Kongresmeni amerikan i quan serbët «fundërrina» dhe «popull të tmerrshëm»

Republikani Tim Burchett nga shteti i Tennessee ka akuzuar Serbinë se nuk po bën asgjë për dënimin e kriminelëve të luftës.

Tim Burchett.



Pas seancës dëgjimore në Dhomën e Përfaqësuesve që u mbajt në fund të prillit, me ç’rast para kongresmenëve për krimet serbe në Kosovë dëshmuan ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, viktima e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi-Goodman, juristi amerikan, Paul Williams, dhe Ilir Bytyqi, vëllai i vëllezërve Bytyqi të vrarë në Serbi, kongresmeni republikan Tim Burchett postoi një videomesazh në Twitter.

Aty Burchett tregon se e ka takuar Atifete Jahjagën, të cilën e quan «zonjë të përzemërt» dhe thotë se me të ka diskutuar për «ato fundërrinat në Serbi, krimet e tyre të luftës, sidomos përdhunimet. Janë popull i tmerrshëm». Kështu i quan Burchett serbët.

Më tutje kongresmeni deklaron se me Jahjagën ka folur për krimet serbe në Kosovë. «Janë popull i tmerrshëm, tani të gjithë jemi duke menduar si t’i sjellim para drejtësisë. Sipas meje ata s’kanë fare kurajë të hetojnë krimet e luftës, por shpresoj se do t’i detyrojmë», thotë Burchett. Mbi videomesazhin e kongresmenit Burchett kanë raportuar edhe mediat serbe si Blic dhe B92.