Historia e emigrantit nga Prishtina që u martua me gruan e parë që i dha ujë në Angli

Kriza e refugjatëve në Mesdhe këtë verë solli shqetësime të vjetra. Retorika e vjetër frikacake konservatore është kthyer përsëri në Angli.




Janë disa raporte shqetësuese të gazetave mbi fëmijët e mbytur apo njerëzve të ndjekur nga policia në linjat hekurudhore, por ka edhe tregime optimiste të refugjatëve në Britani të Madhe. Aty bëjnë pjesë disa histori krenare të mikpritjes së atyre që janë zhvendosur nga vështirësitë dhe konfliktet prej vendit të tyre dhe kanë filluar një jetë të re në kulturën britanike.

The Guardian ka shkruar një artikull me disa refugjatë që kanë ardhur në Britani dhe kanë filluar një jetë të re të suksesshme.

Në njërën nga ato storje suksesi është edhe kosovari Qerim Nuredini që jeton në Bristol, i cili rrëfen historinë e tij.

«Kam lindur dhe jam rritur në kryeqytetin e Kosovës, që ishte pjesë e Jugosllavisë. Gjërat atje filluan ngadalë të bëheshin keq gjatë fillimit të viteve të ’90-ta. Në 1998 shpërtheu lufta. Kemi ecur deri në kufi, ku na kanë futur në trena për në kampin e refugjatëve mes Kosovës dhe Maqedonisë», ka thënë Nuredni. «Në kamp, çdo mëngjes në orën gjashtë dilnin emrat në tabelën e evakuimit për në shtetin ku do të rivendoseshim. Një ditë pashë emrin tim për udhëtim drejt Anglisë dhe të nesërmen isha në aeroplan për në East Midland Airport. Nga aeroplani ne pamë fushë pas fushe lule të verdha dhe u shtangëm, pasi menduam se ajo duhet të jetë industria kryesore», ka thënë më tej ai, teksa ka treguar një moment që atij do t’ia ndryshonte jetën.

«Pasi zbritëm në aeroport, një grua më dha një shishe me ujë. Ajo punonte për organizata humanitare dhe ajo ishte njeriu i parë që po flisja me të në Angli. Përfundimisht unë u vendosa në Bristol. Ishte hera e parë që e provova lirinë duke ecur pa u ndalur nga askush për kontrollim të letërnjoftimit. Kjo është një gjë që do të jetë në mua deri sa të vdes. Nëse do të shihja vetën time sot unë si një i ri, do të isha i befasuar. Kurrë nuk do ta kisha menduar që do të qëndroj këtu. Tash nuk mund ta imagjinoj që ta lë Anglinë», ka thënë ai.

Nuredini ka treguar se ka përfunduar i martuar me gruan e cila i dha shishen me ujë në aeroport.
«Rashë në dashuri me të e më pas me Britaninë. A nuk është romantike? Unë gjeta punë me Bristol Refugee Action dhe kam punuar për 15 vite. Kur kam ardhur këtu isha si një fëmijë në dyqan të ëmbëlsirave. Shumëllojshmëria në Britani është një gjë që më emocionon. Unë nuk kam parë asnjëherë më parë njeri me ngjyrë të zezë, kur erdha në Britani e pashë. Multikulturarizmi është gjëja më e mirë në Britani, dhe njerëzit nga komuniteti emigrant shpesh këtë gjë e dinë më mirë se mirë», ka thënë ai.