Hasan Prishtina më 1913: Franca ka marrë rolin e gramafonit të Rusisë kundër Shqipërisë

Nga Korrespondenca Shqiptare e Leo Freundlich: një deklaratë e Hasan Prishtinës e datës 11 qershor 1913 mbi kërkesat për administrimin e Shqipërisë nga një komision ndërkombëtar dhe rolin e Esat Pashë Toptanit.

Foto: Shutterstock



«Korrespondenca Shqiptare boton këtë deklaratë të ish-deputetit të Prishtinës, Hasan Beut, i cili, siç dihet, ishte njëri prej prijësve të opozitës shqiptare në parlamentin turk dhe gëzon respekt të madh në qarqet kombëtare të Shqipërisë. Pala franceze ka deklaruar se Shqipëria është vend i panjohur, andaj është e nevojshme që ky vend së pari të administrohet nga një komision ndërkombëtar, para se t’i lejohet vetëadministrimi. Shqipëria nuk është një Terra incognita për Europën; në vepra të veçanta, në revista dhe gazeta politikanët dhe dijetarët kanë shkruar përvojat e tyre nga ky vend – përfshirë francezët Degrand dhe Dozon. Fuqitë e Mëdha në fqinjësinë tonë janë të njoftuara në çdo aspekt mbi rrethanat në vendin tonë. Propozimi që Shqipëria të administrohet nga një komision ndërkombëtar, është një plan zbatimi i të cilit në Shqipëri do të shkaktonte trazira të pandërprera. Me keqardhje të madhe shohim se Franca sa i përket kësaj çështjeje ka marrë rolin e gramafonit të Rusisë.

Esat Pasha gjendet në udhëkryq. Ende mund të vendosë të veprojë në të mirën e shtetit. Atëherë me siguri do ta ketë mirënjohjen e kombit. Për të bërë keq i mungon fuqia. E vetmja gjë që mund të bëjë është që emrin e vet ta mbulojë përgjithmonë me turp. Mënyra më e arsyeshme e veprimit për të do të ishte t’i nënshtrohej qeverisë së përkohshme.

Çfarë i duhet Shqipërisë urgjentisht është emërimi i një princi europian. Shqipërisë i duhet një prijës energjik të shtetit, rreth të cilit mund të mblidhen të gjithë elementët e shëndoshë dhe të mirë të vendit».

Përktheu: Enver Robelli

(Leo Freundlich: Die Albanische Korrespondenz [Korrespondenca Shqiptare. Lajme agjencie nga kohërat e luftës. Qershor 1913 deri në gusht 1914]).

Çka është Korrespondenca Shqiptare e Leo Freundlich?

Mes viteve të bujshme 1912-1914 ish-deputeti socialist austriak Leo Freundlich luajti një rol të rëndësishëm në informimin e opinionit europian mbi zhvillimet në Shqipëri. Nga viti 1913 ai pothuaj çdo ditë mblodhi lajmet më të reja nga Ballkani dhe ua dërgoi një rrethi të zgjedhur. Këto lajme shërbenin edhe si ndihmë orientuese për politikën e jashtme austro-hungareze. Edhe sot lajmet e Freundlich ofrojnë pamje të re të ngjarjeve kritike në dhe rreth trevave të banuara me shqiptarë në prag të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore.