Kardiokirurgjia, edhe një javë pas rihapjes, ende s’është gati për pacientë

Përpjekja për ta rifunksionalizuar klinikën më të përfolur, atë të Kardiokirurgjisë, duket se ka entuziazmuar drejtues institucionesh aq sa të mos i mendojnë të gjitha detajet e jetësimit të këtij projekti.




Madje, ishte vet ministri i shoqëruar nga shumë vartës të tij, që një javë më parë vizitoi klinikën, për të dhënë kështu mesazhin se këtu u rihapen dyert për pacientët, raporton KTV.

Por, këta të fundit do të duhet të përgatisin dosjen me analiza para se të drejtohen që të marrin këtë shërbim në institucionin publik shëndetësor, pasi aty do të jetë e pamundur.

Kjo pasi në QKUK, krahas disa analizave që radhiten në grupin e atyre që kushtojnë shtrenjtë, nuk mund të bëhet as ajo e Troponinës, pa të cilën nuk mund të kryhet asnjë intervenim në zemër.

Veseli tha se është hap i pamenduar mirë rihapja e kësaj klinike, pa u konsultuar të gjithë profesionistët, derisa thekson se si bord drejtues janë lënë anash.

Ndërkohë, ekipi shëndetësor i kësaj klinike gjatë ditës është parë të bëjë punë teknike, derisa aty u pa edhe stafi i servisimit.

E drejtues të këshillit njëjtë sikur edhe kardiokirurgët nuk kanë dashur të prononcohen për televizionin, por kanë thënë se janë në hapat e fundit të përgatitjes, transmeton Koha.net.

Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë të institucioneve shëndetësore e rifunksionalizojnë me pompozitet këtë shërbim, duke u lavdëruar se kanë arritur të ofrojnë këtë shërbim për qytetarët, por që këta të fundit në fakt vazhduan të paguanin shuma të majme parash, pasi projekti mbeti vetëm në letër e premtim i papërmbushur.