Kopalla komandantësh

Të tjerët sjellin investitorë, hapin vende pune, integrohen në BE, udhëtojnë pa viza. E ne? Ne dëgjojmë muhabete mes «komandantëve» që janë bërë milionerë dhe tani flasin për marrëzitë e tyre heroike në luftë.

Foto: Shutterstock



Ramizi, Rexha, Remi, Rrusta, Rrahmani, Ramadani. Lufta, llafet, llomotia, llomështia, llumi. Njëherë foli Rexhep Selimi. Pastaj foli shkëlqësia e tij, diplomati dr. Ramiz Lladrovci, i cili, po të ecte bota mbarë, në vjeshtë do të zgjidhej sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara – në vend të atij kinezit Ban Ki-moon. Jo, s’qenka kinez, por korean. Jo verior, por jugor. Rendi do ishte që Ban t’ia lëshonte rrugën një diplomati nga Europa Lindore. Dhe kush tjetër është i denjë për këtë post përveç Ramiz Lladrovcit. Vetëm paramendojeni këtë figurë në East River. Me këtë udhë do të mund ta çonim ambasador në OKB edhe Rexhep Selimin. Kjo zgjidhje ka një të keqe: çfarë do bënte Teuta Sahatqija pastaj? Ajo tashmë i ka bërë gati valixhet për t’u zhvendosur në New York. Si konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës.

Ka një javë që opinioni i Kosovës zbavitet, terrorizohet, neveritet nga një debat mes komandantëve. Të vërtetë dhe të rrejshëm. Më shumë të rrejshëm. Fillimisht javën e kaluar, gjatë mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, ku si zakonisht s’mungoi gazi lotsjellës, britmat, kërcënimet, foli Rexhep Selimi. Diçka për luftën foli. Për tema që i di ai dhe shokët (dhe ish-shokët) e tij. Kandidati për president dukej se s’ndihej rehat. Andaj, si me urdhër të tij, nga Tirana përmes Facebookut, u hodh në kundërsulm shoku Ramiz. Mandej u përgjigj Rexhep Selimi, ish-ministri i Brendshëm i «Qeverisë së Përkohshme» të Hashim Thaçit. Në debat dha kontribut të çmuar, drejtpërdrejtë nga oda e tij, Gani Geci, i dyshuar për vrasje. Fliste Geci ndërsa oxhaku digjte ngadalë drutë. Ndërkohë kanë folur edhe «themelues» të tjerë të UÇK-së, duke bërë apel për të ulur tensionet, për të ndërprerë praktikën kur komandantët gjykojnë komandantët.

Vetëm tre njerëz nuk po flasin. S’po flet Adem Jashari, të cilin për ta tallur shokët e tij të rrejshëm e quajnë «komandant legjendar». Fjalori i gjuhës shqipe kështu e shpjegon legjendën: «Trillim që përhapet me qëllime të caktuara për dikë a për diçka; diçka që nuk i ngjan fare së vërtetës, diçka e pabesueshme».

Nuk po flet Zahir Pajaziri, i vrarë ende pa filluar lufta tamam.

Nuk po flet Mujë Krasniqi, i vrarë në një pritë të forcave serbe në kufi me Shqipërinë.

Por shokët e tyre të gjallë, të gjithë të shndërruar në milionerë falë shkathtësisë grabitqare, po flasin. E kanë shndërruar Facebookun në odë burrash gojëgjarpër. Bëhet fjalë për tradhti, për para, për prita, për pabesi. Si nuk i lejoi NATO gjithë këta burra ta çlironin Kosovën, Çamerinë, Çairin, Çorovodën? Sot do të jetonim të lumtur: me dr. Lladrovcin sekretar të OKB-së, me Rexhep Selimin sërish ministër të Brendshëm apo ambasador në OKB, me Gani Gecin kryetar të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, me dr. Remin në postin e rektorit të Universitetit të Prishtinës. Latën (po, po – atë deputetin e PDK-së) do të duhej ta kishim drejtor të Institutit Albanologjik. Ka logjikë kjo punë. Andaj lajmi i agjencisë shumë serioze kukunews: «Lladrovci akuzon Thaçin: Ia more Ademit motorin, nuk e ktheve 3 javë» tingëllon pafundësisht i vërtetë.

Tash seriozisht: ndërsa të tjerët në Ballkan sjellin investitorë, hapin vende pune, integrohen në Bashkimin Europian, udhëtojnë pa viza, ne dëgjojmë muhabete mes «komandantëve» që janë bërë milionerë dhe tani flasin për marrëzitë e tyre heroike në luftë. Edhe sa?

Ramizi, Rexha, Remi, Rrusta, Rrahmani, Ramadani. Lufta, llafet, llomotia, llomështia, llumi.

Ramizi, Rexha, Remi, Rrusta, Rrahmani, Ramadani. Lufta, llafet, llomotia, llomështia, llumi.

Ramizi, Rexha, Remi, Rrusta, Rrahmani, Ramadani. Lufta, llafet, llomotia, llomështia, llumi.

Edhe sa?