardhur deri tek marrëveshja. Këto angazhime do të lejojnë që të arrihet një zgjidhje evropiane ashtu që të dy shtetet e pavarura dhe sovrane Kosova e Serbia të mund të përparojnë drejt BE-së. Pa këtë angazhim të Francës, pa këtë Francë fatmirësisht përsëri aktive në rajon, do të ishte shumë më e vështirë të arrihet një marrëveshje.

Fatkeqësisht për Evropën dhe për Kosovën, nuk ka pasur gjithnjë një konvergjencë të pozitave të vendeve të BE-së vis-à-vis Kosovës. Ende mbesin pesë anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, edhe pse deklarimi i pavarësisë ishte gjykuar të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare në 2010 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas një kërkese të iniciuar nga Serbia. Madje ekziston edhe një konkluzion i Këshillit të BE i vitit 2008 që e rikujton rastin sui generis të Kosovës, bazuar në shpërbërjen e Jugosllavisë, luftërat e viteve 1990, si dhe praninë e misionit ndërkombëtar të OKB (UNMIK). Do të ishte e drejtë që miqtë tanë evropianë të na dëgjojnë dhe t’i kontribuojnë konvergjencës së politikë së jashtme evropiane, dhe e përdor këtë term të konvergjencës me qëllim sepse ai përdoret po ashtu në traktatin e Aachen ndërmjet Francës dhe Gjermanisë.

Kosova është shtet i themeluar mbi bazën e vlerave evropiane, dhe lufta e Kosovës 1998-1999 pastaj kampanja e NATO-s ishin realizuar pikërisht për t’i përkrahur të drejtat e njeriut në Kosovë si dhe për t’i dhënë fund luftërave në Ballkan, pas asaj në Kroaci dhe në Bosnje. Sot e vërejmë që ka shumë individë që e bëjnë një përzierje ndërmjet luftës së Kosovës dhe të tjerave. Por duhet të bëjmë dallimin midis çështjes së Jugosllavisë në vitet 1990 dhe botës së sotme pas 11 shtatorit. Sepse – dhe unë po e bëj këtë shmangie vetëm për ta rikujtuar se ishte një fushatë që popullsia vendase e dëshironte dhe që erdhi pas gjithë atyre përpjekjeve të negociatave, për të gjetur një marrëveshje paqeje, këtu madje në Francë, në Rambuje, kështu që nuk është se ishte thjesht vullneti i Francës ose i NATO-s për ta goditur Jugosllavinë – ishte mënyra e vetme për të ndaluar agresionet e Millosheviqit. Dhe këtu e riafirmoj mirënjohjen tonë për Francën dhe Ushtrinë Franceze dhe natyrisht për NATO-n për kontributin në vendosjen e paqes në Kosovë, dhe më pas për krijimin për herë të parë në këtë vend të institucioneve moderne dhe demokratike. Kosova është një sukses për ushtrinë franceze dhe për Francën dhe që nga viti 1999 janë krijuar lidhje të forta midis dy popujve tanë.

Unë nuk mendoj se do të ishte realiste të pritet që vendet tona në rajon të jenë në gjendje të gjejnë një zgjidhje jashtë kornizës evropiane. Fatkeqësisht, ky është realiteti. Do të ishte e dëshirueshme të themi se ne jemi në gjendje të gjejmë zgjidhjet e nevojshme por nuk është ashtu. Edhe për dialogun Kosovë-Serbi, ne kemi nevojë për mbështetjen e Bashkimit Evropian, dhe vetëm në këtë kontekst lejohen shpresat për një zgjidhje.

Në të njëjtën kohë, unë i kuptoj shumë mirë njerëzit që shfaqin rezerva etj. por zgjidhja nuk mund të jetë rezerva aktuale përballë zgjerimit të BE-së. Mënyra më e mirë për t’u përgjigjur është të informoheni për këtë rajon, përmasat e këtyre vendeve, vullnetin e këtyre popujve dhe përfitimet që këto vende i ofrojnë Francës dhe BE-së. Nëse ato lihen vetëm, atëherë do të ketë fuqi të tjera që jo gjithmonë kanë qëllime të mira në lidhje me vlerat evropiane që mund të imponojnë kornizën e tyre. Këto fuqi të huaja janë tashmë atje, dhe ata po përpiqen të konkurrojnë me BE-në.

A mendoni se, në një të ardhme të largët, kur shtetet e Ballkanit do të ishin të gjitha pjesë e Bashkimit, një grup ballkanik i tipit të Beneluksit do të mund të krijohej në kuadër të BE?

Ky tip bashkëpunimi do të ishte i natyrshëm në gjirin e BE-së sepse këto vende ndajnë të përbashkët shumë të gjatë e të pasur – ne kemi shumë më shumë të përbashkëta kulturore me Malin e Zi ose Serbinë sesa me shtetet baltike dhe njëkohësisht ne kemi shpesh konvergjencë më të madhe me shtetet baltike në lidhje me, për shembull, vlerësimin e rreziqeve të jashtme për Evropën. Por, si shtete të pavarura, anëtare të BE-së, ato mund patjetër të mbrojnë së bashku interesa dhe vlera. E kuptoj se nganjëherë është e nevojshme të bashkëpunohet pak më shumë me një fqinj se me një tjetër, por zgjidhja duhet të konsistojë në avancimin e solidaritetit evropian. Përndryshe, rreziku do të ishte krijimi i grupeve të vogla që nuk i kontribuojnë konvergjencës evropiane. Sot, ajo që e shoh është që solidariteti evropian, që u ka mundësuar vendeve të Ballkanit t’ia kthejnë shpinën luftërave, është nganjëherë i fragjilizuar ndërkohë që ne gjithnjë kemi nevojë për të për ta ndërtuar fatin tonë. Por formulat e bashkëpunimit të tipit të Beneluksit etj. duken shumë “të imponuara” për tu menduar në Ballkan duke e ditur historinë e kohërave të fundit.

Ëndrra jugosllave, ajo e një federate të sllavëve të jugut, është varrosur përfundimisht? Ose, pas deklaratave të presidentit shqiptar, mund te lind mundësia e një bashkëpunimi ndërmjet shteteve të Ballkanit sikur modeli i Bashkimit Evropian, e bazuar në qarkullim të lirë të njerëzve dhe mallrave?

Po. Po, absolutisht, ne mund të flasim fillimisht për etimologjinë e termit Jugosllavi, i cili i korrespondon sllavëve të jugut. Kosova është e banuar me një shumicë shqiptare, shqiptarët nuk janë sllavë. Evokimi i një federate të tillë andaj nuk është aspak objektiv i yni dhe nuk është projekt i pranishëm në Ballkan sepse janë shtetet e tjera sllave të Ballkanit që e kishin kërkuar dhe fituar pavarësinë para Kosovës: Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi… Jam i bindur se tash e vetmja ëndërr është ajo evropiane dhe kështu të gjitha duhet orientuar drejt realizimit të saj. Është pamohueshëm i vetmi projekt i së ardhmes i dëshiruar nga rinia e këtyre vendeve, përfshirë vendit tim. Është një punë e madhe që duhet të kryhet nga elitat politike, bota akademike, bota e ndërmarrjeve, por po ashtu gjithmonë me përkrahjen e vet BE-së.

Shtetet e Bashkuara, Evropa – edhe pse në mënyrë më të kufizuar – Rusia, Kina, Shqipëria e Turqia luajnë pakontestueshëm një rol të rëndësishëm në Ballkan. A mbrojnë ato interesa të ndryshme në rajon? Çfarë interesash janë ato?

Prania dhe kontributi amerikan kanë qenë kruciale për t’i dhënë fund luftërave në ish—Jugosllavi. Për këtë arsye e vlerësojmë shumë të natyrshme përkrahjen amerikane për rajonin tonë, dhe natyrisht për vendin tonë. Ja rikujtoj që «ombrella e sigurisë» e Evropës është NATO-ja, pavarësisht pyetjeve rreth një armate të ardhshme evropiane. Sido që të jetë, për momentin duhet projektuar interesat tona në strukturat aktuale dhe duhet qenë realistë: kontributi amerikan është gjithnjë i domosdoshëm. Kjo nuk do të thotë përjashtim i Evropës ose që kjo e dobëson atë.
Ne e matim mirë situatën ndërmjet pozicionit amerikan dhe ato të fuqive të ndryshme sikurse Rusia ose Kina në Evropë. Kosovarët janë para së gjithash euro-atlantistë, pastaj vijmë tek vlerësimi i aksioneve të shteteve të tjera. Ato të Rusisë në rajon kanë arsye të na shqetësojnë ne në Kosovë. Por ne dëshirojmë që të kemi marrëdhënie të mira me të gjitha vendet, përfshirë Moskën, edhe pse nganjëherë e kemi përshtypjen se Kremlini kërkon ta dobësojë modelin evropian dhe Evropën, pa ofruar alternativë.

Në lidhje me Kinën, përmes projektit të saj ekonomik të rrugës së saj të re të mëndafshit, ajo e ka një perspektivë shumë më afatgjate që kalon përmes pranisë së saj në rritje në Ballkan. Ju e përmendet edhe Turqinë, por përkundër lidhjeve historike të këtij vendi me vendet e Ballkanit dhe faktit që është shtet i madh, megjithatë ajo nuk e ka të njëjtin pozicion global sikurse vendet e tjera të cilat i përmendëm. Në fund, për ne është esenciale që të vendosim marrëdhënie të mira me Rusinë dhe Kinën, kurse me Turqinë veç kemi marrëdhënie të mira. Përgjithësisht e vlerësoj që, për momentin, jostabiliteti në rajon është i provokuar së pari nga ato vende që dëshirojnë të propozojnë modele të ndryshme nga ai i Evropës. Në këtë domen, Kosova e ka bërë zgjedhjen e vet, dhe është e qartë që vetëm modeli evropian i korrespondon aspiratave tona për ta avancuar vendin.

Këta janë aktorë që mbrojnë interesa të ndryshme në rajon, a nuk ka konfrontime?

Pikërisht, ka shpesh përplasje ndërmjet këtyre modeleve. Dhe nëse Evropa, ose më saktësisht Bashkimi Evropian, nuk është mjaft e vëmendshme, atëherë ato fuqi të tjera mund ta dobësojnë, jo vetëm rajonin tonë, por tërë Evropën.

Cilat janë burimet e doktrinës dhe të hapësirës së debatit strategjik (revista, think tank,…) në Kosovë?

Ato i gjejmë mbi të gjitha në kuadrin e studimeve juridike e politike, por po ashtu të sigurisë: D4D (Democracy for Development), KIPRED, CPC Center for Political Courage, QKSS, GPLS, etj. Janë institucione që organizojnë rregullisht konferenca dhe publikojnë mbi tema politike, strategjike, të sigurisë dhe të zhvillimit, të arsimit, etj. Është një përvojë e re në Ballkan që mund të bazohemi mbi struktura jo-shtetërore, të cilat e ushqejnë debatin publik, etj. Po ashtu janë universitetet të cilat kontribuojnë në diskutimet politike.

A keni shembull të aspekteve të veçanta të doktrinës kosovare?

I kam përmendur dy familjet evropiane dhe aleancën euro-atlantike, pro nuk e kam përmendur doktrinën e Përgjegjësisë për të mbrojtur, shumë të vlefshme për Kosovën, do të thotë që shtetet nuk mund të kenë të drejtën t’iu bëjnë qytetarëve të vet çfarëdo që ato donë dhe me impunitet, gjë që është normale sepse Jugosllavia e ka njohur këtë situatë ku shteti, ose shtetet, i kanë shkelur të drejtat e qytetarëve të vet.