I frikësuar nga Erdoani: kryetari i Sarajevës nuk e pranon në takim kryetarin e Stambollit

Ekrem Imamollu, kryetari i ri i Stambollit, të cilit u përpoq t’ia grabis fitoren partia e Rexhep Taip Erdoanit, ka ardhur për vizitë në Sarajevë. Stambolli dhe Sarajeva janë qytete të vëllazëruara dhe kanë lidhje të ngushta. Por kryetari i Sarajevës Abdullah Skaka nuk e ka takuar homologun e tij turk – me gjasë nga frika se mund të zemërohet Erdoani. Një shembull më shumë se sa i rrezikshëm është ndikimi i pushtetit të Erdoanit në Ballkan.

Ekrem Imamollu, kryetari i ri i Stambollit.



«E kam uruar kur është zgjedhur», me këto fjalë lapidare kryetari i Sarajevës Abdullah Skaka u përgjigj në pyetjen e mediave se përse nuk do ta takojë kryetarin e Stambollit, Ekrem Imamollu, i cili ka ardhur për vizitë në Sarajevë. Imamollu erdhi të enjten në Sarajevë. Në aeroport ai u prit nga kryeministri i kantonit të Sarajevës, Edin Forto, një socialdemokrat. Kryetari i Sarajevës, Abdullah Skaka, është anëtar i Partisë së Aksionit Demokratik (SDA), e cila mban lidhje të ngushta me partinë AKP të presidentit turk Rexhep Taip Erdoan.

Imamollu, politikan i partisë socialdemokrate turke CHP, u zgjodh kryetar i Stambollit në fund të marsit, por kjo nuk i pëlqeu AKP-së së Erdoanit. Për pasojë zgjedhjet u anuluan për shkak të gjoja defekteve të procesit. Në fund të qershorit në Stamboll u mbajtën sërish zgjedhjet për kryetar të qytetit – kësaj radhe Imamollu fitoi edhe më bindshëm. Erdoan u dorëzua, kjo ishte njëra prej humbjeve të tij më të rënda prej se para gati dy dekadave mori pushtetin në nivel nacional në Turqi.

Imamollu u takua të premten me zyrtarë të qeverisë së kantonit të Sarajevës, i cili qeveriset nga Nasha stranka, një parti multietnike me orientim socialdemokrat. Pastaj ishte planifikuar që Imamollu të vizitojë varrin e Alija Izetbegoviqit dhe të falë namazin e xhumasë në Xhaminë e Gazi Husrev Begut në Sarajevë. Po ashtu ishte e planifikuar që Imamollu të vizitojë një galeri dhe Tunelin e Shpëtimit, një korridor që lidhte Sarajevën me aeroportin gjatë luftës.

Kryetari i Sarajevës Abdullah Skaka tha se «nganjëherë miqtë tanë nuk i kuptojnë rrethanat specifike politike, kompetencat dhe rolet e qytetit dhe kantonit apo komunave, nganjëherë pa dashje i involvojnë në politizime». Refuzimi i Skakas për t’u takuar me kryetarin e Stambollit është kritikuar nga vëzhgues të jetës publike në Sarajevë dhe është parë si gjest nënshtrimi ndaj Erdoanit.

Në vitin 2018 autoritetet në Sarajevë anuluan vendimin që shkrimtari Orhan Pamuk të nderohet me titullin «qytetar nderi». Këtë vendim e morën delegatët e SDA-së, partisë së themeluar nga Alija Izetbegoviqi dhe e drejtuar nga i biri i tij, Bakir Izetbegoviqi. Po më 2018 Erdoani u lejua të mbajë në Sarajevë një tubim elektoral për fushatën e tij për t’u bërë president me kompetenca të sulltanit. Ndërsa në vendet perëndimore nuk iu lejua të mbajë tubime të tilla, në Sarajevë Erdoani mbajti një fjalim agresiv, ku kritikët e tij i kërcënoi me një «shuplakë osmane». Me atë rast Bakir Izetbegoviqi i këshilloi turqit të votojnë Erdoanin, sepse atë e paskësh dërguar allahu për të udhëhequr Turqinë. Profesori dhe shkrimtari nga Sarajeva Enver Kazaz deklaroi më 2018 se Izetbegoviq po e zgjeron ndikimin e Erdoanit në Bosnjë në kuadër të projektit për «vetëkolonizim» të boshnjakëve. «Në vend se t’i bosnjëzojë boshnjakët, ai i ka turqizuar», deklaroi Kazaz.