Haradinaj: Demarkacioni do kthehet në Çakorr, Asociacioni veç me Kushtetutë

Të premten pasdite në Vushtrri, në një takim të Degës së AAK-së në këtë komunë, ku ishte i pranishëm edhe lideri i kësaj partie Ramush Haradinaj, si dhe anëtarë tjerë të kryesisë qendrore, kanë aderuar rreth 150 anëtarë të rinj.




Haradina atje e quajti subjektin e tij më të fortë se asnjëherë, madje as në vitin 2009, kur i kishte fituar 18 për qind të votave nga elektorati

«Kurrë Kosovës nuk i është dashtë më tepër një parti serioze, se sa tash për t’i marrë proceset në dorë dhe kjo është AAK-ja, e cila çdo ditë e më shumë po rritet me anëtarë të rinj, por edhe kuadro të shkolluar brenda e jashtë vendit», ka thënë Haradinaj, raporton Koha.net.

Ju në Vushtrri, shtoi më tej Haradinaj, e keni provu deri tash forcën politike që e ka drejtuar këtë komunë, se çka ajo ka bërë për ju.
«Por me ardhjen e AAK-së në qeverisje, do të ketë shpresë për ju dhe gjithë Kosovën, sepse do të ketë në rend të parë zhvillim ekonomik, kurse temat që iu kanë mërzitë e bezdisë deri tash, si Asociacioni e Demarkacioni, nuk do t’iu shqetësojnë më. Sepse këto tema, kanë me e gjet zgjidhjen dhe drejtimin e duhur. Kufiri ka me u kthy aty ku e ka vendin, në Çakorr, kurse asociacioni edhe mund të krijohet, por vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjeve të vendit», është shprehur Haradinaj.