«Hyjneshat» modernizon artefaktin 6 mijë vjet të vjetër

Portreti i «Hyjneshës në fron» është i vendosur në qendër të një apo më shumë rrathëve. Shërben si medaljon.




Ruan origjinalitetin. Imazhi i saj është shkrirë në disa forma dhe variante që shërbejnë si stoli për femra. Janë ekspozuar në 15 vitrina. Kështu ka vendosur Alian Villes, arkeologu dhe njëherësh kurator i ekspozitës «Hyjneshat» të artistes Suzana Mushkolaj, shkruan sot «Koha Ditore».

Si të tilla këto stoli me motive dhe inspirim nga një prej figurave më të rëndësishme arkeologjike të Kosovës – që i takon shekullit IV para erës sonë – u shpalosën para publikut kosovar të hënën në mbrëmje. Ekspozita është organizuar nën patronazhin e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila ishte e pranishme në hapjen zyrtare.

Lexoni edhe këtë: Suzana Mushkolaj, në përgatitje të ekspozitës «Hyjneshat»

Nikoqir i kësaj ngjarjeje u bë Parku Arkeologjik i Prishtinës, i cili pas një periudhe të gjatë hapi dyert për një aktivitet, ani pse punimet në kulmin e tij ende nuk kanë përfunduar. Pavarësisht kësaj, objekti brenda Parkut mori pamje tjetër dhe dritat u ndezën.

Për të kompletuar këtë ekspozitë ishte edhe performanca e konceptuar nga artistja Rudina Xhaferi. Katër vajza të veshura me fustane të kuqe, me trup të lyer me bronz, në qafë mbanin medaljonet e punuara nga Mushkolaj.

Derisa u mbajt ceremonia e hapjes, ato qëndruan pa lëvizur mbi disa stola, e më pas u nisën drejt oborrit për të përfunduar performancën, ku zunë vend në shkallë pranë një mashkulli të veshur me të bardha. Kanë ngjasuar me hyjnesha, të cilat, sipas Villes, kurator dhe arkeolog në Muzeun Nacional Arkeologjik të Francës, shërbejnë si inspirim për shumë artiste. E njëra prej tyre është edhe Mushkolaj.