Historia enigmatike e gazetares së guximshme në 90 minuta

Flamujt e vegjël e të bardhë, të vendosur në shkallët e skenës, duken si rekuizita që kompletojnë skenografinë. Por kur aktorja Sanja Krsmanoviq i rrotullon, ata shpalosin një histori të tërë.




Në trembëdhjetët fjalët e shkruara me të zeza kompletohet historia e një prej gazetareve më të guximshme të Jugosllavisë, Dada Vujasinoviq, e cila në vitin 1994 do të gjendej e vdekur në banesën e familjes së saj. Ashtu si vdekja e saj që ka mbetur ende e pazgjidhur, mbetet edhe një prej fjalëve në flamuj, shkruan sot «Koha Ditore».

Krsmanoviq e vetme në skenë kërkon nga publiku që t’i përzgjedhë një nga një fjalët e shkruara, e më pas t’i zbërthejë. Dëgjohet zëri i një mashkulli nga publiku i cili kërkon fjalën «Sot». Në ekranin e madh në skenë nis e shfaqet një video. Janë komentet e disa të rinjve rreth Dadas.

«CV e luftës» është fjala e dytë. Krsmanoviq zbërthen pjesë të punës, artikujve dhe guximit që Dada kishte shpalosur asokohe. Për mënyrën se si iu kundërvu pushtetit dhe fuqinë që kishin artikujt e saj. Dëgjohet një tjetër zë nga audienca. Kërkon fjalën «Jugosllavia». Dy perdet e bardha që kanë zënë vend në skaj të skenës, aktorja i vendos në mes. Projektori fokusohet tek e para dhe shfaq një pjesë nga varrimi i Titos. Krsmanoviq lexon disa fjalë të Dadas.

Flet për Jugosllavinë që nuk ekziston më, për idealet e një vendi që tani është shuar. Kjo përcillet me «hulumtim». Këtu dalin në pah detajet se si kinse Dada e paska qëlluar veten në gjoks me revole. Sesi nuk është bërë ekspertizë e duhur mjekoligjore dhe sesi raportet e policisë kanë qenë të mangëta. Pas kësaj, një tjetër video shfaqet në ekran, për të përcjellë fjalën «përshtypjet».