Isa Mustafës i vjen keq për zhvillimet e mbrëmshme

Kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa i vjen keq për protestat dhe dhunën e mbrëmshme të cilat ai në profilin vet të Facebookut i quajti zhvillime.




Kryeministri nuk e përmendi fare arrestimin pa asnjë vendim të deputetit Albin Kurtit por tha se «se ka vendosur të respektojë ndarjen e pushteteve« dhe se «dhuna është e papranueshme si mjet politik», transmeton Koha.net.

Mustafa ka shkruar në Facebook

«Dua të ndaj me Ju keqardhjen për zhvillimet e mbrëmshme në Prishtinë. Lajmet dhe pamjet e tilla, na bëjnë të ndjehemi keq.

Si kryeministër i Republikës së Kosovës, jam i vendosur të respekoj plotësisht ndarjen e pushteteve. Nuk më takon mua dhe asnjë politikani tjetër të ndërhyjë në punën e autoriteteve të rendit dhe atyre të drejtësisë. Përpara ligjit, të gjithë jemi qytetarë të barabartë. Kështu kemi vendosur kur kemi votuar ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë.

Dhuna është e papranueshme si mjet politik.

Dua të besoj se organet e rendit dhe drejtësisë veprojnë në përputhje me Ligjet e Kushtetutën dhe me maturinë që kërkon situata në të cilën ndodhet vendi ynë. Në të njëjtën mënyrë, dua të besoj që keshtu duhet t[ reagojnë edhe ata që nuk pajtohen me vendimet e organeve të rendit dhe të drejtësisë. Sidomos këto ditë, kur kemi përpara vetes nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me Bashkimin Evropian dhe përmbylljen e kritereve për Liberalizimin e Vizave, na duhet sjellje e përgjegjshme dhe në përputhje me normat ligjore, në interes të stabilitetit».