
Kam bredhur shumë rrugë,
shumë shtigje kam çelur
kam lundruar njëqind dete,
njëqind lumenj kam hedhur.
Dhe në çdo anë kam parë
vargan të trishtë të mjerësh,
kokëfortë e vetullvrenjtur,
sarhoshë me hijet sterrë.
Çdo gjë, çdo gjë mund të bëjmë,
shohin heshtur dhe e pandehin
veten të zgjuar, se s’pinë
verë e raki në tavernë,
avdallë që venë e vijnë
dhe tokën e mbytin me erë…
Pastaj kam parë gjithandej
njerëz që vallen e heqin
kur mundin, edhe lërojnë
atë pëllëmbë tokë të keqe.
Kur venë në ndonjë vend,
S’pyesin ku venë aspak.
Kur shkojnë, shkojnë kaluar
mbi shpinë të mushkave plaka.
S’dinë ç’është të nguturit
as dhe në ditët e festës.
Kur ka verë- pinë verë,
kur s’ka verë- ujë të freskët.
Janë njerëz të mirë që gjallojnë,
punojnë e ëndrra shohin,
dhe një ditë, si gjithë të tjerët,
zbresin nën tokë e pushojnë.
Përktheu: Aurel Plasari