Histori me hileqarë

Çfarë na kujtojnë negociatat e LDK-së me VV-në për qeverinë e re? Një ese mbi acarin politik kosovar.




A po takohen sot ata dy? Apo ndoshta do të piqen nesër? (Folja «pjek» është shumë e zhdërvjelltë). A do të lëshojë pe Isa Mustafa apo Albin Kurti? Mbase takohen nesër. Pasnesër? Me siguri presioni gjerman, amerikan, britanik është i madh… Por kush bëhet merak për presion, aman. Agim Veliu me fletoren e tij të kaltër e bën politikën. Tash që u inaugurua semafori «n’Podjevë», përse të mos merret një kryetar komune edhe me politikë botërore: Agim Veliu kundër Matthew Palmerit apo disa deputetëve të mërzitshëm të Angela Merkelit? Nga ana tjetër: VV po thotë se do të fitojë mbi 40 për qind të votave nëse Kosova shkon në zgjedhje të reja. Është lehtë të bëhen kërcënime të tilla, por gara demokratike ka edhe të papriturat e saj. Po takohen sot ata dy? Ndoshta. Ka diçka vatikaneske në këto negociata mes LKD-së dhe VV-së. Publiku pret të dalë tymi i bardhë, ndërsa këta ende janë diku në mal duke kërkuar dru për të ndezur zjarrin, nga i cili pastaj ndoshta del tym. «Habemus papam», versioni kosovar.

***

Filozofi austriako-amerikan Paul Watzlawick e ka një tregim të shkurtër. Tregimi mban titullin: Burri dhe çekani. «Një burrë dëshironte të varte një pikturë. Gozhdë kishte, çekan s’kishte. Fqinji kishte një çekan. Por atë burrin e kapi dyshimi: ç’të bëj nëse fqinji nuk ma huazon çekanin? Dje më përshëndeti fluturimthi. Ndoshta ishte për ngut. Por ndoshta nxitimi i tij ishte vetëm arsyetim, ndoshta ai ka diçka kundër meje. Po çka? Asgjë nuk i kam bërë; atij ia merr mendja që i kam bërë diçka. Nëse dikush do të më kërkonte një alet, unë menjëherë do t’ia jepja. Pse ai s’ma jep? Si mund të refuzosh t’ia bësh një të mirë një njeriu? Njerëz si ky djali ta helmojnë jetën. Pastaj atij ia merr mendja se unë varem prej tij. Vetëm për shkak se ai e ka një çekan. Boll më. – Kështu ai u sul turravrap në anën tjetër, i ra ziles, fqinji hapi derën, por para se të thoshte ‘mirëdita’, burri ynë i bërtiti: ‘Mbajeni çekanin tuaj për vete, o pizeveng!’». Në rastin e LDK-së dhe VV-së të dy palët mendojnë se e kanë çekanin me goditjen e të cilit do të ndryshojnë kahun e botës. Andaj agonia politike vazhdon. Këta flasin e nuk merren vesh, andej plaçkiten rezervat shtetërore, emërohen drejtorë agjencish, ndahen mjete për qejfe e çakërdisje.

***

Situata mund të shihet nga ky këndvështrim: është koha që Albin Kurti të lëvizë. VV mund të ketë, krahas postit të kryeministrit, edhe 6 ministri, mes tyre ministritë kryesore, plus një zëvendëskryeministër. Kryeministri ka kompetencë të emërojë drejtorin e policisë, ka edhe kompetenca të tjera shumë të mëdha, domethënë ka mundësi të diktojë agjendën dhe realizojë programin. Presidenti? Nga radhët e LDK-së. Por këtu LDK duhet të tregohet e përgjegjshme dhe të mos tallet me opinionin duke propozuar emra të padenjë. Sepse kandidati a kandidatja nuk do të jetë president i LDK-së, por i tërë Kosovës. Së paku tre presidentë deri më tani nuk kanë qenë të denjë për këtë post. Ka ardhur koha që kjo të ndryshojë. Që partia më e vogël mund të propozojë kandidatin për president nuk është shembull i panjohur. Në Gjermani socialdemokrati Frank-Walter Steinmeier është kryetar shteti – i zgjedhur me votat e CDU-së së kancelares Angela Merkel. Politika është kompromis. Këtë sport duhet ta mësojnë VV dhe LDK. Shpresa e VV-së që në rast të provokimit të zgjedhjeve të reja mund të triumfojë në përmasa kozmike është kalkulim i gabuar. Sepse prapë një partner koalicioni do t’i duhet. Gjasat që në rast të zgjedhjeve të reja të krijohet një «superkoalicion» paraelektoral i komandantëve nuk duhet përjashtuar. (Frika nga Gjykata Speciale i bën bashkë të gjithë ata). Ndërsa një koalicion paraelektoral LDK dhe VV nuk do të jetë i mundshëm. VV dhe LDK do te shihen nga elektorati si parti të paafta që nuk e shfrytëzuan rastin e 6 tetorit. Me politikat e kushtëzimit LDK ka shkaktuar shumë dëm dhe vërtet nuk dihet sa i qëndrueshëm do të jetë koalicioni me VV-në. Ndërsa VV duhet të kujdeset që në qeveri të dërgojë njerëz të përgjegjshëm dhe jo lahutarë që mbajnë ders për rrëzimin e kodrave me gjoks.

***

Por gjendja mund të shihet edhe nga ky këndvështrim: këta të LDK-së e prezantuan dhe e kandiduan Vjosa Osmanin për kryeministre të Republikës së Kosovës. Thanë se është kandidatja më e mirë, më e duhur, më kompetente, më properëndimore, më e shkathtë për të drejtuar qeverinë e Republikës së Kosovës. Thanë se do të luftojnë korrupsionin, do të këputin fijet e krimit në institucionet shtetërore, thanë se do të qeverisin aq mirë, saqë Kosova do të bëhet së shpejti shtet funksional. Gjatë fushatës nuk thanë se gjithçka mund të dështojë nëse LDK nuk e merr postin e presidentit. Nuk thanë se pa postin e presidentit nuk duan të qeverisin. Pas zgjedhjeve bënë edhe diçka: e skutëluan, e përzunë mënjanë Vjosa Osmanin, sepse ajo tashmë e kishte kryer misionin e saj – gati 180 mijë vota. Tash me këto vota bëjnë tregti të tjerët. Dhe çdo ditë tregtarët mbysin atë pak besim që u krijua në Kosovë për ndryshime rrënjësore politike. Në këtë situatë si duhet të sillet Vetëvendosje? Zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje, siç u përmend edhe më herët. LDK-së t’i bëhet ofertë për të propozuar një kandidat për president të denjë për atë post. Le ta ketë këtë të drejtë LDK. Nëse është i denjë kandidati, VV e voton. Më 23 dhjetor bëhen 30 vjet nga themelimi i LDK-së – është momenti vendimtar që kjo parti të përcaktohet në cilën anë të historisë po përfundon.

***

Kur nuk e zgjidh një problem, e krijon një komision për zgjidhjen e problemit. Kështu duhet të veprojnë edhe VV dhe LDK. Një komision 4-anëtarësh (2 VV, 2 LDK) ngarkohet që deri në vjeshtë 2020 të gjejë një kandidat(e) për postin e presidentit. Mund të jetë edhe një kandidat(e) që e propozon LDK, nëse me këtë pajtohet partneri i koalicionit, VV. Ose e kundërta – ndoshta VV ka ndonjë ide shumë kreative, që LDK nuk e refuzon. Por për këtë duhet vullnet politik për kompromis nga të dy palët dhe jo llafe destruktive. LDK nuk mund të propozojë kandidatë që janë polarizues, që mund të kenë probleme me ligj, që janë shquar për afërsi johigjienike me partitë e krimit të organizuar. Por as VV nuk mund të propozojë kandidatë për president që nuk kanë peshë politike dhe përvojë të domosdoshme në jetën publike dhe institucionale. Nuk mjafton vetëm «prejardhja patriotike», sidomos jo në vitin 2021. Në fakt, zgjidhja më e mirë do të ishte që për presidentin ta thotë fjalën e tij elektorati. Të vendos populli së paku për njërin nga tre postet e rëndësishme shtetërore. Për këtë duhet të ndërrohet Kushtetuta. Të dy partitë, pra VV dhe LDK, po harrojnë edhe një gjë: me këtë Kushtetutë pa praninë e 80 deputetëve në sallën e Kuvendit procesi i zgjedhjes së presidentit nuk mund të fillojë fare. Kush garanton që këtë proces nuk e sabotojnë partitë e opozitës dhe një pjesë e madhe e deputetëve serbë? Pra, LDK dhe VV po grinden për një çështje që nuk është prioritare tani, por, me sa duket, LDK as nuk po mund të pajtohet me vendin e dytë, as nuk po ka guxim të provokojë zgjedhje të reja dhe, përveç ndonjë aventurieri, krerët e LDK-së (ende) nuk po kanë guxim të thonë: po e provojmë një koalicion me partitë me të cilat kemi përvojë në qeverisje. Përvojë në thonjëza, natyrisht.

***

Gjendja mund të shikohet edhe nga këndi humoristik. Për shembull me këtë pyetje: ku është Fiat Punto i LDK-së? Këto ditë gazetarët në Prishtinë duhet të jenë të vëmendshëm dhe të shohin nëse LDK po e nxjerr nga garazhi atë Fiat Punton për të shkuar tinëz te Hashim Thaçi në shtëpinë e re në Çagllavicë apo te Behgjet Pacolli në Hajvali për të kurdisur ndonjë koalicion. Në maj të vitit 2014 krerët e LDK-së, për të mos rënë në sy, shkuan inkognito në vilën e Behgjet Pacollit në Hajvali – me një Fiat Punto! Shkuan për ta lutur Pacollin për të bërë koalicion parazgjedhor. A ishte ai Fiat Punto pronë e Ismet Beqirit, Lutfi Hazirit apo Agim Veliut? Historianët do të na tregojnë edhe këtë detaj dikur, siç do të na tregojnë nëse në vilën e Pacollit është e varur në murin e nderit edhe fotografia e Selim Broshës, agjentit të UDB-së dhe të dyshuarit si përgatitës i vrasjes së patriotëve shqiptarë në Perëndim, me të cilin Pacolli ka pasur një raport të ngushtë në epokën e Jugosllavisë së «shokut Tito», të cilin, siç dihet, Pacolli e ka parë «cullak». [Meqë drejtësia nuk vepron, edhe për Pacollin vlen supozimi i pafajësisë derisa të ballafaqohet një ditë me ligjin]. Portalet e afërta me PDK-në, por edhe vetë Pacolli kanë njoftuar se kur Isa Mustafa e Ismet Beqiri shkuan te vila e Pacollit, në një ambient tjetër të vilës ishte – kush tjetër pos Hashim Thaçi, atëbotë kryeministër. Isa Mustafa me shokë hante darkë me Pacollin, e një kat më poshtë rrinte ujku. Atëbotë koalicioni i LDK-së me partinë private të Pacollit nuk u bë, sepse si të vendoste Pacolli pa pëlqimin e Thaçit? Siç po shihet, të dashura lexuese e të dashur lexues, krejt historia politike e viteve të fundit e Kosovës dhe krejt pisllëqet e saj shpjegohen me një rrëfim për një veturë të një marke italiane.

***

Çfarë po bën LDK në lidhje me postin e presidentit është praktikë e shteteve autokratike. Presidentin e zgjedh Kuvendi, pra deputetët, por Isa Mustafa po dëshiron që kjo punë të «rregullohet» me pazar në tavolinë, e deputetët pastaj të keqpërdoren vetëm si «kafshë votuese». Diçka e tillë mund të bëjë vaki në Bjellorusi, por në Kosovë do të duhej të shmangej. Çudi që nuk po dëgjohen deputetë duke protestuar dhe duke e mbrojtur mandatin që ua ka dhënë populli. A janë të vetëdijshëm për rolin e tyre? Heshtja e «krahut të luftës» nuk është befasi, krerët e tij nuk e mbrojnë rendin kushtetues, sepse shpresa e tyre është kaosi. E deputetët e LDK-së? Disa në studio televizive sillen tamam si në Pazar të kafshëve: ne e marrim këtë mëshqerrë, ju këtë viç, por në të vërtetë edhe viçi na takon neve, sepse krejt aksidentalisht jemi partia e dytë, në të vërtetë jemi partia e parë. Mendësi antidemokratike. Kosova ka pasur deri më tani një parlament të dobët. Ka pasur ministra që i caktonte ndonjë mikrofonmbajtës. Ka pasur dhjetëra zëvendësministra që kanë marrë rroga pa kryer asnjë punë serioze. Shpresa ishte që deputetët e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit të jenë në nivel të përgjegjësisë që ua ka dhënë populli dhe jo të tallen me qytetarët duke heshtur për gjera që nuk duhet heshtur, por duhet kundërshtuar me zë të lartë!

***

LDK i ka tri rrugë:
a) të marrë gjysmën e qeverisë, të realizojë programin qeverisës, të cilin, siç po thuhet, e ka harmonizuar me VV-në 100 për qind.
b) të kalojë në gjirin e ngrohtë të PDK-së, fundja a nuk e tha para disa muajsh Isa Mustafa pa iu dridhur syri: nuk pendohem që e kam bërë Hashim Thaçin president. Partia që nuk pendohet për zgjedhjet e gabueshme, nuk meriton besimin e qytetarëve që e duan një shtet funksional dhe jo shtet klientelist, ku LDK e ka pjesën e vet të fajit.
c) LDK mund të provokojë zgjedhje të reja parlamentare dhe kështu të përgjysmohet dhe të matet pastaj me parti rajonale, duke u zhdukur në opozitë. Para zgjedhjeve eventuale politikanët më të popullarizuar të gjeneratës së re të LDK-së, përfshirë Vjosa Osmanin, duhet të mendojnë se a duan të poshtërohen edhe më tutje nga një klike që vetëm i shfrytëzon për vota dhe pastaj i lë anash në rolin e statistëve apo duhet të mendojnë për alternativa të tjera politike? Në 30 vjetorin e themelimit LDK do duhej të drejtohej nga gjenerata e 30-vjeçarëve – jo nga kostumbartësit e modës së përhimtë.

***

Në rast se udhëheqja e tanishme e LDK-se me kryeneçësi insiston që kusht për koalicion me VV-në të jete posti i presidentit (ku patjetër do të shkonte Isa Mustafa, i cili, me sa duket, as nuk po i merr parasysh kufizimet e tij shëndetësore, as përgjegjësinë që e ka si lider i LDK-se për të lënë një trashëgimi të papërlyer), atëherë VV duhet ta refuzojë këtë shantazh të LDK-së. Le të shkojë LDK e te ulet ne prehrin e Kadri Veselit e Hashim Thaçit. Ose le të provojë aventura apokaliptike politike me Haradinajn, Limajn dhe Pacollin – që të tre të ndëshkuar në zgjedhje (këta dy të fundit të kontrabanduar në parlament me partitë e tyre private). Sa i përket ndarjes së ministrive të rëndësishme: nëse VV e merr ministrinë e Brendshme, LDK të marre ministrinë e Drejtësisë (e cila është po ashtu e rëndësishme), por këtu Albin Kurti mund të bëjë kompromis, që LDK të marrë ministrinë e Brendshme, por pëlqimin për emrin e ministrit duhet ta japë edhe Albin Kurti si kryeministër i ardhshëm, sepse duhet të përjashtohet në start mundësia që LDK të emërojë ndonjë argat të SHIK-ut si ministër të Brendshëm! Në një variant të tillë, VV do merrte ministrinë e Drejtësisë, fundja VV ka qenë shumë kritike ndaj punës së institucioneve të drejtësisë, ky do ishte shans për t’u dëshmuar.

***

Edhe njëherë sa i përket postit të presidentit: nëse LDK është bërë aq merak për këtë post, le të merren vesh me VV-ne për ndryshimin e Kushtetutës që pastaj presidenti të zgjidhej me votë popullore. Le të vendosë populli. Atëherë le të kandidojë Isa Mustafa, le të kandidojë edhe Hashim Thaçi (ka thënë se do te kandidojnë nëse kryetari zgjidhet drejtpërdrejt), e le të kandidojë po deshi edhe Albin Kurti dhe kushdo tjetër që i plotëson kushtet ligjore. Ndoshta VV e kandidon ndonjë grua që tani për tani nuk i dihet emri. Për Kosovën do të ishte mirë.

***

Pse t’i takoj posti i presidentit LDK-së? Si ngushëllim që i humbi (sërish!) zgjedhjet? LDK e ka bërë një gabim historik që e ka zgjedhur këtë president që e ka Kosova. Kjo zgjedhje ka qenë pasojë e pazareve politike. Ti president (H.Th.), unë kryeministër, dmth. Isa Mustafa. Poshtë pazaret e tilla primitive! Respektojeni Kushtetutën që thotë se presidenti duhet të reflektojë unitetin e popullit. VV dhe LDK mund të gjejnë një kandidat të përshtatshëm nga radhët e tyre për president, por kur të vijë koha. Ministritë mund të ndahen përgjysmë (50:50), kryeministër shefi i VV-së, zëvendëskryeministre Vjosa Osmani. Nuk ka nevojë për zëvendëskryeministra të tjerë. Mundësia tjetër është që të dy partitë fituese të zgjedhjeve të luajnë poker dhe të tallen me vullnetin e popullit për ndryshim, por nuk ka garanci se për këtë do të shpërblehen në të ardhmen. Kosovës i duhet një qeveri e re e dalë nga zgjedhjet e 6 tetorit. Tash. Menjëherë. Dhe kjo qeveri nuk duhet të merret me politika simbolike, por me punë konkrete. Jo përralla kinse patriotike, por punë për të hequr bërllokun. Domethënë: përqendrim në spastrimin e sistemit. Korrigjim urgjent i gabimeve të qeverive të mëparshme. Angazhim i profesionistëve në poste të rëndësishme. Verifikim i shumicës se tenderëve dhe anulim i atyre që janë të dyshimtë. Ndërtim i një sistemi efikas të drejtësisë. Investim urgjent në arsim. Mbyllje urgjente e universiteteve e kolegjeve kriminale private. Spastrim i shërbimit diplomatik nga të paaftit dhe kriminelët. Mbyllje e «konsullatave të nderit» të Kosovës, të cilat janë çerdhe të spastrimit të parave. Vendosje e rregullit dhe profesionalizmit në mediat publike. Emërim i një bankieri profesionit nga diaspora perëndimore në postin e guvernatorit të Bankës Qendrore. Emërim i një shefi të ri, të papërlyer në funksionin e shefit të AKI-së dhe të Policisë së Kosovës. Dhe mijëra punë të tjera! A është e gatshme LDK për këtë fillim të mbarë? Nëse po, le ta lë vajtimin për shkak se nuk doli e para. Nuk doli, sepse nuk e meritoi. Por nëse qeverisë mirë, mund të dalë e para në të ardhmen.