Kineastët «humbës» akuzojnë Qendrën Kinematografike për dallavere




Një regjisor i cili synon ta fitojë çmimin prestigjioz «Oscar», përfiton 1 milion euro nga Qendra Kinematografike e Kosovës për realizimin e tij. Por paratë me të cilat e kishte pasur në plan ta xhironte filmin i shpenzohen teksa jep ryshfet për zyrtarë të Ministrisë së Kulturës dhe institucione të tjera.

 

Në fund mbetet me aq para sa për të xhiruar veç skenën e fundit. «Albanian Oscar» është skenar për film të metrazhit të gjatë, të cilin skenaristi e regjisori Jeton Ahmetaj e quan «aktakuzë për korrupsionin brenda QKK-së dhe protestë artistike për këtë situatë», shkruan sot Koha Ditore.

Me të ai nuk ka arritur ta bindë jurinë e Qendrës Kinematografike të Kosovës në konkursin e sivjetmë për projekte filmike, rezultatet e të cilit u bënë të ditura të mërkurën. Të tilla janë edhe komentet e tij dhe të kineastëve të tjerë pas shpalljes së listës me 17 projektet filmike që kanë përfituar para nga buxheti i shtetit.

Juria në përbërje të kryesueses Fjolla Hoxha dhe anëtarëve Jean-Yves Roubin, Ndriçim Xhepa, Kujtim Rrahmani, Gjergj Xhuvani (e Sylejman Kllokoqi në mungesë), për subvencionim të filmave të metrazhit të gjatë ka përzgjedhur projektin «Shpia» me skenar e regji të Lendita Zeqirajt, «Vera e andrron detin» me skenar të Doruntina Bashës e regji të Kaltrina Krasniqit dhe producent Shkumbin Istrefin, dhe «Njeriu i dosjeve» me skenar të Arian Krasniqit e regji të Ismet Sijarinës. Për kooproduksion minor është përkrahur projekti «Freedom or Die» me skenar e regji të Vladimir Blazefskit me producent Agon Ukën. Edhe katër filma të gjatë debutues do të përkrahen nga buxheti i shtetit.

«Një tregim Prishtine» me regji të Burbuaqe Berishës e skenar të Getoarbë Mulliqit, «Vdekja e Hakiut» me skenar e regji të Anton Nrecajt e producent Adriatik Kelmendi dhe «Gjumi dhe dashuri» me skenar e regji të Arsim Halitit dhe producent Valon Bujupi, janë në mesin e fituesve në këtë kategori. Imer Mushkolaj, Arben Bajraktaraj, Eqrem Basha, Jahi Jahiu, Rebeka Qena, Hazir Haziri e Yll Çitaku kanë qenë anëtarët e jurisë që ka vlerësuar këto projekte, sikurse edhe ata për zhvillim të skenarit, ku janë përkrahur 4 projekte dhe po aq për dokumentarë. Për film të metrazhit të shkurtër dhe për animacion është përkrahur vetëm nga një projekt.

Por kineastë pjesëmarrës në konkursin ku ishin në garë fiks 65 projekte, kanë adresuar një varg akuzash në menaxhmentin e Qendrës Kinematografike të Kosovës pas publikimit të listës me fituesit e konkursit.

«Procesi s’mund të jetë në rregull derisa ekzistojnë ata drejtorë brenda. Të gjithë fimbërësit e dinë që aty asgjë s’funksionon sipas ligjit. Sistemi i kinemaografisë është i korruptuar deri në fund», ka thënë Jeton Ahmetaj, tek ka shtuar se ende pa u publikuar fituesit e ka pasur të qartë se projekti i tij nuk do të përkrahej.