Koalicioni AKR-VV është çështje ditësh

Lëvizja Vetëvendosje është në zgjerim e sipër të koalicionit lokal në Komunën e Prishtinës.




Pas koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Vetëvendosje pritet të nënshkruaj koalicion me Aleancën Kosova e Re, transmeton Koha.net.

Burime të Koha.net kanë bërë të ditur se si marrëveshje e këtij koalicioni është menaxhimi i dy drejtorive nga AKR. Sipas po të njëjtave burime thuhet se drejtoritë për të cilat është bërë marrëveshja janë ajo e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Drejtoria e Zhvillimit Lokal.

Qëndron Kastrati i Vetëvendosjes, në komunikim për Koha.net ka thënë se këto dy parti janë përafruar dhe se nënshkrimi i koalicionit është çështje ditësh.

«Në parim jemi në dakord, janë duke u diskutuar vetëm çështjet teknike. Si e kuptoj teknike unë janë edhe drejtoritë, edhe drejtorët, e kështu. Kjo është çështje ditësh, kryhet këtë javë», ka thënë Kastrati për Koha.net.

Pas këtij koalicioni, kryetari Shpend Ahmeti do të ketë përkrahjen e 24 asamblistëve, gjë që ende nuk e përbën shumicën brenda 51 anëtarëve të Kuvendit Komunal të Prishtinës.