James Rubin: Pasi i premtova se do t’i telefonojë Clintoni, Thaçi tha: «Po, të nënshkruajmë tash»

Ditët dramatike në Rambouillet dhe Hashim Thaçi duke ëndërruar Hollywoodin: James Rubin, zëdhënës i sekretares së shtetit Madeleine Albright, përshkruan ditët vendimtare për Kosovën në Kështjellën franceze. Detaje nga libri i James Rubin «Si e fituam luftën – kujtimet e një protagonisti nga Rambouillet deri në fund të luftës në Kosovë», Klan, 2000.

James Rubin.



Milošević refuzoi të vijë në kështjellë dhe në vend të tij dërgoi Presidentin e Serbisë, Milan Milutinović, dorën e tij të djathtë. Në anën tjetër, shqiptarët kurrë më parë nuk kishin operuar si një grup koherent. Ata e zgjodhën më të riun, liderin e panjohur të UÇK-së, Hashim Thaçin, udhëheqës të delegacionit të tyre. Ne as që e kishim idenë se kush ishte ai.

Jim O’Brien, i cili për një kohë të gjatë ka qenë ndihmës i (sekretares së shtetit Madeleine) Albright-it dhe njëri nga negociatorët tanë kryesorë, i rrëfeu asaj se personaliteti kryesor i delegacionit të politikanëve, gazetarëve dhe intelektualëve shqiptarë ishte Hashim Thaçi, lideri i krahut politik të UÇK-së. Ajo për të parën herë u takua me të në një dhomë të vogël, të fshehtë, në bodrumin e kështjellës së ftoftë. Thaçi filloi të flasë së pari për respektin e thellë që personalisht ndjente ndaj sekretares Albright. Ai madje kërkoi të fotografoheshin së bashku. Albright ishte shumë e gjallë gjatë bisedës që bëri me të dhe i tha: «Shpresoj që ju të bëheni Gerry Adams i Kosovës dhe të zgjidhni paqen kundrejt luftës së vazhdueshme dhe terrorizmit». Thaçi më përshëndeti jashtëzakonisht ngrohtë.

Pasi e tërë strategjia amerikane për t’i bërë presion Milošević-it tash varej nga ky kryengritës misterioz, Albright më tha të punoja me Thaçin. Pjesa tjetër e delegacionit shqiptar tashmë e kishte bërë të ditur se ata do ta përkrahnin çdo gjë që vendoste ai. Nëse ai pajtohej, ne mund të vazhdonim. Nëse jo, ne duhet përsëri të ktheheshim nga pika e parë, prej atje ku ishim nisur. Thaçi dhe unë shëtisnim nëpër kompleksin e kopshteve me skulptura të kështjellës. Pimë kafe së bashku në dhomën që ishte dedikuar për të drekuar. Bisedonim nëpërmjet përkthyesit për filmat amerikanë, për modën italiane, për gjithçka që më binte ndërmend. I tregoja se si kisha punuar me mediat dhe për lidhjet e Amerikës me disa nga personalitetet më të njohura demokratike të Bosnjës. Ai më rrëfente se si kishte filluar si një lider i protestave studentore, mirëpo pastaj ishte zhgënjyer nga të gjitha ato dhe kishte ndihmuar në formimin e UÇK-së. Në tërë atë kaos të ministrave të Jashtëm, të diplomatëve dhe të zyrtarëve ushtarakë aty brenda, dhe të gazetarëve që prisnin jashtë, ne zhvilluam njëfarë miqësie. Thaçi ishte i ri, nervoz, dhe shumë herë na thoshte se frikësohej se serbët do ta vrisnin po të mundnin. Ai madje u kishte thënë gazetarëve se do ta vrisnin mu aty, në kështjellë. Unë i thashë atëherë se deklaratat e tilla vetëm do të bënin që ai të dukej paranoik. Shqiptarët e tjerë shpesh herë nuk pajtoheshin me të, duke thënë se ai ishte tepër emocional dhe i papërvojë. Ndoshta edhe ishte ashtu, por prapë ata nuk do të merrnin asnjë vendim pa të.

Takim pas takimi me delegacionin shqiptar, Albright argumentonte me emocione që sa vinte e shtoheshin, duke i ftuar ata që të gjykonin duke u bazuar në mësimet nga historia, nga respekti për ShBA-të dhe nga situata e vështirë dhe e pafuqishme në të cilën ndodheshin. «A nuk e kuptoni se pa këtë marrëveshje nuk do të ketë forca ajrore të NATO-s, nuk do të ketë forca tokësore të NATO-s dhe serbët do të vrasin e masakrojnë popullin tuaj?» pyeste ajo. Në fund i erdhi radha Thaçit dhe ai nuk ndryshoi qëndrimin. Pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, privatisht, na kishin thënë se ata janë të gatshëm të pajtohen por e tëra varej nga Thaçi. Kështu që, unë solla Thaçin që të takojë Albright-in në dhomën e dedikuar për të drekuar, por që në atë kohë shërbente si zyrë e saj. Rrallëherë e kam parë Albright-in aq të zemëruar. «Më ke premtuar se do të punosh me ne. Tash ti po i shkatërron të gjitha shanset për aksione të Perëndimit. Ti personalisht do të jesh përgjegjës për vdekjet e njerëzve tu, nëse nuk ndërron mendje. Lidershipi është për të marrë vendime të vështira. E di se e ke shumë të vështirë të heqësh dorë nga pavarësia. Por, nëse nuk pranon, nuk do ta kesh më përkrahjen e Perëndimit. Do ta rrezikosh miqësinë me mua dhe me Rubin-in. Nuk ke miq më të mirë se mua dhe Rubin-in në Perëndim. Por, kështu ne nuk mund të të ndihmojmë që të dëshpërosh popullin shqiptar». Thaçit sa nuk i shpëtuan lotët. Ai kurrë më parë nuk kishte takuar ministra të Jashtëm, e lëre më një sekretare amerikane të zemëruar. Ai i tha se si vetë kishte qenë dëshmitar i vdekjeve të shokëve të tij më të ngushtë dhe krimeve të kryera kundër grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Ai ishte i vetëdijshëm se cilat do të ishin pasojat. Për disa momente ai nuk mund të fliste. Pastaj, duke e ndrequr pak qëndrimin, tha se i vinte keq, por përgjigja ishte «jo».

Kur Hashim Thaçi la dhomën e tij, natën e fundit në Rambouillet, Madeleine Albright mblodhi ekipin e saj për takim. Ajo ishte e zbehtë. Konferenca po shndërrohej në një katastrofë. Pas analizimit të kësaj situate të pashpresë, Albright u kthye me automjet në Paris për të fjetur disa orë. Atë natë bëra një shëtitje të gjatë me Thaçin. Jashtë bënte ftohtë, por ai refuzoi ofertën time për t’i dhënë pallton. Ishte i shqetësuar. Tha se ishte nën presionin e komandantëve të UÇK-së në Kosovë dhe financuesve të saj nga Europa. Ata do ta konsideronin tradhtar. Ai e ndjente se po ta humbte Albright-in si mike, kjo do të ishte një katastrofë e vërtetë për kauzën e tij.

Ai sugjeroi një kompromis. Që shqiptarët, të cilët tashmë ishin dakord në parim (përfshirë këtu edhe tërheqjen nga pavarësia e menjëhershme) të shtynin afatin e nënshkrimit të marrëveshjes për dy javë, në mënyrë që të diskutonin detajet me të gjithë komandantët e UÇK-së dhe për t’u konsultuar me të gjithë njerëzit në Kosovë? Ai premtoi se pas dy javësh do ta nënshkruante marrëveshjen. Unë i thashë se do t’ia përcillja këtë propozim të tij Albright-it.

Mëngjesin e ardhshëm, ditën përfundimtare të bisedimeve, Jim O’Brien filloi të punojë në tekstin e një kumtese me një pjesëtar tjetër udhëheqës të delegacionit shqiptar, gazetarin e respektuar, Veton Surroi. Mirëpo, edhe me skadimin e afatit të pasdites, shqiptarët mbetën pa vendim.

Albright dhe ekipi i saj përsëri u nisën poshtë shkallëve të ngushta për në bodrum, ku ishte mbledhur delegacioni shqiptar, për t’u bërë atyre një apel përfundimtar. Ata përsëri e falënderuan atë për gjithçka që ishte duke bërë, por i thanë se u duheshin edhe disa orë për të diskutuar formulimin e kumtesës.

Siç dukej Thaçi nuk e kishte dhënë miratimin e tij përfundimtar, ndërsa pjesa tjetër e delegacionit ngurronte ta pranonte pa të. Jim O’Brien më tha që duhej ta merrja Thaçin në një shëtitje, në mënyrë që pjesa tjetër e delegacionit të ndihej e lirë të votonte për kompromis përderisa ai të ishte jashtë dhomës. Thaçi dhe unë shumë shpejt arritëm në vendin tonë të dashur prapa kështjellës. Unë ndeza një cigare shumë ngadalë, sepse nuk më vinte asgjë në mend. Pas një pauze të gjatë, i thashë me gjysmë shaka se njoh disa producentë në Hollywood që do të mund të dëshironin të bënin një film të jetës së tij. «A do të jem unë personazh pozitiv apo negativ në film?» pyeti Thaçi. Në ato çaste atë e thirrën sërish në dhomë për vendimin përfundimtar, por refuzoi të shkoi derisa të merrte një përgjigje nga unë. «Kjo varet nëse do të nënshkruash apo jo», i thashë derisa po nisej drejt kështjellës.

Pas një ore, O’Brien nxitoi në korridor dhe më nxori nga njëra prej dhomave të mbledhjes. Ai bëri të ditur se Thaçi ka pranuar t’i lejojë Surroit të nënshkruajë marrëveshjen e përkohshme në emër të gjithë delegacionit shqiptar. Me Surroin dhe O’Brien në korridor e tëra që na duhej ishte një laps. Andaj ia zgjata Surroit lapsin tim. Ai nënshkroi. O’Brien atëherë bërtiti: «Jamie, dil jashtë dhe shpalle para se ta ndërrojnë mendjen».

Për mua ky ishte një përparim domethënës. Nëse Thaçi mban premtimin, shqiptarët do të pajtoheshin, ndërsa europianët nuk do të mund të kundërshtonin kërcënimin me fushatë ajrore. Atëherë ne do të dinim përfundimisht se a ishte Milošević me të vërtetë i përgatitur për të zgjedhur luftën me NATO-n në vend të paqes në Kosovë. Fatkeqësisht, thjesht nuk pata nerva t’u them, madje as disa gazetarëve të sofistikuar se dështimi i vetëm në Rambuoillet do të ishte refuzimi i shqiptarëve.

Ndërkohë që serbët vazhdonin të rezistonin, ne vazhduam të shtrojmë themelet për sulmet ajrore. Kur konferenca paqësore rifilloi pas tri javësh, Albright më dërgoi në Paris më instruksione të qarta: «Shko atje dhe siguro që ai miku yt, Hashim Thaçi, të nënshkruajë kësaj radhe». Arrita në Paris i bindur se Thaçi do të nënshkruante. I sigurt, kur e ftova në drekë, në rezidencën e ambasadorit amerikan në Paris, Thaçi mezi priste të zbuste rezultatin e takimit të fundit katastrofal me Albright-in. Menjëherë më tha se kishte autoritet për të nënshkruar në emër të UÇK-së.

Gjatë drekës luksoze franceze dhe një shëtitjeje në kopshtin e ambasadorit afër Champs Elysees, Thaçi më tregoi versionin e tij për atë ç’kishte ndodhur në të vërtetë në kështjellën e Rambouillet-së. Gjatë atij intervali prej tri javësh, në lidershpin e UÇK-së kishte pasur një përçarje, meqë një grup i vogël ekstremistësh, këmbëngulte për pavarësinë, por shumica dërmuese donin ta përqafonin NATO-n dhe Perëndimin. Shumica fitoi, ndërsa ata që kundërshtuan u përjashtuan nga vendimmarrja në të ardhmen.

Gjatë bombardimeve të NATO-s gati çdo mëngjes Thaçi më telefononte në Departamentin e Shtetit me anë të aparatit satelitor. Ai ndodhej diku thellë në Kosovë, i strehuar me pjesën tjetër të udhëheqjes së UÇK-së. Këto thirrje të tij ishin veçanërisht të dhimbshme. Ai shpesh do të më tregonte dhe me detaje tmerruese, dëshpërimin e civilëve derisa forcat serbe po lëviznin vendbanim pas vendbanimi. Në një moment, thirrjet e tij u ndërprenë për disa ditë. Unë isha vërtet i brengosur. Kur më në fund më tregoi se edhe vetë UÇK-ja ishte duke mbetur pa ushqim, barna dhe strehim, ndjeva një ndjenjë të çuditshme përgjegjësie për të dhe vazhdova të pyes nëse ai ishte në rregull.

Shumica e pyetjeve të tij ishin të përqendruara në atë nëse ndonjëri nga aleatët e NATO-s apo dikush tjetër do të pranonte kompromisin e ofruar nga Milošević-i. Pas gjithë asaj që kishin përjetuar kosovarët, unë mundohesha ta siguroja se Clinton dhe Blair nuk do të ndalen derisa të kapitullojë Milošević-i.

Thaçi dhe unë u takuam përsëri, kësaj radhe në vendlindjen e tij, në shtëpitë dhe malet ku ai ishte fshehur gjatë luftës. Ai më tregoi prej ku më kishte telefonuar me telefonin e tij satelitor, derisa UÇK-ja po mbeste pa ushqim dhe pa municion. Komandantët tjerë më tregonin se sa afër kishin qenë serbët për t’i shkatërruar, vetëm disa qindra metra më poshtë malit.

Tani duhej të çarmatosnim ushtrinë e tyre, ashtu siç na kishin premtuar në Rambouillet. Pas bisedimeve disaorëshe ishte e qartë se Thaçi nuk do të nënshkruante përderisa të mos përmendej mundësia që ish pjesëtarët e UÇK-së të mund të shërbenin në një forcë policore apo në një gardë kombëtare. Në orën dy të mëngjesit më 21 qershor 1999, Thaçi dhe komandantët e UÇK-së, me dy helikopterë erdhën në Prishtinë për t’u takuar me gjeneralin Micheal Jackson, komandantin e NATO-s, në shtabin e tij fushor. Në momentin e fundit na u paraqit një problem. Plani ishte që Thaçi të nënshkruajë për UÇK-në, mirëpo Jackson që duhej të nënshkruante për NATO-ne e kishte të vështirë ta bënte këtë.

Jackson më tha se nënshkrimi i tij duhet të përshkruhet sikur «marrje» e angazhimit të UÇK-së e jo «pranim» i tij. Ai shpjegoi se disa vende të NATO-s frikësoheshin se, pa ndryshimin e kësaj fjale të vetme, ata do të konsideroheshin si përkrahës të një ushtrie të pavarur për Kosovën. Kjo nuk kishte kuptim. Dokumenti mezi paraqiste një aspiratë shqiptare. NATO-ja nuk po premtonte asgjë. I frustruar unë thashë se do të bisedoj me Thaçin. E vetmja karotë që më kishte mbetur për t’ia ofruar Thaçit ishte telefonata nga Clinton-i. I thashë Thaçit se nëse pranonte këtë ndryshim dhe pranonte të nënshkruante në atë moment, atij do t’i telefononte Clinton-i për ta uruar. Ai më vështroi për disa sekonda dhe më tha: «Po, të nënshkruajmë tash». Marrëveshja u nënshkrua. Thaçi bisedoi me Presidentin Clinton. UÇK-ja u shpërbë. Thaçi dhe unë shkuam në një kafe të afërt për të festuar.

Përgatiti: Shkëlzen Gashi

Copyright: Shkëlzen Gashi dhe Dialogplus. Ndalohet ribotimi nga mediumet tjera.