Kosova ka plot tregime që po presin për t’u rrëfyer!

Kosova ende vuan nga ai «imazhi i CNN-it» nga koha e luftës. Se Kosova mund të ofrojë pamje tjetër u pa gjatë ndeshjes kundër Anglisë. Por për ta bërë Kosovën markë të suksesshme duhet ndërtuar politika të reja të cilat e zhvendosin Kosovën nga një vend konflikti në një vend me plot energji. Qeverinë e re të Kosovës e pret punë e madhe për ta bërë Kosovën tregim të suksesshëm! Një studim i ri jep këshilla të vlefshme si duhet promovuar një vend.

Prishtina. Foto: Shutterstock



Një fundjavë nëntori në Prishtinë kishte festë. Mijëra anglezë zbarkuan në kryeqytet. Ata nuk erdhën si turistë të zakonshëm, por si tifozë për ta përcjellë kombëtaren e tyre në ndeshjen e futbollit kundër Kosovës. Anglezët janë të njohur për tifozëri – mijëra nga ata shkojnë pas kombëtares së tyre në çdo vend ku ajo luan. Dhe është e njohur tashmë se tifozët anglezë janë njerëz të qejfit, sidomos të birrave, dhe ky qejf jo rrallë përfundon me incidente të dhunshme me tifozët kundërshtarë. Por këtë herë ishte ndryshe.

Në Kosovë ata u pritën me zemërgjerësi, e cila ishte gati ekzaltim. Jo vetëm që nuk pati incidente, por anglezë e kosovarë u panë duke zbrazur shishet e birrave, kënduar dhe festuar bashkë. Kosova dhe pritja e kosovarëve për një çast u bë kryetemë në mediat angleze. Tregimin për Kosovën e dominoi mikpritja, falënderimi për kontributin e Britanisë së Madhe në luftën për çlirimin e Kosovës. Kjo ishte një reklamë fantastike për Kosovën, këtë vend të vogël ballkanik.

Anglezët ikën, dhe Prishtina iu kthye përditshmërisë, u kthye në një qytet të gri, monoton sa i përket aktiviteteve kulturore, përjashto aty këtu ndonjë ngjarje kulturore të skenës se pavarur; qytet me ndotje toksike të ajrit, pa parqe dhe gjelbërim, me vetura me të vjetra se sa drejtuesit e tyre, me tymtarë që vjellin smog thëngjilli, me kaos urban e rrugor, me gjentrifikim të egër duke zhdukur lagje të tëra për të ndërtuar rrokaqiej pa shije dhe në një qytet të përhumbur e të izoluar nga bota.

Sipas Agjencisë Statistikore të Kosovës, gjatë vitit 2017 në Kosovë kanë ardhur vetëm 86 mijë vizitorë te huaj ku një pjesë e madhe e këtyre vizitorëve vijnë jo për turizëm por për angazhimet e tyre në misionet ndërkombëtare në Kosovë. Ky numër është skajshëm i ulët krahasuar me rajonin. Maqedonia veriore gjatë vitit 2018 kishte mbi 700 mijë vizitorë (8 herë më shumë sesa në Kosovë). Fatmirësisht, numri i hyrjeve në Kosovë rritet për disa herë falë lidhjes me vendlindjen të mërgatës sonë të shpërndarë gjithandej botës.

Dhe në këtë monotoni, falë futbollit e kuptuam se sa e rëndësishme është të kemi vizitorë të huaj në Kosovë. Ata janë të rëndësishëm jo vetëm për ta ndihmuar zhvillimin ekonomik – gjithsesi aspekti ekonomik është më i rëndësishmi – por edhe për ta ndihmuar ndryshimin e perceptimit për vendin tonë. Fatkeqësisht brendi Kosovë vazhdon të jetë i sfiduar nga kujtimet e CNN-it për luftën, problemet politikë tash e 20 vjet, korrupsionin dhe krimin si dhe përpjekjet e fqiut tonë verior për të bërë Kosovën si «projekt të dështuar».

Jo pak vizitorë që vizitojnë Kosovën e thonë që në fillim se kanë hezituar të bëjnë një vizitë për shkak se Kosova ende perceptohet si zonë konflikti. Në edicionin e këtij viti të «Future Brand Country Index» (botuar nga Creative Future Company – CFC) është analizuar se si transformohet një shtet nga «një pikë në hartë» në një vend i cili do të jetë atraktiv për turistë, për investitorë dhe për vetë banorët e tij. Në kuadër të këtij studimi është dhënë top lista e 75 vendeve si «Future Brand Country». Normalisht aty nuk është Kosova dhe pothuajse asnjë vend në Ballkan. Ku studim ofron një qasje te re, aspak tradicionale në vlerësimin e një vendi. Tradicionalisht vendet janë matur me GDP, numrin e banorëve, bile edhe me fuqinë ushtarake. «Sot, në kohën e ndryshimeve rrënjësore, a do vlejnë këto masa për matjen e vendeve?», pyet kjo organizatë.

Trendet teknologjike janë duke e ndryshuar botën. IT dhe teknologjia smart (e mençur) janë duke u bërë pjesë e jetës sonë. Ndryshimet sociopolitke gjithashtu janë duke ndikuar në jetën tonë. Shumica e vendeve janë duke u sfiduar nga imigrimi, siguria sociale dhe nga sfidat në kujdesin shëndetësor dhe edukimi. Ngrohja globale, problemet me menaxhimin e mbeturinave, furnizimi me ujë të pijshëm gjithashtu vazhdojnë të jenë sfidat të shekullit 21.

Nisur nga këto sfida, kompania CFC, vlerëson se nuk do të ishte relevante vlerësimi i vendeve përmes GDP por përmes masave të cilat ato i ndërmarrin për të reaguar, vendosur balancë dhe pse jo edhe t’i paraprijnë me një dinamike të re.

Sipas këtij studimi janë katër dimensione të cilat ndikojnë më së shumti në perceptimin pozitiv dhe negativ ndaj në një vendi: Cilësia e jetës së banorëve (i), mjedisi i shëndoshë (Environmental Friendlinees) (ii) dhe prodhimet e shërbimet që prodhohen në atë vend (Made In) (iii). Të gjitha këto kanë ndikim pozitiv për atë se ku njerëzit dëshirojnë të kalojnë kohën dhe të harxhojnë para. Në anën tjetër, studimi ka gjetur se polarizimet politikë dhe masat e pamjaftueshme për ta forcuar tolerancën (iv) mund të ndikojnë negativisht në perceptimin e një vendi dhe mund ta ulë fuqinë e brendit të tij.

Pra, pavarësisht produkteve e shërbimeve (Made In), që mund të ndikojnë pozitivisht, ekzistojnë faktorë të tjerë politikë, të cilët tregojnë se sa është e rëndësishëm që një person beson në një vend për të investuar, vizituar ose jetuar. Dallimi është nëse ata e shohin një vend si një «destinacion turistik miqësor» apo një vend «vet-izolues».

Çka në të vërtetë nënkuptojnë këto katër dimensione të cilat ndikojnë në perceptimin dhe ndërtimin e brendi të një vendi, dhe ku është Kosova në këtë aspekt?

Dimensioni i parë – «Jetë të begatshme pa nevojë për pasuri» -: Cilësia e jetës është e ndërlidhur shumë me zhvillimet teknologjike dhe mundësinë për të jetuar me më shumë fleksibilitet; për të përjetuar me shumë eksperiencë; dhe me qasje të lehtë në punë, shërbime, edukim etj. Përplot brende të reja të teknologjisë, turizmit, transportit e kanë mundësuar tashmë këtë. Për shembull platforma Airbnb sot iu mundëson shumë me tepër eksperiencë atyre që e vizitojnë një vend të ri krahasuar me mënyrën tradicionale e të shkuarit në hotel. Me këtë platformë, turistët kanë mundësi të rezervojnë një dhomë në një shtëpi në cilëndo lagje dhe të njihen me një familje të re ose të shijojnë një ushqim lokal. Marka Uber, për shembull, mundëson të kemi transport më fleksibil dhe më të lirë sesa kur marrim një taksi. Platforma WeWork që e ka bërë revolucion në fleksibilitetin në punë, pra puna jo e ndërlidhur me zyrën. Cilësia e jetës është e ndërlidhur edhe me nivelin e kujdesit shëndetsor dhe arsimimit.

Kosova ka një mundësi të mirë për t’u shndërruar në përparësi. Është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor me shtrirje të rrjetit të internetit. Pothuja se secila shtëpi në Kosovë ka qasje në internet. Ndërkaq me moshën me të re të popullatës në Europë dhe me një gjeneratë të re të njerëzve të pasionuar pas teknologjisë, Kosova ka mundësi të jetë në hap me vendet e zhvilluara.

Por, problemet e mëdha në kujdesin shëndetësor dhe arsimin cilësor janë pengesa serioze dhe do të jenë të tilla për shumë vite të tjera për vendin tonë. Kjo ka bërë që edhe më tej, Kosova të jetë poshtë e ranguar në raport me cilësinë e jetës dhe për këtë arsye, njerëzit edhe me tej largohen nga Kosova drejt vendeve tjera për të kërkuar një jetë me të mirë.

Dimensioni i Dytë – «Operacioni për ta shpëtuar planetin» -: mjedisi i shëndoshë është i lidhur me masat e ndërmarra në raport me ndryshimet klimatike. Sipas studimit të lartpërmendur këto janë të lidhura drejtpërdrejt me perceptimin pozitiv ose negativ të një shteti. Masat janë të ndërlidhura me zvogëlimin e emetimit të CO2. Kosova do të rangohet tepër poshtë në këtë dimension. Fatkeqësisht viteve të fundit situata është përkeqësuar. Prishtina është një prej kryeqyteteve me ajrin me të ndotur në planet. Termocentralet e vjetruara, veturat e vjetra dhe përdorimi i thëngjillit për ngrohje ka bërë që të rrezikohet shëndeti publik i banorëve. Aq me keq, qeveritë e kaluara kanë mbështetur idenë për ndërtimin e një termocentrali të ri.

Në anën tjetër, shteti ka dështuar në mbrojte të pasurive natyrore. Shumë prej pyjeve të mbrojtura janë prerë ndërsa lumenjtë janë ndotur ose janë futur në gypa për t’u bërë hidrocentrale.

Dimensioni i Tretë – «Shenja, etiketa e një vendi» -: Një produkt është simbol i fuqishëm i një përparimi shoqëror të një vendi. Cilësia e produktit është e ndërlidhur me infrastrukturën, teknologjinë, burimet njerëzore dhe standardin njerëzor. Studimi i kryer nga kompania Creative Future thotë se njerëzit që blejnë produkte të krijuara në një vend të caktuar (Made In) janë të prirë ta rekomandojnë atë vend si destinacion për t’u vizituar, për të studiuar ose për të jetuar. Në këtë aspekt, Kosova nuk ka hapësirë për t’u krenuar. Bilanci tregtar vazhdon të mbetet 90:10 në favor të importit. Ky bilanc kompensohet nga remitencat e mërgatës, përndryshe sistemi ekonomik do të perfundonte në kolaps.

Dimensioni i katërt – «Polarizimet politike» -: problemet politike, migrimi, ekstremizmi dhe të tjera janë të ndërlidhura me perceptimin e një vendi. Studimi tregon që për shkak të këtyre probleme edhe vendet me GDP shumë të lartë e kanë të ulur rejtingun e perceptimit si vende për t’u vizituar ose jetuar.

Kosova ndërkaq për shkak të luftës ende është duke e vuajtur perceptimin e një vendi me konflikte. Njerëzit kanë memorizuar momentet e luftës të shfaqura në mediat botërore, dhe në momentet kur përmendet Kosova atëherë imazhet dalin në plan të parë. Për fat të keq, Kosova nuk ka mundur të prodhojë ndonjë lajm të mirë që nga ajo kohë, prandaj perceptimin mbetet ashtu, përjashto këtu disa momente në sport ose në muzikë.

Pra, anglezët erdhën dhe shkuan. Erdhën jo se e zgjodhën Kosovën për të ardhur, por ishte shorti i UEFA-s që e vendosi për këtë ndeshje. Ishte një test i mirë për të parë se Kosova megjithatë nuk është një vend që nuk ia vlen për ta vizituar. Njerëzit janë të mrekullueshëm, siguria është në nivel të lartë, internet kudo, birra dhe qejf gjithandej. Kosova ka edhe plot tregime që presin t’u rrëfyer. Lë të jetë ky një moment për të reflektuar për të ndërtuar politika të reja të cilat e zhvendosin Kosovën nga një vend konflikti në një vend me plot energji. Qeverinë e re të Kosovës e pret punë e madhe për ta bërë Kosovën tregim të suksesshëm!