Klinika e Onkologjisë përfiton donacion në vlerë 294 mijë euro

Klinika e Onkologjisë e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës ka përfituar një donacion prej 294,000 euro.




Donacioni përmban 200 ampula tastuzumab (Herceptinë R). Përdorimi i këtij produkti, sipas komunikatës zyrtare, do të ndikojë direkt në ofrimin e vazhdimësisë së mjekimit, përmirësimin e rezultateve e mjekimit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së pacientëve, transmeton Koha.net.

Kjo klinikë, sipas Ekrem Hysenit, drejtor klinike, brenda një ditë frekuentohet nga 200-300 pacientë të cilët marrin shërbime të ndryshme si; konsulta, mjekim paliativ, kimioterapi, radioterapi kurative dhe paliative dhe mbetet një nga klinikat më të ngarkuara.

«Numri i rasteve të reja ka një rritje të lehtë, por kolegjiumi mendon se kjo rritje ka të bëjë me rritjen e diagnostikimit dhe raportimit dhe shumë më pak me rritje reale të rasteve dhe Kosova është vendi me numrin më të vogël të rasteve të reja për një vit në Ballkan dhe Evropë», përfundon komunikata e Klinikës Onkologjike.