Komuna e Gjilanit shpërndan 10 llaktofrizë për blegtorët

Blegtorët e Gjilanit kanë përfituar llaktofrizë për ruajtjen e kualitetit të qumështit nga projekti i Komunës së Gjilanit, respektivisht Drejtorisë së Bujqësisë që është bërë në bashkëpunim me qumështorën «KABI», për mbështetje të fermerëve dhe garantimin e vendeve të reja të punës.




Me këtë rast kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka uruar përfituesit e këtij projekti duke thënë se është krijuar një lidhje e fuqishme mes prodhuesit dhe kompanisë gjithëshqiptare «KABI» si përpunuese e produkteve të qumështit.

«Sot dhjetë familje, dhjetë fermerë janë pajisur me llaktofrizë si përfitues nga ky projekt me shumë rëndësi. Kështu është krijuar partneritet me këtë kompani dhe do të vazhdohet edhe më tutje. Ky është shembull i partneritetit dhe investimit të Komunës së Gjilanit me qumështoren «KABI», me qëllim të përfitimit kryesor, blegtorit tanë. Ne kemi jetuar nga mundi ynë, nga djersa dhe toka jonë, prandaj këto dhjetë familje që merren me blegtori dhe produkte të qumështit, janë vetëm suksesi i radhës. Ne do të vazhdojmë të mbështesim çdo familje bujqësore, në zhvillim dhe zgjerim të investimet», ka thënë Haziri, duke apeluar që të konsumohen produktet bujqësore që prodhohen në Gjilan, sepse janë me standarde të mira krahasimisht me prodhimet tjera që vijnë dhe ekspozohen për konsumatorët tanë.

Ndërsa drejtori i Bujqësisë dhe Pylltarisë i kësaj komune, Ramiz Ramadani, ka thënë se falë mbështetjes së pakursyer të kryetarit Haziri dhe qumështores «KABI», sot po implementohet projekti që mundëson grumbullim dhe ruajtje të kualitetit të qumështit për fermerët e Gjilanit, transmeton Koha.net.

«Me mbështetjen e fuqishme të kryetarit Haziri dhe në partneritet me qumështoren «KABI», sot po implementohet projekti për dhjetë llaktofrizë në vlerë prej 20 mijë euro, si bashkëfinancim për një lehtësim të punës së blegtorëve. Në këtë projekt jemi partner të barabartë, ndërsa, përfituesit kryesor janë blegtorët, sepse po u mundësohet ruajtja e kualitetit dhe garantimi i tregut që në Kosovë është me shumë rëndësi. Në këtë projekt do të përfshihen edhe bujq të tjerë duke dëshiruar që gjatë të ardhmes të krijohen mundësi më të mëdha që të punohet në këtë drejtim sepse është interes i zhvillimit dhe zgjerimit të qëndrueshëm të kapaciteteve prodhuese», tha Ramadani, duke potencuar se do të jemi mbështetës të fuqishëm gjatë gjithë kohës me qëllim të zhvillimit të bujqësisë.

Drejtori i qumështores «KABI», ka thënë se këto pajisje – llaktofrizë, janë të një rëndësie shumë të madhe edhe për ne si ndërmarrje por edhe për fermerët sepse është krijuar një lidhje e fuqishme e prodhimit dhe plasimit të produkteve të qumështit.

«Me këtë projekt po mundësohet që të krijohet lidhje edhe më e fuqishme mes fermerëve dhe neve si ndërmarrje. Me këtë ngritet edhe më shumë kualiteti i qumështit dhe produkteve tona. Gjithashtu me këto llaktofriz, mundësohet edhe rritja e krerëve të lopëve qumështore nga fermerët, por edhe mundësohet që të shtohen kapacitetet e qumështit, sepse qëndrueshmëria do të jetë më e madhe dhe kualiteti më i lartë, që ndikon pastaj edhe në pagesën më të mirë», ka thënë ai ndër të tjerash.

Ndryshe gjatë ditës së nesërme do të mbahet trajnimi për këta fermerë nga ora 14:00 në drejtorinë e Bujqësisë lidhur me përdorimin dhe mirëmbajtjen e llaktofrizëve.