Hasan Prishtina në Korrespondencën Shqiptare të Leo Freundlich

Në lajmet e publicistit austriak, Leo Freundlich, Hasan Prishtina përshkruhet si politikan me reputacion të madh në të gjitha trevat shqiptare dhe sidomos në Kosovë. Por si politikan dhe si ministër në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit ai ishte i pafuqishëm t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve në Kosovë. Hasan Beu kritikonte Francën se është bërë gramafon i Rusisë kundër Shqipërisë, përpiqej të lidhte aleancë me prijësin e «bandave bullgare», Sandanski, denonconte krimet serbe, kërkonte ndihmë nga Fuqitë e Mëdha, por në fund i dëshpëruar thoshte: «...shpresojmë se serbët nga mirënjohja ndaj shqiptarëve së paku t’i trajtojnë njerëzisht vëllezërit tanë në Serbinë e Re dhe do t’i respektojnë kufijtë e shtetit tonë të ri».

Hasan Prishtina. Foto: Kel Marubi



Mes viteve të bujshme 1912-1914 ish-deputeti socialist austriak, Leo Freundlich, luajti një rol të rëndësishëm në informimin e opinionit europian mbi zhvillimet në Shqipëri dhe në trevat shqiptare që mbetën jashtë Shqipërisë. Nga viti 1913 ai pothuaj çdo ditë mblodhi lajmet më të reja nga Ballkani dhe ia dërgoi një rrethi të zgjedhur. Këto lajme që Freundlich i quajti Korrespondenca Shqiptare shërbenin edhe si ndihmë orientuese për politikën e jashtme austro-hungareze. Edhe sot lajmet e Leo Freundlich ofrojnë pamje të re të ngjarjeve kritike në dhe rreth trevave të banuara me shqiptarë në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore. (Lajmet e Leo Freundlich i ka botuar si libër studiuesi Robert Elsie në vitin 2012: Die Albanische Korrespondenz [Korrespondenca Shqiptare]. Lajme agjencie nga kohërat e luftës. Qershor 1913 deri në gusht 1914. Shtëpia Botuese Oldenbourg München). Korrespondenca Shqiptare e Leo Freundlich mund të quhet edhe agjencia e parë shqiptare e lajmeve. Aty gjenden deklarata ekskluzive të politikanëve të kohës si Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Syrja Bej Vlora, Dervish Hima, Fan Noli etj. Në opinionin shqiptar Leo Freundlich njihet me veprën e tij «Golgota e Shqipnisë», publikuar në shqip nga Shtëpia Botuese Rrokullia. Lajmet e Korrespondencës Shqiptare të Leo Freundlich kanë një vlerë të madhe si burime autentike për zhvillimet në trevat shqiptare në Ballkan pas tërheqjes së Perandorisë Osmane dhe shpërthimit të luftërave ballkanike. Ndonëse Freundlich nuk e fsheh simpatinë për politikanë të caktuar (këtu duhet veçuar Hasan Prishtinën) dhe për të dërguar austro-hungarez në Shqipëri, në përgjithësi lajmet e tij për rrethanat e kohës janë shkruar me ton mjaft esëll. Një publicist konservator e kishte quajtur Korrespondencën Shqiptare si njërën prej «korrespondencave të pastra hebraike», duke iu referuar origjinës hebraike të Leo Freundlich.
Në këtë tekst kemi sjellë të përkthyera në gjuhën shqipe të gjitha lajmet e Leo Freundlich ku Hasan Prishtina luan rol prominent. Në lajmet e publicistit austriak Hasan Prishtina përshkruhet si politikan me reputacion të madh në të gjitha trevat shqiptare dhe sidomos në Kosovë. Por si politikan dhe si ministër në Qeverinë e Përkohshme të Ismail Qemalit ai ishte i pafuqishëm t’u dalë në ndihmë bashkëkombësve në Kosovë që u kanosej shfarosja nga pushtuesit serbë. Hasan Beu kritikonte Francën se është bërë gramafon i Rusisë kundër Shqipërisë, përpiqej të lidhte aleancë me prijësin e «bandave bullgare», Sandanski, denonconte krimet serbe, kërkonte ndihmë nga Fuqitë e Mëdha, por në fund i dëshpëruar thoshte: «…shpresojmë se serbët nga mirënjohja ndaj shqiptarëve së paku t’i trajtojnë njerëzisht vëllezërit tanë në Serbinë e Re dhe do t’i respektojnë kufijtë e shtetit tonë të ri».

11 qershor 1913
Një deklaratë e Hasan Bej Prishtinës

Korrespondenca Shqiptare boton këtë deklaratë të ish-deputetit të Prishtinës, Hasan Beut, i cili, siç dihet, ishte njëri prej prijësve të opozitës shqiptare në parlamentin turk dhe gëzon respekt të madh në qarqet kombëtare të Shqipërisë. Pala franceze ka deklaruar se Shqipëria është vend i panjohur, andaj është e nevojshme që ky vend së pari të administrohet nga një komision ndërkombëtar, para se t’i lejohet vetadministrimi. Shqipëria nuk është një Terra incognita për Europën; në vepra të veçanta, në revista dhe gazeta politikanët dhe dijetarët kanë shkruar përvojat e tyre nga ky vend – përfshirë francezët Degrand dhe Dozon. Fuqitë e Mëdha në fqinjësinë tonë janë të njoftuara në çdo aspekt mbi rrethanat në vendin tonë. Propozimi që Shqipëria të administrohet nga një komision ndërkombëtar, është një plan zbatimi i të cilit në Shqipëri do të shkaktonte trazira të pandërprera. Me keqardhje të madhe shohim se Franca sa i përket kësaj çështjeje ka marrë rolin e gramafonit të Rusisë.
Esat Pasha gjendet në udhëkryq. Ende mund të vendosë të veprojë në të mirën e shtetit. Atëherë me siguri do ta ketë mirënjohjen e kombit. Për të bërë keq i mungon fuqia. E vetmja gjë që mund të bëjë që emrin e vet ta mbulojë përgjithmonë me turp. Mënyra më e arsyeshme e veprimit për të do të ishte t’i nënshtrohej Qeverisë së Përkohshme.
Çfarë i duhet Shqipërisë urgjentisht është emërimi i një princi europian. Shqipërisë i duhet një prijës energjik të shtetit, rreth të cilit mund të mblidhen të gjithë elementët e shëndoshë dhe të mirë të vendit.

24 qershor 1913
Dëbimi i shqiptarëve nga Turqia

Korrespondenca Shqiptare raporton nga Konstanca (Rumani, v.j.): Këtu ndodhen kalimthi 300 shqiptarë, të cilët janë dëbuar nga Kostandinopoja (Stambolli, v.j.). Mes tyre janë shumë ish-nëpunës të lartë të Turqisë, tregtarë të njohur dhe avokatë. Së fundi këtu kanë arritur 70 punëtorë shqiptarë, të cilët qeveria turke i ka dëbuar nga Anadolli.
Avokati shqiptar, Mühlis Sabahedin, që dikur ka qenë mbrojtës i Zeki Beut, një dhëndër i ish-deputetit të Prishtinës, Hasan Beut, është deportuar në Sinope (qytet në bregdetin turk të Detit të Zi, v.j.).
Nga Vlora njoftohet se me çdo vapor po mbërrijnë studentë dhe personalitete të tjera shqiptare, të cilët janë përzënë nga Kostandinopoja për shkak të kombësisë së tyre. Të dëbuarve nuk u është dhënë afat për t’i rregulluar punët e tyre, andaj shumica jetojnë në mjerim të madh.
(Leo Freundlich: Die Albanische Korrespondenz [Korrespondenca Shqiptare. Lajme agjencie nga kohërat e luftës. Qershor 1913 deri në gusht 1914]).

30 qershor 1913
Ardhja e Ismail Qemalit në Vlorë

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Vlora e 29 qershorit 1913. Kryetari i Qeverisë së Përkohshme të Shqipërisë, Ismail Qemal Beu, ka arritur këtu i shoqëruar nga Hasan Bej Prishtina. Popullsia e cila kthimin e këtyre dy politikanëve e përshëndet me entuziazëm i priti ata me ovacione të mëdha.
Ismail Qemali menjëherë thirri një mbledhje të anëtarëve të Qeverisë për t’iu raportuar atyre mbi gjendjen e çështjes shqiptare dhe rezultatet e vizitës së tij.

10 korrik 1913
Udhëtimi i Hasan Beut dhe Sandanskit në Sofje

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Vlora. Pas arritjes në Vlorë prijësi i bandave bullgare Sandanski bisedoi me një numër të krerëve të njohur shqiptarë dhe më 6 korrik udhëtoi në Sofje me ish-deputetin e Prishtinës, Hasan Beun. Hasan Beu është udhëheqësi më me ndikim i shqiptarëve të Kosovës. Në të gjitha luftërat revolucionare dhe sidomos në kryengritjen e madhe të vitit 1912 Hasan Beu ka qenë në krye të komandës së trupave revolucionare. Ai është më i njohuri ndër udhëheqësit shqiptarë në Kosovë dhe para së gjithash ka ndikimin më të madh. Vizitës së tij në Sofje këtu i jepet rëndësi shumë e madhe.

6 shtator 1913
Arritja e krerëve shqiptarë në Vlorë

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Vlora: Prijësi i shqiptarëve në Vilajetin e Kosovës, Hasan Bej Prishtina, ka arritur në Vlorë. Ai shoqërohet nga vëllai i ministrit shqiptar të luftës, Hajdin Bej Draga. Krerët e fiseve Rexhep dhe Hasi, Jusuf Elezi dhe Ramadan Zaskoku, kanë ardhur në Vlorë për t’ia dorëzuar Qeverisë së Përkohshme një deklaratë, përmes së cilës ata e pranojnë Qeverinë e Përkohshme dhe duan ta mbështesin atë në çdo aspekt.

10 shtator 1913
Burgosja e krerëve shqiptarë nga serbët

Korrespondenca Shqiptare ka marrë nga prijësi i njohur i shqiptarëve të Kosovës dhe ish-deputeti i Prishtinës, Hasan Beu, njoftimin se autoritetet serbe i kanë arrestuar krerët shqiptarë Et’hem Kozhinca, Teme Dobroselce, Halil Vitaku, Rexhep Llanza dhe Feizullah Libohova. Shkak për burgosjen e tyre ishte dyshimi se të përmendurit mbanin korrespondencë me Hasan Beun. Meqenëse që nga burgosja e krerëve nuk ka më asnjë lajm dhe është e pamundshme të zbulohet vendqëndrimi i tyre, mendohet se ata nuk janë më gjallë. Ky supozim duket edhe më i drejtë pasi që kohëve të fundit mbi veprimet e autoriteteve serbe kundër krerëve shqiptarë në rrethinën e Gjakovës janë bërë të njohura lajme vërtet tronditëse. Në brendi të Vilajetit të Kosovës ende po kryhen ekzekutime të shumta të shqiptarëve. Meqë veprimet e serbëve ndaj shqiptarëve në territoret e okupuara janë në kundërshtim jo vetëm me vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër, por edhe me dispozitat e së drejtës ndërkombëtare, Qeveria e Përkohshme në Vlorë synon që kundër veprimit të Qeverisë serbe të dorëzojë një protestë te Fuqitë e Mëdha europiane.

17 shtator 1913
Emërimi i Hasan Beut

Qeveria e Përkohshme në Vlorë e ka emëruar ish-deputetin Hasan Beu ministër për Miniera dhe Pylltari. Sapo të lirohet dikasteri i Punëve të Brendshme pas dorëheqjes apo shkarkimit të Esat Pashës, pritet që Hasan Beu të emërohet ministër i Brendshëm. Hasan Beu, i cili në kryengritjet e fundit të mëdha në Vilajetin e Kosovës ka luajtur një rol të shkëlqyeshëm dhe është shpirti i lëvizjes revolucionare, gëzon prestigj të madh në mbarë Shqipërinë, e sidomos në veri. Në kohën e Luftës së Dytë Ballkanike ai bashkë me prijësin e bandave (bullgare, v.j.) Sandanski, i cili me gjasë është vrarë së fundi, ndërmori një udhëtim politik nga Vlora në Sofje, prej të cilit është kthyer para pak kohësh në Vlorë.

23 shtator 1913
Veprimi i serbëve në Kosovë

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Vlora: prej javësh këtu gati çdo ditë vijnë lajme mbi aktet e dhunshme, të cilat i kryejnë serbët në ish-Vilajetin e Kosovës kundër popullsisë së atjeshme shqiptare. Ministri Hasan Beu e njoftoi Korrespondencën Shqiptare se burgosja e krerëve shqiptarë të vrarë nga serbët, Et’hem Kozhinca, Teme Dobroselce, Halil Vitaku, Rexhep Llanza dhe Feizullah Libohova u bë vetëm për shkak se ata fajësoheshin se mbanin korrespondencë me Hasan Beun. Hasan Beu shpjegon se serbët në Kosovë prej muajsh kanë vrarë qindra shqiptarë.

24 shtator 1913
Emërimi i Hasan Prishtinës

Nga Vlora i shkruajnë Korrespondencës Shqiptare: Emërimi i Hasan Beut ministër për Bujqësi dhe Tregti si këtu ashtu edhe në mbarë vendin ka bërë përshtypje jashtëzakonisht të mirë. Qeveria po merr telegrame nga të gjitha viset e vendit, ku shprehet kënaqësi e madhe për emërimin si ministër të këtij politikani të popullarizuar. Hasan Beu u lind më 1878 në Vuçitërrn (Vushtrri) dhe kreu studimet e larta në Kostandinopojë (Stamboll). Në vitin 1908 popullsia e Prishtinës e zgjodhi atë përfaqësues të vetin në parlamentin turk, të cilit i takoi deri në shpërbërje. Hasan Beu ishte shtytësi dhe prijësi kryesor i kryengritjes së madhe të majit kundër Turqisë në Kosovë, e cila përfundoi në gusht me hyrjen e shqiptarëve në Shkup. Hasan Beu është në mbarë Shqipërinë jashtëzakonisht i popullarizuar. Sidomos në Shqipërinë veriore dhe në trevat që u janë dhënë serbëve ai gëzon mbështetje të madhe.

19 nëntor 1913
Një Asamble Nacionale shqiptare

Vlorë, 19 nëntor (telegram privat). Ministri i Bujqësisë dhe i Tregtisë, Hasan Bej Prishtina, ka udhëtuar në Elbasan. Thuhet se në kohën e ardhshme Hasan Beu synon të thërrasë një Asamble Nacionale në Elbasan, qëllimi kryesor i së cilës pritet të jetë t’i sqarojë rrethanat e brendshme të Shqipërisë.

20 nëntor 1913
Dorëheqje e ministrit shqiptar të Tregtisë

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Vlora: ministri për Tregti dhe Bujqësi, Hasan Bej Prishtina, i ka dorëzuar dorëheqjen kryetarit të Qeverisë së Përkohshme dhe është vendosur në Elbasan.

14 janar 1914
Një deklaratë e Esat Pashës

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Durrësi: Esat Pasha deklaron se Hasan Bej Prishtina, ish-ministri i Tregtisë i Qeverisë së Përkohshme, nuk është dërguar në Europë si i deleguar i tij, siç kishin njoftuar gazetat italiane. Por Esat Pasha konstaton se pajtohet me deklaratën e Hasan Beut sa i përket Princ Wiedit, që ai angazhohet për ngjitjen në fron të Princ Wiedit dhe përkrah ardhjen e tij të shpejtë në Shqipëri.

21 shkurt 1914
Delegacioni shqiptar i nderimit

Korrespondenca Shqiptare njofton nga Berlini: Delegacioni shqiptar i nderimit, i cili nën udhëheqjen e Esat Pashës arriti në Neuwied për t’ia ofruar Princit Wied Kurorën Shqiptare, përbëhet prej këtyre anëtarëve: Eqrem Bej Vlora për Shijak, Hasan Bej Prishtina dhe L. Bumçi për Durrës, myfti Vehbi Efendiu për Malësinë e Dibrës, Sami Bej Vrioni për Tiranën, Jusuf Abaz Kanina për Vlorën, Eqrem Bej Libohova dhe dr. Epamindë Koleka për Gjirokastrën, Abdul Bej Ypi dhe dr. Turtulli për Konicën, Iliaz Bej Vrioni dhe Lazar Gjumurdeka (?) për Beratin, Lef Nosi dhe Shefqet Bej Vërlaci për Elbasanin, Hysen Bej Vrioni për Pukën, Noc Cioba (?) dhe Pashk Kakarriqi për Shkodrën, Xhemil Bej Vlora për Peqin, Prenk Bib Dodë Pasha për Mirditën, dr. Hobdari për Kavajën dhe Miltiadhi Salvari.

3 mars 1914
Shqipëria dhe Serbia

Nga udhëheqësi i njohur i shqiptarëve të Kosovës, Hasan Bej Prishtina, Korrespondenca Shqiptare pranon këto shpjegime mbi marrëdhënien mes Shqipërisë dhe Serbisë: nuk mund të harrojmë se Serbia e ka shqyer nga trupi ynë pjesën më të çmuar të vendit tonë, Kosovën. Për çdo ditë marrim ankesa mbi shqetësimet, të cilave u janë nënshtruar vëllezërit tanë në Serbinë e Re. Serbët nuk duhet të harrojnë se për të gjitha pushtimet që ua solli viti i luftës ata na detyrohen neve. Me kryengritjet tona kundër xhonturqve ne i kemi përgatitur sukseset e tyre dhe sikur ne të mos ishim mashtruar nga premtimet e rrejshme të serbëve dhe nëse do t’ua mohonim turqve ndihmën tonë në luftë, serbët jo aq lehtë do të fitonin lavd dhe plaçkë lufte. Ata jo aq lehtë do të kishin ardhur nëpër Kosovë në Adriatik. Këto fakte serbët duhet t’i mbajnë në mend. Tani ne duam t’i kushtohemi zhvillimit tonë të brendshëm dhe nuk mendojnë për luftëra të jashtme, saqë do zemra na dhemb kur kujtojmë fatin e hidhur të vëllezërve tanë në Kosovë. Por shpresojmë se serbët nga mirënjohja ndaj shqiptarëve së paku t’i trajtojnë njerëzisht vëllezërit tanë në Serbinë e Re dhe do t’i respektojnë kufijtë e shtetit tonë të ri.

30 mars 1914
Tokat e bejlerëve shqiptarë në Serbinë e Re

Selanik, 30 mars (telegram privat). Siç njoftohet këtu, qeveria serbe ka vendosur që tokat e shumta të bejlerëve të arratisur shqiptarë t’u jepen me qira shtetasve serbë nga ana e autoriteteve. Shumat e qirasë pas heqjes së taksave përkatëse do të ruhen në arkat e gjykatave për t’ua dhënë pronarëve pas kthimit. Dihet se numri i bejlerëve të arratisur shqiptarë, të cilët në Serbinë e Re kanë çifligje, është mjaft i madh. Mes tyre janë Isa Boletini, ministri aktual i Postës, Hasan Prishtina, ish-ministri i Luftës, Mehmet Pashë Derhalla, dhe shumë të tjerë. Shumë pjesëtarë të parisë nga Dibra, të cilët aktualisht qëndrojnë si refugjatë në Shqipëri, janë nga rrethina e Tetovës, Prilepit, Resnjës, Manastirit, Serresit dhe Kavallës (këto dy të fundit në Greqinë e sotme, v.j.).

Copyright: Koha Ditore & dialogplus.ch