Këtë tmerr në Shqipëri e ka prodhuar politika e lidhur me krimin e organizuar

A ka të drejtë Edi Rama, Lulzim Basha apo Ilir Meta? Kjo është pyetje e parëndësishme. E rëndësishme dhe fatale është se në Tiranë ka triumfuar krimi i organizuar. Shefat e vërtetë të Shqipërisë janë baronët e drogës që dirigjojnë politikanët.

Foto: Shutterstock



Bashkëjetesa 30-vjeçare e krimit të organizuar, demokratëve të rrejshëm, socialistëve aspak të gatshëm për të dënuar krimet komuniste, mbeturinave «intelektuale» dhe «publicistike», gjykatësve që merren me kontrabandë të drogës dhe kontrabandistëve të drogës që merren me emërim të gjykatësve dhe kërcënim të prokurorëve – krejt ky mishmash nuk mbeti pa pasoja për Shqipërinë. Kriminalizimi i jetës publike, infiltrimi i krimit në politikë, nepotizmi, plaçkitja e vendit, mungesa e çdo respekti për viktimat e komunizmit, avancimi i xhelatëve dhe poshtërimi i të shtypurve – të gjitha këto e kanë sjellë Shqipërinë në këtë situatë, në këtë qorrsokak.

Dy partitë kryesore (PS dhe PD) dhe partia e vogël (LSI) janë, në të vërtetë, vetëm filiale të grupeve të interesit jopublik. Këto grupe përbëhen nga kriminelë që i kanë të shtrira bizneset deri në Amerikën Latine. Atje janë bashkë shqiptarë të Shqipërisë dhe të Kosovës dhe të Maqedonisë. Është bërë pothuaj normale që trafikantët shqiptarë të vriten për punë droge në Vlorë, Sarandë – dhe në Amerikën Latine. Është bërë normale që askush të mos ndëshkohet. Ose të ndëshkohet sa për sy e faqe për të krijuar përshtypjen para botës perëndimore se po bëhet diçka në luftimin e krimit të organizuar, ndërkohë që nuk dihet a janë më kriminale njësitë policore apo baronët e drogës.

Kur politika dirigjohet nga krimi, atëherë nuk ka më institucione. S’ka Gjykatë Kushtetuese, s’ka autoritete publike, s’ka president të pakontestueshëm, ka kryeministër që gjithë ditën flet kopalla, dokrra, pallavra si të ishte personazh i rrëfimeve të Nonda Bulkës. Domethënë: s’ka kryeministër. S’ka as lider opozite, sepse mbi të rëndojnë krimet e së kaluarës. Nga Gërdeci deri te e ashtuquajtura udha e kombit.

Kur kanceri i krimit të organizuar gërryen institucionet më vitale të shtetit, atëherë zgjedhjet lokale apo parlamentare shndërrohen në dramë. Shpeshherë në dramë të përgjakshme. Në vend të kulturës së kompromisit kemi antikulturën e dhunës, urrejtjes, sabotimit. Në këtë situatë: a ka të drejtë Edi Rama, Lulzim Basha apo Ilir Meta? Kjo është pyetje e parëndësishme. E rëndësishme dhe fatale është se në Tiranë ka triumfuar krimi i organizuar. Shefat e vërtetë të Shqipërisë janë baronët e drogës që dirigjojnë politikanët. Nëse Lulzim Basha bëhet kryetar i Tiranës në një proces elektoral krejtësisht kriminal, tmerri vazhdon me Edi Ramën dhe sejmenët e tij, të cilët bisedat me bandat e krimit të organizuar i zhvillojnë me po atë vetëbesim si kur flasin me mamanë që ua ka blerë një akullore kur kanë qenë pionierë të shokut Enver.

Tash Rama rrah gjoksin se zgjedhjet e tij lokale po i mbështet një zyrtar amerikan. Basha dhe Meta thonë se e kanë mbështetjen e partisë së kancelares gjermane për të shtyrë zgjedhjet. Një mik i madh i shqiptarëve, kongresmeni Eliot Engel, thotë se Shqipëria meriton zgjedhje si vend anëtar i NATO-s. A po sillet Shqipëria si anëtare e NATO-s? Jo, për fat të keq. Dhe kjo shihet jo vetëm në këtë krizë, por edhe kur segmente mafioze të qeverisë dërgojnë në misione ndërkombëtare ushtarë të pakualifikuar që humbin jetën gjatë ushtrimeve për deminim. Pastaj këto viktima «nderohen» me ceremoni të shpifura nga Edi Rama thua se kemi të bëjmë me një ekspozitë koti të tij, për të cilën shkruajnë recesione të flashkëta gazetare naive perëndimore.

Edi Rama të dielën do të mbajë zgjedhje lokale në Shqipëri. Militantët e Lulzim Bashës do të përpiqen të pengojnë procesin, ndoshta edhe do të djegin ndonjë vendvotim. Shqipëria do të pësojë edhe një humbje të radhës. Sepse Shqipëria me këtë strukturë politikanësh nuk ecën përpara. Sepse këta nuk i përgjigjen popullit shqiptar, por bandave të Avdylajve, bandave të Gërdecit dhe bandave të Klement Balilave. E populli shqiptar? Ai që ka mbetur në Shqipëri duket i dëshpëruar dhe i dorëzuar dhe i pafuqishëm për të përzënë një nga një nga skena politike këta kusarë dhe për të krijuar një alternativë të re politike. Një alternativë që e meriton populli shqiptar – i shtypur, i vjedhur, i poshtëruar dhe i terrorizuar qe 30 vjet.