Kosova i vë shpresat te Shqipëria për anëtarësim në tri organizata të rëndësishme

Kosova i ka vënë shpresat te Shqipëria për anëtarësim në tri organizata të rëndësishme: NATO, Kartën e Adriatikut dhe në Këshillin e Evropës.




Ky synim është thënë në takimin e tretë të mbajtur mes dy qeverive në Prishtinë, raporton KTV.

Nën masa të rrepta të sigurisë, dhe me bllokim të qasjes së medieve, dy qeveritë kanë nënshkruar 7 marrëveshje, thuajse të gjitha në fushën e ekonomisë.

Në konferencën për shtyp, në të cilën më shumë folën kryeministrat dhe shumë pak i lanë hapësirë medieve për të parashtruar pyetje, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se të dyja vendet kanë arritur shumë me nënshkrimin e marrëveshjeve si në takimin e sotëm, ashtu edhe në dy mbledhjet e kaluara.

Kryeministri Mustafa ka folur edhe për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, duke insistuar se shteti nuk po humb asnjë metër tokë.

E Rama theksoi se «Ëndrra jonë për bashkimin kombëtar do të ndodhë në Bashkimin Evropian».

Pavarësisht fjalëve të mëdha, asnjëri nga kryeministrat nuk u morën me problemet që bizneset po i kanë, në shkëmbimet tregtare, pos që kryeministri shqiptar, Edi Rama përmendi se burokracia është i vetmi kundërshtar në rrugën e të dyja shteteve drejt anëtarësimit në BE.