«Kokat nëpër shekuj» për vuajtjet dhe klithjet e njerëzimit

Asnjë prej tyre nuk reflekton pozitivitet. Gojëhapur, duke klithur e me pjesë të mangëta, kokat përballen me njëra - tjetrën.




Disa duket se kanë për të thënë diçka, por nuk ka kush t’i dëgjojë e të tjerat e kanë marrë vesh se hasin në vesh të shurdhër dhe kanë zgjedhur që nëpërmjet pamjes të shpërfaqin gjendjen emocionale, shkruan sot «Koha Ditore». Pikturat e artistit Mervan Mustafa, që «personazh» kanë kokat, në përgjithësi vijnë të zymta por edhe kur janë përdorur ngjyra më të lehta gjendja emocionale mbetet e njëjtë.

Ekspozita «Kokat nëpër shekuj», që është hapur të enjten mbrëma në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, paraqet vuajtjet e njerëzve në kohë të ndryshme. Njeriu i keqtrajtuar zë vend në secilin punim.

Sipas piktorit Esat Valla, i cili është kurator i ekspozitës, artisti ka paraqitur psikologjinë e njerëzve, ndjeshmërinë, kalimet nga një fazë në tjetrën.

« është një tendencë bashkëkohore dhe individuale. Ky cikël i fundit njëkohësisht është hulumtues dhe eksperimental me koka të mëdha të inkorporuara me forma të mëdha. Të njëzet punimet janë të formateve të mëdha, që arrijnë deri në 155 me 135 centimetra.

Sipas tij, artisti e analizoi dhe e përdori kokën si pikësynim të tij duke paraqitur realitetin në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Vetë Mustafa, që është piktor e grafist, ka thënë se në ekspozitën e tretë personale shpalos një koncept të hulumtuar goxha gjatë. Ka treguar se ideja për realizimin e këtyre pikturave ka ardhur nga një realitet i hidhur që e ka përcjellë njeriun nëpër etapa të ndryshme kohore.

«Realisht edhe populli ynë është një popull që ka vajtuar shumë, por sot ka popuj që vazhdojnë të vuajnë», ka thënë Mustafa midis kokave që s’e ndalin klithjen.