«Korrupsioni për të ishte mënyrë e jetës, e motivonin vetëm ofertat e majme»: gjyqësia kroate dënon ish-kryeministrin Sanader me gjashtë vjet burg

Ivo Sanader do të vazhdojë të jetojë aty ku e ka vendin – në burg. Drejtësia kroate po tregohet e pakompromis kundër njërit prej hajdutëve më të mëdhenj të Kroacisë.

Ivo Sanader.



Gjykata Supreme e Kroacisë ka publikuar të enjten aktgjykimin më të ri kundër Ivo Sanaderit, ish-kryeministrit të Kroacisë, i cili tashmë është dënuar disa herë për korrupsion. Kësaj radhe Sanader është dënuar për përzierjen e tij në aferën Planinska. Ai është shpallur fajtor për marrjen e mbi 2,3 milionë eurove nga Stjepan Fioliqi, kasapi më i njohur i Kroacisë dhe ish-deputet i HDZ-së. Gjykata Supreme e Kroacisë ka konstatuar se instanca paraprake ka qenë tepër tolerante ndaj Sanaderit, andaj atij i është rritur kohëzgjatja e qëndrimit në burg nga katër vjet e gjysmë në gjashtë vjet.

Gjykata Supreme e Kroacisë konstaton se bëhet fjalë për një rast të rëndë të korrupsionit politik, të cilin i akuzuari e ka menduar vetë dhe në realizmin e këtij plani kriminal ka qenë tepër këmbëngulës. Bëhet fjalë për korrupsion si mënyrë e jetës, me ç’rast Sanader ka qenë i bindur se ushtrimi i funksioneve më të larta në shoqëri është bazë për pasurim dhe lakmi. Gjykata theksoi se si kryeministër Sanader ishte i interesuar vetëm për oferta të majme. I shtyrë nga interesat e tij egoiste ai ka shkelur vlerat themelore të shoqërisë, të cilat ka qenë i obliguar t’i mbrojë. Ky pasurim i paskrupullt e tij jo vetëm që dëmton shoqërinë materialisht, por dëmton edhe parimin e sundimit të ligjit.