IFIMES ose instituti për kashelasha nga Lubjana

Një institut i dyshimtë nga Sllovenia është shfaqur sërish në opinion me një raport mbi gjendjen në viset shqiptare. IFIMES kritikon Gjermaninë për shkak se po e mbështet LDK-në dhe po e penguaka Albin Kurtin të bëhet kryeministër i Kosovës, ndërsa prej Amerikës pritet të shkatërrojë dyshen Thaçi-Rama. IFIMES ka dy punëtorë, një kurd dhe një boshnjak, analizat e këtij instituti janë kashelashë. Dhe këtë e dëshmon historia e këtij instituti. Këtu i gjeni disa fakte të neveritshme.

Pamje nga Lubjana. Foto: J. Riglin



Raporti më i ri i institutit «slloven» IFIMES kulmon me këto tri konstatime. Një: kush voton për LDK-në në fakt ka votuar për PDK-në. Dy: Gjermania paskësh interferuar në situatën në Kosovë përmes CDU-së, partisë së kancelares Angela Merkel. Tre: krejt këto aktivitete e paskan një qëllim – ta pengojnë Albin Kurtin nga Lëvizja Vetëvendosje për të marrë drejtimin e qeverisë. Kurti na qenkësh «favorit bindës» për kryeministër. Thua se në Kosovë po zhvillohen zgjedhje për kryeministër dhe jo për parlament, i cili pastaj e zgjedh kryeministrin apo kryeministren.

«Analistët» e IFIMES kanë mundur të shtojnë në fund se këtë pamflet e kanë shkruar për të përkrahur në fushatën elektorale të Lëvizjes Vetëvendosje. Po të bëhej kjo transparente, atëherë çdo brohoritje nga Lubjana për VV-në do të ishte e shpjegueshme. Nëpër dynja ka shumë institute që për para, agjenda politike apo interesa të tjera shkruajnë pamflete të maskuara si «analiza». IFIMES pret prej Amerikës të shkatërrojë dyshen Thaçi-Rama si parakusht për të filluar punët e mbara në Ballkan. Pritja është dëshirë, por dëshira nuk është analizë. Dhe kjo vlen edhe kësaj radhe për IFIMES-in, këtë institut për kashelashe nga Lubjana.

Gjermania nuk ka interferuar fare në situatën në Kosovë. CDU është parti simotër e LDK-së në kuadër të Partive Popullore Europiane. Është më se normale që partitë simotra përkrahin njëra-tjetrën. Ka socialdemokratë europianë që e mbështesin Albin Kurtin. Dhe kjo nuk është fare problematike. Në kuadër të integrimeve europiane ky është proces normal. Bashkëmendimtarët politikë përkrahin njëri-tjetrin, pa marrë parasysh nga cili vend i Europës vijnë. Përse qenka problematike që CDU e mbështet Vjosa Osmanin për kryeministre dhe nuk qenka fare problematike që Viktor Orbani i Hungarisë hapur e ka përkrahur Janez Janshën në fushatën elektorale në Slloveni? Me këso pyetjesh nuk merret IFIMES-i, sepse përgjigja do t’ia rrëzonte raportet absurde, qesharake dhe nën çdo nivel.

Historia e këtij instituti është e dominuar nga spekulimet dhe manipulimet. Kryetar i bordit këshilldhënës të IFIMES-it është Budimir Lonçari, ministri i fundit i punëve të Jashtme të Jugosllavisë, i cili në vitin 1989, në një intervistë dhënë gazetës franceze «Le Monde», pati thënë se shqiptarët janë ardhacakë në Kosovë. Anëtar i bordit është edhe Zoran Zhivkoviqi, ish-kryeministër i Serbisë, një politikan periferik në vendin e tij. Anëtar tjetër është Ibrahim Kalini, njëri prej këshilltarëve kryesorë të Rexhep Taip Erdoanit. Hannes Swoboda, një politikan qëmoti i pensionuar austriak, po ashtu e ka vënë emrin e tij në dispozicion për bordin këshilldhënës. Anëtarë të tjerë janë emra pothuaj të panjohur në Ballkan apo më gjerë. Këta emra së paku shfaqen në webfaqen e institutit, e cila nuk punon mirë.

Analizat e IFIMES-it janë ca grumbuj shkronjash, me konstatime shkel e shko. Në vitin 2017, pak para zgjedhjeve në Kosovë, IFIMES shkroi se «ekziston plani i vendeve udhëheqëse në botë që nga skena politike në Kosovë të zëvendësojë shumicën e liderëve të tanishëm, ndër ta edhe presidentin aktual Hashim Thaçi». Kush do vinte pas Thaçit? IFIMES e dinte mirë: Do të vijë Albin Kurti. Kanë kaluar më shumë se dy vite prej se është publikuar ky raport i IFIMES-it dhe askush nuk e ka parë planin e thjeshtë dhe të bukur: hiqe Thaçin, sille Kurtin.

Sipas mediave kroate IFIMES-i i Lubjanës nuk ofron analiza serioze dhe më shumë bën bujë me spekulime. Instituti ka dy punëtorë dhe të dy e quajnë veten drejtorë. Ose paraqiten si të tillë në opinion. Zijad Bećirović është boshnjak me adresë në Slloveni, Bakhatyar Aljaf është një kurd i Irakut me banim po ashtu në Slloveni. Në vitin 2013 gazeta «Slobodna Dalmacija» shkroi se IFIMES ka shpikur anketa. Në një anketë mbi zgjedhjet në Bosnjë kuota e gabimit për kandidatë të caktuar arrinte deri në 40 për qind. Sipas gazetës kroate IFIMES as që merret me anketa, por kryen «hulumtime» të opinionit publik sipas nevojës së porositësit. Pas kritikave në mediat kroate IFIMES kishte hequr dorë nga publikimi i rezultateve të anketave të pazhvilluara. Analizat periodike të IFIMES-it mbi gjendjen e vendeve të rajonit «Slobodna Dalmacija» i ka quajtur tendencioze dhe më tepër me karakter spiunazhi se sa analitik.

Mediat kroate kanë kritikuar edhe disa politikanë të Zagrebit, të cilët kanë pranuar të jenë pjesë e bordit këshilldhënës të IFIMES-it si ish-kryeministrja Jadranka Kosor dhe ish-diplomati jugosllav Budimir Lonçar. (Kosor ka dhënë dorëheqje nga bordi i këtij instituti). Kryetar i bordit të këtij instituti kishte pranuar të jetë edhe ish-presidenti kroat Stipe Mesiq, gjë që nuk paraqet asnjë befasi, sepse Mesiq nuk përton të angazhohet kudo ku sheh pak shans për publicitet dhe ku supozon se mund të marrë ndonjë qindarkë.

Kur «Slobodna Dalmacija» e pyeti Budimir Lonçarin se përse kishte pranuar të bëhej pjesë e bordit këshilldhënës të IFIMES-it, ai tha: «Mesiqi ka kërkuar nga unë të jem kryetar i bordit këshilldhënës. Unë nuk i njoh ata njerëz të IFIMES-it, nuk e di çka shkruajnë. Nuk marrë kompensim për këtë funksion dhe nuk jam përgjegjës për punën e tyre». Paramendojeni: kryetari i bordit këshilldhënës të IFIMES-it nuk i njeh themeluesit e IFIMES-it! Seriozitet i paparë. Edhe zyra e ish-presidentit Mesiq kishte thënë se sa ka qenë kryetar i bordit Mesiqi nuk ka marrë pjesë në asnjë aktivitet të institutit.

Se sa serioze janë analizat e IFIMES-it tregon edhe ky fakt: para shpalljes së pavarësisë së Kosovës IFIMES shkroi se kryeministri i atëhershëm kroat Ivo Sanader është marrë vesh me kryeministrin serb Vojisllav Koshtunica se Kroacia nuk do ta pranojë Kosovën dhe si kundërshpërblim Koshtunica do t’i mundësonte Sanaderit krijimin e entitetit të tretë në Bosnjë, i cili do të qeverisej nga kroatët. Siç dihet Kroacia ka qenë ndër vendet e para që e ka pranuar pavarësinë e Kosovës. Serioziteti i institutit IFIMES është parë edhe kur e nderoi kuadrin e PDK-së, Arsim Bajrami, me njëfarë çmimi për shkak të kontributit në arsim. Se ku e ka parë IFIMES-i këtë kontribut mbetet sekret i dyshes nga Lubjana. Ata ndoshta nuk i kanë parë rezultatet e PISA-s për Kosovën. Njëherë stolise me dekoratë Arsim Bajramin e PDK-së, pastaj kërko që Albin Kurti të jetë kryeministër i Kosovës – në raportet e IFIMES-it ka diçka të kalbur.