Kërcënuesit dhe hipokritët

Është e neveritshme nëse një kryeministër kërcënon një qytetar. Edhe më e neveritshme është nëse ai kërcënon e fyen një gazetar. Duhet protestuar kundër këtij mentaliteti të pushtetit. Por nuk duhet harruar se shumë gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile që po zemërohen tani gratis nëpër Facebook, vazhdojnë të heshtin për raste edhe më të rënda: vrasje, plagosje e kërcënime serioze të gazetarëve.

Foto: Shutterstock



I.
Nuk ka asnjë dilemë: një kryeministër i një vendi që pretendon të jetë demokratik nuk bën assesi të kërcënojë një gazetar, as ta ofendojë atë. Sipas gazetarit Vehbi Kajtazi i pari i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, e ka bërë pikërisht këtë. Me fjalë vulgare Mustafa thuhet se ka protestuar kundër një teksti që tregonte se vëllai i tij ka kërkuar azil në vendet perëndimore, ku, me gjasë, kishte shkuar edhe për trajtim mjekësor. Në një intervistë me Radion «Europa e Lirë» kryeministri Isa Mustafa ka përgënjeshtruar se ka kërcënuar gazetarin: «Ajo që kam pasur për të thënë në këtë situatë, është ajo që kam dhënë në Facebook dje, aty i kam dhënë qëndrimet, dhe asnjë rast tjetër nuk e kam shfrytëzuar as të kërcënoj, as të fyej dikë». Tash do të ishte mirë që këtë përleshje deklaratash e kërcënimesh ta sqarojnë organet e drejtësisë. Nëse Mustafa nuk e thotë të vërtetën, kjo do të ishte fundosje përfundimtare e kredibilitetit të tij edhe ashtu të dëmtuar publik.

II.
Ndërsa vëllai i Isa Mustafës përpiqej të shfrytëzonte sistemin gjerman të azilit për të gëzuar kujdes të besueshëm shëndetësor në spitalet gjermane, në pothuaj të gjitha partitë e Kosovës ka politikanë që janë aq të pasur, saqë mund të paguajnë sigurim të shtrenjtë shëndetësor në vendet perëndimore dhe kur sëmuren pa një pa dy vjen ekstra avioni nga Zvicra dhe i merr në Aeroportin e Sllatinës. Ashtu si sheikët e vendeve arabe edhe sheikët tanë sistemohen, trajtohen e shërohen në klinikat më të mira zvicerane dhe gjermane – natyrisht me paratë tona. Pak hulumtim në këtë drejtim do ta plotësonte temën që u hap me vëllain e Isa Mustafës. Ai duket se nuk ka bërë asnjë krim, për dallim nga të fortit e vendit që me taksat tona i trajtojnë zemrat, mushkëritë, gjunjët, veshkat dhe mëlçitë e tyre nëpër klinika në Zürich, Vjenë, Berlin, Gjenevë, München.

III.
Sa i përket privatësisë, për të cilën po ashtu u diskutua aty-këtu në Kosovë: politikanët e nivelit të lartë nuk gëzojnë të njëjtën të drejtë si qytetarët e zakonshëm në lidhje me privatësinë e tyre. Kush kërkon besimin e zgjedhësve duhet të pajtohet se edhe zgjedhësit dhe mediat kanë të drejtë të hulumtojnë në jetën e tij private dhe në rrethin familjar. Kjo mund të duket e padrejtë, por kështu është dhe këtë do t’ua thotë gati çdo jurist i të drejtës mediale në Perëndim. Natyrisht edhe gjurmimi në jetën private të një politikani ka kufi. Nëse gazetarët e kalojnë këtë kufi, atëherë politikanët mund të kundërshtojnë duke angazhuar drejtësinë. Shpeshherë kjo është kundërproduktive, sepse në gjykatë mund të provohet se së paku gjysma e thashethemeve që janë përhapur nga një medium mund të jenë të vërteta.
Kryemjeshtër i heshtjes dhe injorimit të llafeve për jetën private ka qenë presidenti francez François Mitterrand. Mbi të kanë qarkulluar legjendat më të pabesueshme: afera e lidhje seksuale, dashuri të zjarrta, skandale korrupsioni, një vajzë jashtëmartesore. Mitterrand të gjitha këto lajme i ka shikuar me indiferencë prej sfinksi. Ai e dinte se diçka edhe ishte e vërtetë, për shembull vajza e tij jashtëmartesore.
Isa Mustafa ka mundur ta injorojë lajmin ashtu si Mitterandi. Ose ta kthejë në lajm pozitiv dhe të thotë: «Edhe unë si kryeministër dhe familja ime ndajmë fatin e popullit». Por Mustafa, mes shumë të metave, i ka edhe këto dy: nuk mund ta kontrollojë karakterin e tij grindavec dhe nuk ka ekip që raportin me opinionin publik ia rregullon në mënyrë profesionale. Andaj e paguan çmimin. Dhe le ta paguajë.

IV.
Ndërkohë mund të zhvillohet një debat tjetër për hipokrizinë e gazetarëve dhe aktivistëve të shoqërisë civile kosovare. Ndërsa vërehet një mobilizim për të dënuar kërcënimet në rastin e fundit, shumë gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile vazhdojnë të heshtin për raste edhe më të rënda: vrasje, plagosje e kërcënime serioze.
A ka kërkuar ndokush gjatë gjithë këtyre viteve zbardhjen e rrethanave të plagosjes së gazetares së “Kohës Ditore”, Fatmire Tërdevci? Jo. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vitin 2004. Tani jemi në vitin 2016. Dosja e koleges sonë të dikurshme është zhdukur komplet nga ana e policisë dhe rasti nuk ka shkuar kurrë në prokurori. Policia nuk ka kryer madje as hetimet themelore.
A shprehet solidaritet me Xhemail Mustafën dhe a kërkohet zbulimi i vrasësve të tij së paku në përvjetorin e krimit? Jo. Për çdo vit rituali i njëjtë: kurora e llafe nga disa anëtarë të kryesisë së LDK-së, shumë lot nga familjarët dhe një publik që qëndron indiferent. Brigadat e zemëruara të Facebookut heshtin. Kush ishte Xhemail Mustafa? Gazetar, koleg yni, njeri i urtë, kritik letrar, patriot. U vra pas luftës para banesës së tij.
A shprehet solidaritet me Shefki Popovën dhe a kërkohet të kapen nga drejtësia vrasësit e tij? Jo. Shefki Popova ishte gazetar i “Rilindjes” dhe punonte në Vushtrri. U vra pas luftës.
A ka dëgjuar ndokush nga gazetarët e Kosovës për gazetarin Ismail Bërbatovci? Sipas familjarëve të tij ai është zhdukur më 23 korrik 1998 në bazën e UÇK-së të Zonës së Nerodimes – dhe sot e asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tij.
Kurrë nuk janë dëgjuar të flasin për këtë rast apo raste të tjera shoqatat e gazetarëve, opinionistët që hiqen si instanca për interpretimin e së vërtetës, aktivistët e shoqërisë civile.
Andaj mbrojtja që i bëhet sot Vehbi Kajtazit ka nuanca të mëdha hipokrizie, sepse po heshtet prej vitesh për krime edhe më të mëdha. Secili gazetar i kërcënuar, përfshirë edhe Kajtazin, duhet mbrojtur duke e parë tablonë e plotë. Dhe kjo tablo është e njollosur me shumë krime, të cilat nuk po i zbardh askush dhe me gjasë ndonjë vrasës edhe do ta lexojë këtë shkrim dhe do të kënaqet së qeshuri. Pse jo? Madje vrasësi mund të shkruajë anonim në ndonjë portal të sapothemeluar nga strukturat e pushtetit, sepse – edhe kjo është mjaft indikative – sa më shumë që po afrohet fillimi i punës së Gjykatës Speciale, aq më shumë po rritet numri i portaleve pa adresë, të cilat funksionojnë si fabrika për prodhim të baltës së ambalazhuar me etiketa patriotike.