Katedralja ku përplaset feja me politikën

Me emrin e saj, katedralja ortodokse në Tiranë, «Ngjallja e Krishtit», pos frymës fetare përthekon edhe një copë historie të Shqipërisë komuniste, kur feja ndalohej me ligj. Por në një tjetër kontekst, ajo shpalos edhe peizazhin e së sotmes, pasi jo rrallë prijësi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare akuzohet se po bën politikë me fenë

Foto: milosk50 / Shutterstock.com



Një grup të rinjsh që ngjiten shkallëve të mermerta para hyrjes së Katedrales Ortodokse në Tiranë ia ndërron goxha shumë çehren priftit ortodoks Nikolla Kodheli. Klerikut, që tash e tre vjet dy ditë të javës i kalon në objektin kryesor kishtar të ortodoksëve shqiptarë, i qeshet fytyra. Gëzohet edhe më kur merr vesh se ata vijnë nga Librazhdi.

«Të rinj nga Librazhdi. Është gjë e madhe kjo», thotë Kodheli, që mban të veshur veladonin e zi priftëror. Veshja komplete deri në fund të këmbëve mban të njëjtën ngjyrë sikur flokët e Kodhelit, që i ka të lidhur prapa kokës.

«Mirë se erdhët në katedralen ‹Ngjallja e Krishtit›», është fjalia që thotë para se të prezantohet. Krejt historia e ndërtimit të Katedrales nis ende pa u futur brenda.

«Ngjallja e Krishtit» për ngjalljen e fesë

Muhabeti i priftit me vizitorët fillon prej emrit që ka objekti fetar dhe simbolikat që e plotësojnë atë. Për emrin, Kodheli thotë se u përshtatet dy ngjarjeve të mëdha.

«Katedralja ‹Ngjallja e Krishtit› i është kushtuar ngjarjes më të madhe të krishterimit, ngjalljes së Krishtit. Është në formë rrethi. I ngjan kishës së vogël të Shën Sofias në Stamboll, e cila është ndërtuar nga Konstandini i Madh në shekullin VI, kurse kisha këtu është ndërtuar nga kryepeshkopi Anasatas në shekullin XXI», thotë ai. Sipas tij, Kisha Ortodokse Shqiptare rilindi pas komunizmit.
«U ringjall nga varri që e kishin groposur disa njerëz që kishin menduar ta groposnin Zotin, por groposën veten e tyre», thotë Kodheli. Në ballë të Katedrales që ka dyer të bronzta hyrja është harkore. Prej aty, shërbyesi thotë se objekti fton besimtarin të futet në Kishë.

«Po të shikosh këtë harkun është sikur me krahë të hapur të dikujt që fton njeriun brenda», thotë Kodheli. Poshtë harkut është një tjetër i tillë me ngjyrë të kaltër, ku janë të vendosura dy radhë dritaresh. Kryqi ngjyrë ari që rrethohet nga dy kallinj gruri me të njëjtën ngjyrë është i vendosur po ashtu në pjesën e përparme të objektit menjëherë mbi dyer kryesore. Krejt rrëfimi për ringjalljen e Krishtit dhe të fesë në Shqipëri përthekohet simbolikisht në këto dy elemente të bronzta ngjyrë ari.

«Gruri është simbol i jetës. Bie fara, nga një farë bëhet një kalli. E thotë Zoti në Ungjill se kokrra e grurit bie të kalbet dhe të vdesë, e pastaj nga ajo bëhet një kalli», shpjegon Kodheli me pasion. Sipas tij, edhe kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatosi, ka dashur që kryqi të jetë në ballë të objektit si simbol i krishterimit e i Zotit Krisht që u kryqëzua e pastaj u ngjall. Prapë Kodheli e kthen muhabetin tek ringjallja e fesë në Shqipëri.

«Katedralja i është kushtuar si ngjarje ngjalljes së Krishtit, ngase kisha jonë pas vitit 1990 u ringjall pas asaj që kaloi në diktaturën komuniste. E kryepeshkopi ia kushtoi ngjalljes. Andaj dhe kjo ikonë është simbol i ngjalljes», thotë ai, teksa tregon se në vitin 1967 regjimi komunist kishte rrënuar kishën ortodokse për të ndërtuar hotelin «Tirana International Hotel», që njihet si «Pesëmbëdhjetëkateshi». Katedralja në rrugën «Ibrahim Rugova» është në qendër të kryeqytetit shqiptar. Përballë objektit të kultit është «Shtëpia e gjetheve», që deri me shembjen e komunizmit kishte pasur funksionin e shtëpisë së përgjimeve në kuadër të Sigurimit të shtetit shqiptar. Asokohe ishin ta ndalura me ligj dhe Kushtetutë feja e Zoti. Sistemi komunist në Shqipëri me në krye diktatorin Enver Hoxha rrënonte objektet e kultit. Që nga viti 1967 kishte filluar rrënimi i objekteve qindravjeçare.

Feja në Shqipërinë komuniste konsiderohej si «opiumi i popullit». Propaganda ndërtohej mbi atë se «njerëzit e panë të vërtetën me sy dhe panë gënjeshtrat fetare me shpifjet e pafundme». Me demokratizimin e shtetit shqiptar feja u njoh edhe nga autoritet administrative të Republikës. Prej atëherë u ndërtuan shumë tempuj fetarë dhe klerikët që gjatë diktaturës kishin detyra të rëndomta morën u ritransformuan në prijës shpirtërorë të besimtarëve. Shembull tipik i kësaj është Haxhi Baba Reshat Bardhi. Në komunizëm kishte punuar si ujësjellës, por me t’u shembur perandoria komuniste, Bardhi tashmë i ndjerë veshi petkun e kryegjyshit të Kryegjyshatës Botërore të Bektashizmit me seli në Shqipëri.

Falë demokracisë rrezet e diellit e bëjnë të shkëlqejë fort kryqi i Katedrales. Me lejen e Bashkisë së Tiranës, që asokohe udhëhiqej nga Edi Rama, tash kryeministër, ndërtimi i Katedrales kishte filluar në vitin 2005 dhe u finalizua më 2012. Katedralja kishte funksionuar e pashenjtëruar për dy vjet.

«Deri më 2014, kur më 1 qershor u mblodhën pothuajse të gjithë primatët e kishave ortodokse në botë dhe u shenjtërua», rrëfen Kodheli.

Ikonat prej ari

Kambanorja që zë vend në këndin e majtë të Katedrales «mbahet» nga katër shtylla, që simbolizojnë po aq qirinj. Llambat ndizen natën dhe janë simbol i katër ungjillorëve që përçuan fjalën e ungjillit kudo në botë. Kurse ora e re me dizajn të vjetër është kopje e Sahatit të Kishës së vjetër, që nuk i rezistoi dot njërës nga diktaturat më të egra të Evropës. Krejt në hyrje në të djathtë dhe në të majtë të objektit është vendi ku besimtarët ortodoks vendosin qirinjtë. Në dy enë të hekurta ka rërë për të vendosur qirinjtë.

«Qiriri e ka simbolin e një dhurate që ofrohet ashtu si drita. Zjarri djeg çdo gjë të pistë dhe njeriu i përkushton perëndisë qiririn si një dhuratë për mëkatet e tij dhe si një dritë për ndriçimin e tij», shpjegon Kodheli. Praktikisht këtë gjë e bën edhe Paskali. I riu flokëverdhë vendos tre qirinj. Duket goxha i përkushtuar, sepse pas këtij veprimi mbyll sytë dhe nga lëvizjet e buzëve vërehet se është duke iu lutur Zotit.

«Jam i përjavshëm në kishë, por kur kam kohë vij edhe më shpesh. Ndjenja është e veçantë kur i lutesh Zotit. Falë Zotit Krisht tashmë një vepër madhështore të kultit e kemi edhe në Tiranë», thotë ai derisa hedh hapin e fundit për t’u larguar nga Katedralja që ishte projekt arkitektonik i zyrës «Papadatos Partnership LLP Architects» nga New Yorku. Llojllojshmëria e ngjyrave është ajo që tërheq vëmendjen e vizitorëve qysh në shikim të parë. Kupola nga brenda është e dekoruar nga një mozaik gjigant. Kodheli tregon se është punuar nga njëri ndër autorët e mozaikëve të Muzeut Historik Kombëtar.

«Kryepeshkopi deshi një njeri që ishte shqiptar, me qëllim që paratë të mbesnin brenda vendit. Edhe ndërmarrja ndërtuese ka qenë shqiptare, që po ashtu paratë të mbesnin brenda vendit», shpjegon ai. Në qendër të mozaikut janë Krishti dhe emri i tij në greqisht «Isus Kristos». Sipas klerikut, Zoti ka dorën që bekon, aureolën rreth kokës, tre yjet dhe librin e jetës që është Ungjilli.

«Ky është i gjithëpushtetshmi. Në atë hapësirë vendoste gjithmonë Zoti i gjithëpushtetshëm dhe ngjyra e kaltër që simbolizon qiellin», shpjegon Kodheli. Kupola ka po ashtu 52 dritare që simbolizojnë 52 javët e vitit. Bëhet fjalë për kohën dhe mbi të është Zoti. Rreth kupolës ka shumë harqe. Prifti thotë se ato kanë motive shqiptare nga tërë rajoni. Ngjyra e kuqe, sipas tij, ka motive të qilimit. Një shqiponjë e bardhë me dy koka është e punuar në mermerin e dyshemesë në mes të objektit. Sipas klerikut, edhe ajo simbolizon shqiponjën dykrenore si simbol shqiptar, edhe pse nuk duket edhe aq. Në një këmbë që prifti i thotë dorë shqiponja mban botën e në tjetrën librin. Tri harqe me pëllumba e plotësojnë mozaikun e përgjithshëm të punimeve artistike të objektit.

«Kemi 12 pëllumba që simbolizojnë 12 apostujt me një ylber që është besëlidhja që ka lidhur Perëndia pas përmbytjes së Noas, ku i tha që nuk do ta përmbysë më. Si shenjë e besëlidhjes është ylberi. Noa ishte një profet në Dhiatën e Vjetër», shpjegon Kodheli, që shton se të dielave Katedralja me kapacitet prej 1 mijë ulëseve është përplot me besimtarë. Karriget e klerikëve dallojnë me ato të besimtarëve që nuk kanë funksion administrativ në komunitet. Në atë që bie lehtë në sy është e gdhendur shqiponja dykrenore që mban edhe stemën mbretërore. Është edhe hardhia si simbol i jetës.

«Këtu ulet vetëm kryepeshkopi ose episkopi. Kryepeshkopi është i pari i episkopëve. Kanë të njëjtën gradë priftërore, por nuk kanë të njëjtën gradë administrative. Në rast se nuk është kryepeshkopi, ulet episkopi», shpjegon kleriku pranë karriges së drunjtë që gjendet përballë atyre të besimtarëve. Ato të funksionarëve fetarë janë të punuara me mermer të nxjerrë nga ishulli e Inosit nga mjeshtrit me emër në Greqi. Edhe ikonat janë të punuara në shtetin që Shqipëria e ka fqinj jugor. Krejt muri ku janë të vendosura ikonat quhet ikonostas. Ajo janë punuar në malin e shenjtë Athos të Greqisë.

«Në të parën është Krishti e pastaj vijnë shenjtoret. Pastaj vjen Virgjëresha Mari që lindi Krishtin. Më pas Shën Juan Pagëzori, që erdhi para Krishtit që të çonte mesazhin e Krishtit», shpjegon ai. Në radhë janë ikonat e tre hierarkëve apo mësuesve të mëdhenj të kishës, Vasislit të Madh, Gregorit dhe Jangos. Tutje portretizohen apostull Pavli dhe Pjetri. Pavli sipas Kodhelit kishte kaluar edhe në Portin e Madh të Durrësit teksa lëvizte nëpër Iliri. Në radhë është Shën Lefteri, episkopi i parë i Vlorës, i cili në shekullin II ishte dërguar nga Papa në Shqipëri.
«E kemi edhe Shën Anastasin për nder të kryepeshkopit Anastas. Pastaj kemi një shenjtore grua që është Shën Katerina, dëshmore e madhe në shekullin II nga Siria, Shën Kozmai dhe Shën Mikhaili. Shën Kozmai u martirizua në shekullin XVIII në Myzeqe në fshatin Myjalli të Fierit. Ky ishte prift ortodoks, i cili ruajti një masë të madhe të të krishterëve ortodoksë nga islamizimi i asaj epoke», shpjegon Kodheli. Një detaj i ikonave është se emri i shenjtorëve, pos në shqip, është i shkruar edhe në greqisht.

«Gjuha e vjetër është greke, por lart e kemi edhe në shqip. Gjuha origjinale, kur qysh në shekullin IV u zhvillua arti kishtar, është ajo greke që nga Konstandini i Madh. U zhvillua në kulturën helene. Ikonat janë të mbështjella me material floriri», shpjegon Kodheli, i cili nuk preferon t’i përmendet mbiemri kryepeshkopit Anastas Janullatos. E quan thjesht kryepeshkopi Anastas.

Gjuha si mollë sherri

Shefi grek i Kishës Ortodokse Autoqefale në Shqipëri, kryepeshkopi Anastas Janullatos, shpeshherë është kritikuar për instalimin e zakoneve greke tek ortodoksët shqiptarë. Mollë sherri për t’u ngritur një debat i madh ishte bërë edhe fjalimi i tij gjatë meshës kryesore të Pashkëve në prill të këtij viti. Janullatosi pos një mesazhi të shkurtër në shqip që transmetohej nga televizionet, gjatë meshës u ishte drejtuar të pranishmëve në greqisht. Kleriku që shpeshherë konsiderohet si njëri që po e greqizon Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, nëpërmjet fjalimit të tij kishte nxitur edhe reagime të njerëzve me ndikim në jetën publike shqiptare. Deputeti socialist e shkrimtar Ben Blushi i ishte drejtuar atij me një letër të hapur.

«Pse Anastasi flet greqisht në një meshë shqiptare? Pse duhet t’i mësojë shqiptarët në greqisht? Pse greqishtja ka epërsi ndaj shqipes për të ndarë të mirën dhe të keqen që predikon Kisha e krishterë? Sa shqiptarë kuptojnë greqisht dhe a duan ata të meshohen në një gjuhë që nuk e dinë dhe nuk kanë arsye ta mësojnë vetëm për një natë Pashke apo Krishtlindjesh?», janë ndër pyetjet që kishte ngritur Blushi, partia e të cilit tashmë udhëheq me shtetin shqiptar. Blushi kishte shkruar se përse Zoti, që, siç ka thënë Blushi, nëse ekziston, nuk i thotë kryepeshkopit se duhet t’u flasë shqiptarëve në gjuhën e tyre siç ndodh me gjithë ortodoksët e tjerë në Ballkan. Deputeti i zonës zgjedhore të Elbasanit ishte shprehur se kishte takuar kryepeshkopin Anastas vetëm disa ditë pasi erdhi në Shqipëri, në vitin 1992.

«Besoj se ai ka pasur të paktën 23 vjet kohë për ta mësuar gjuhën tonë. Kryepeshkopi njeh perfekt katër apo pesë gjuhë, në të cilat mund të meshonte lehtësisht, përveç greqishtes, që është gjuha e tij amtare dhe unë nuk kam asnjë dyshim se ai ka pasur jo vetëm kohën e mjaftueshme për ta mësuar shqipen, aq sa për të mbajtur dy mesha të rëndësishme në vit, dhe prandaj nuk më bind kokëfortësia e tij për të folur greqisht natën e Pashkës…», kishte shkruar, ndër të tjera, Blushi.
Por Kodheli me ngulm mbron të parin e Kishës Ortodokse në Shqipëri. Thotë se e para e punës, kryepeshkopi është grek. Pranon se ai flet shqip. Por thotë se greqishtja është gjuha që Janullatosi e di më së miri.

«Një primat nuk bën të gërmezojë. Duhet të flasë rrjedhshëm. Është primat, nuk bën të belbëzojë. Mesazhin e vogël për televizionet e jep në shqip. Ai bën një mesazh gati 7 minuta në shqip. Edhe Papa mesazhin e jep në gjuhën që e zotëron më së miri. Kisha Ortodokse nuk funksionon në varësi të nacionalizmit. Një është Zoti, një është edhe kisha», thotë Kodheli. E për rastin e Blushit thotë se bëhet fjalë për njerëz që nuk i përkasin asnjë komuniteti. Për Kodhelin, çiftet e zërave të tillë janë njerëz që duan të spikasin.

«Kanë probleme me veten e tyre. Nuk bien në sy dhe thonë si të bie në sy, të godas dikë që të më dëgjohet zëri», thotë ai në Katedralen që në bodrum ka një amfiteatër të madh me kapacitet prej 800 karrigesh. Kompleksi ka edhe një amfiteatër veror më të vogël. Kodhelit nuk i pëlqen fort muhabeti i përplasjeve. Thotë se bashkëjetesa fetare në Shqipëri është shumë e mirë. Pranë Katedrales është një kishë e vogël, ngase Krishti lindi pastaj u ngjall.

«Pra, kemi lindjen pastaj ringjalljen. Pranë një katedraleje shumë të madhe kemi gjithmonë një kishëz të vogël», thotë ai. Është vetëm një hapësirë ku nuk mund të kenë qasje vizitorët e as besimtarët. Pjesa pas ikonostasit quhet «Hierore». Kodheli tregon se aty shërbejnë vetëm priftërinjtë. Sipas tij, së pari bëhet predikimi, pastaj klerikët futen prapa syve të besimtarëve «për të bërë misterin». Aty gjendet një ikonë e Krishtit pas ngjalljes që i urdhëron të gjithë nxënësit që të shkojnë në gjithë botën dhe të predikojnë fjalën. Krishti aty portretizohet bashkë me 12 apostuj. Prifti, sipas Kodhelit, është një lloj ndërmjetësuesi midis njeriut dhe Zotit.

«Ndërmjetësues, përçues dhe shenjtërues», thotë ai. Por prifti, edhe pse ndërmjetësues e shenjtërues, i vë kufij besimtarit. Pjesa e misterit mbetet gjithnjë e tillë, edhe pse gjithë jetën kleriku ka vendosur ta kalojë në shërbim të besimtarëve dhe të Zotit.