Isa Mustafa: Kërcënuesit nuk kanë lënë gjë pa premtuar për të qenë në pushtet

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, vazhdon të përdorë rrjetin social më shumë se rrugët zyrtare për të komunikuar me opinionin, ose për t’u dërguar mesazhe oponentëve.




Pak më parë ai postoi një shkrim përmes rrjetit social Facebook, me të cilin u dërgon mesazh oponentëve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e tij, duke ua kujtuar atyre premtimet në fushatat zgjedhore, të cilat tani i propagandojnë si antikombëtare dhe kundër interesave të vendit.

Ky është postimi i plotë i tij:

«Ata që po bëjnë me gisht e po kërcënohen, nuk kanë lënë asgjë pa premtuar e pa ofruar, për të qenë në pushtet: Gjykatën Speciale, vendet e rezervuara edhe dy mandate, gjenerozitete për pakicat, vazhdim të dialogut dhe implementim të marrëveshjeve.
Sa për mua është e qartë se njerëzit e LDK –së i kanë vrarë e i kane kërcënuar, por kurrë nuk janë dorëzuar. E kanë kërcënuar edhe Ibrahim Rugovën, janë likuiduar shumë veprimtarë të LDK-së, por fryma shtetndërtuese nuk është ndalur. Nuk do ta ndalni as ju!» – ka shkruar kryeministri Isa Mustafa në postimin e tij në Facebook.