I lindur në Kongo, i rritur në Bernë dhe tani reper në Kosovë: karriera e çmendur e Cliqme

Televizioni i Zvicrës portreton Gassann Nyangit.

Gassann Nyangi (Cliqme).



Në Zvicër Gassann Nyangi ka punuar në një firmë sigurimesh. Dhe kohën e lirë e ka kaluar me shqiptarë, kurdë, turq dhe të huaj të tjerë, kryesisht në Ostermundigen afër Bernit. Këtu Gassann Nyangi ka dëgjuar fjalët e para shqip. «Melodinë e shqipes», thotë ai. E tani? Tani ai shëtit rrugëve të Prishtinës si të kishte jetuar përherë në kryeqyetin e Kosovës. Jo vetëm kamerierët në Prishtinë janë të entuziazmuar me shqipen e tij që gati i ngjan shqipes që e flasin edhe reperët e tjerë kosovarë.

Si erdhi Gassann Nyangi në Kosovë? Si u bë e mundur kjo: një i ri, i lindur në Kongo, i rritur në Bernë, vjen dhe bën muzikë në Kosovë? Në fillim ishte bashkëpunim me Capital T, një reper kosovar. Tani Cliqme, ky është emri artistik i kongolezit Gassann Nyangi, ëndërron karrierën e madhe si reper.

Televizioni publik i Zvicrës (SRF) ka emituar në fundjavë një dokumentar mbi karrierën e çmendur të Cliqme. Kosova është si Afrika, thotë Cliqme, por këtë nuk e mendon me qëllim negativ. Cliqme më shumë mendon kështu: e varfër, por e pakomplikuar. Në Kosovë gjithçka është spontane, në Zvicër, tregon Cliqme, para së të futesh në studio duhet të përgjigjesh në shumë pyetje: a ke kontratë me këtë, a ke kontratë me atë.

Cliqme banon në Prishtinë. Stilin e tij muzikor e quan Afroshqip, në këpucë ka qepur dy flamuj: të Kongos dhe shqiponjën dykrerëshe, një imitim i Gjerdan Shaqirit, i cili në këpucët e tij bart tre flamuj: të Zvicrës, Kosovës dhe flamurin kombëtar shqiptar.

Familja e Gassann Nyangi ka ardhur në Zvicër para 29 vitesh. Babai i tij ishte afrikani i parë në Zvicër me profesion instruktor i vozitjes. Në dokumentar babai me krenari tregon se 26 ditë pas ardhjes në Zvicër ka gjetur punë dhe – me përjashtim të tri javëve – kurrë nuk ka qenë i papunë. «Jam 121 për qind zviceran», thotë ai. «Ne jemi luftëtar», thotë Cliqme. – Filmi dokumentar mund të shikohet në këtë link:
https://www.srf.ch/play/tv/reporter/video/cliqme—der-berner-star-im-kosovo?id=2b08d6d3-9a7a-4827-9f7b-20f89e1ad144