I pandalshmi: brenda 6 muajve Nirmal Purja u ngjit në 14 kodrat tetëmijëmetërshe në Himalaje dhe Karakorum

Nepalezi Nirmal Purja ka thyer rekord me ngjitjen në kodrat tetëmijëmetërshe.




Shishapangma – kështu quhet një kodër e lartë 8027 metra. Në gjuhën tibetase «Shi sha sbang ma» domethënë: «Zona përmbi rrafshinën me bar». Të martën në webfaqen e «Project Possible» u bë e ditur: «Më 29 tetor 2019 në orën 08:58 Nirmal Purja u ngjit në majën e Shishapangma». Brenda gjashtë muajsh e gjashtë ditësh Nirmal «Nims» Purja ka arritur të ngjitet në të gjitha 14 kodrat me lartësi prej 8 mijë metra.

Që nga fillimi i këtij viti Nirmal Purja qëndroi në Himalaje dhe në Karakorum me qëllimin që si njeriu i parë të ngjitet brenda një sezone në 14 kodrat më të larta të botës. Fotografia e tij e kolonës së njerëzve duke u ngjitur në Mount Everest në muajin maj e bëri Nirmal Purjan të famshëm në gjithë botën, pesë muaj më vonë ai duke u ngjitur në Shishapangma arriti një sukses historik. Brenda 189 ditëve u ngjit në 14 kodrat tetëmijëmetërshe.

Rekordi i deritanishëm për t’u ngjitur në 14 majat tetëmijëmetërshe ka qenë 7 vjet, 10 muaj e 6 ditë. Këtë e kishte arritur jugkoreani Kim Chang Ho. Reinhold Messner nga Tiroli jugor ka qenë njeriu i parë që është ngjitur në të gjitha 14 kodrat tetëmijëmetërshe, por për këtë i janë dashur 15 vjet, nga 1970 deri më 1986.

«Ka qenë muaj të mundimshëm. Shpresoj të kem dëshmuar se me përkushtim, vetëbesim dhe qasje pozitive gjithçka është e mundshme», tha Purja pas përfundimit të projektit të tij. Në gjithë botën vetëm 40 alpinistë kanë arritur të ngjiten në të gjitha 14 majat. Alpinistja kosovare Uta Ibrahimi vitin që shkoi ka filluar projektin «14 majat e Himalajeve».

«Të gjithë më kanë përqeshur dhe kanë thënë: si është e mundur kjo?», tha 36-vjeçari Purja, i cili më herët ka qenë ushtar i trupës elitare Gurka. Aventurën e tij ai e filloi më 23 prill kur u ngjit në majën Anapurna. Nga mesi i majit ai shkeli brenda një dite majën e Mount Everest dhe kodrën fqinje Lhotse, një ditë më pas u ngjit në Makalu. Brenda një muaji ai «mposhti» gjashtë kodra tetëmijëmetërshe. Këtë e bëri me ndihmën e oksigjenit nga shishet dhe duke fluturuar me helikopter nga kampi bazik në kampin tjetër bazik. Kështu arriti të jetë brenda planit. Purja tha se me aksionin e tij dëshiron të inspirojë gjeneratët e re të alpinistëve nepalezë.