Habere të helmëta neootomane nga Tirana e Erion Xhonturkut dhe Edvin Çorbaxhiut

Përse Erion Velija dhe Edi Rama kontaminojnë ambientin publik shqiptar duke e importuar politikën e brendshme turke në Shqipëri?

Ilustrimi: Shutterstock



Është e pabesueshme me çfarë lehtësie kryetari i Tiranës dhe kryeministri i Shqipërisë provokojnë shqiptarët. Është shqetësuese se si këta dy politikanë, dikur aktivistë që ngjallnin shumë shpresa, tani janë shndërruar në popullistë të rrezikshëm, bajat, që për interesa të politikës ditore janë në gjendje të importojnë edhe konfliktet e brendshme turke në skenën publike shqiptare. Thua se Tirana na qenkësh lagje e Stambollit, thua se parqet e Tiranës na qenkan si Mali i Beogradit (Belgrad Ormanı) i Stambollit, andaj çfarë i dhemb padishahut turk detyrimisht duhet t’i djegë edhe miletit shqiptar. Rrjedhimisht, Erion Xhonturku dhe Edvin Çorbaxhiu emërojnë parqe në Tiranë me emra apo data në kujtim të 15 dhe 16 korrikut 2016, kur në Turqi dështoi përpjekja për grusht të shtetit. Sikur kjo të mos mjaftonte, tani është shpalosur edhe një pllakë e madhe me emrat e «shehidëve» turq, siç i konsideron Rexhep Taip Erdoani përkrahësit e tij të vrarë para tri vitesh.

Ç’na duhen këto pllaka përkujtimore turke në kryeqytetin shqiptar? Asgjë nuk na duhen. Ato tregojnë se politikanët shqiptarë, madje ata me më së shumti ndikim, nuk bëhen merak për sovranitetin e vendit, sepse nuk e dinë as çka është sovraniteti dhe çka është krenaria kombëtare, jo krenaria primitive, por krenaria që bazohet në patriotizmin kushtetues. E kushtetuta e përshkruan Republikën e Shqipërisë si atdhe të shqiptarëve dhe jo si krahinë osmane ku Erdoani mund të derdh helmin e tij politik dhe fetar.

Tentimi për puç në Turqi është një çështje mjaft e koklavitur. E vërtetë është se pati një përpjekje për të rrëzuar një qeveri legjitime dhe këtë e ka dënuar bota demokratike. Por ka aq shumë paqartësi në këtë përpjekje për grusht të shtetit, saqë për çdo politikan shqiptar është më mirë të mos përzihet fare. Vetë autokrati Rexhep Taip Erdoan e ka quajtur ngjarjen e 15 korrikut 2016 si «dhuratë nga Allahu». Që nga atëherë qindra-mijëra turq janë larguar nga vendet e punës, janë arrestuar, keqtrajtuar. Shumë gazetarë janë futur në burg, të tjerë kanë ikur në botën perëndimore, sidomos në Gjermani, intelektualë të shquar kanë zgjedhur ekzilin e brendshëm për t’i shpëtuar represionit brutal të pushtetit të Erdoanit.

Së paku gjysma e elektoratit turk e kundërshton me vendosmëri regjimin e Erdoanit. Së fundi partia e tij AKP humbi Stambollin, dhe brenda AKP-së disa figura dikur me autoritet dhe ndërkohë të izoluara nga Erdoani kanë kritikuar metodat autoritare dhe arbitrare të sundimit nga klani i Erdoanit. Në vend se të mbajnë një qëndrim të kujdesshëm dhe të rezervuar ndaj Erdoanit, Erion Xhonturku dhe Edvin Çorbaxhiu pozicionohen në krah të një politikani shumë të kontestuar – pa menduar për pasojat afatmesme dhe afatgjata të kësaj politike.

Viteve të fundit Turqia ka shtuar presionin kundër Shqipërisë për të dorëzuar të ashtuquajturit gylenistë, përkrahës të predikuesit Fethullah Gülen, me ndihmën e të cilit Erdoan ka ardhur në pushtet dhe i ka prishur raportet me të vetëm kur Gülen kritikoi korrupsionin e klanit Erdoan – dhe prokurorët nisën hetimet. Kosova tashmë ka dhënë një shembull të keq: segmente parashtetërore nën kontrollin e presidentit Hashim Thaçi kanë organizuar rrëmbimin e disa qytetarëve turq dhe ia kanë dorëzuar ata agjentëve turq. Një avion me gjasë i shërbimit sekret turk ka aterruar në Prishtinë si në bahçe të babës. Nën presion gjendet edhe Maqedonia. Për asnjërin nga gylenistët e dyshuar nuk ka garanci se e pret një proces i pavarur gjyqësor.

Në Shqipëri struktura të afërta me Erdoanin janë përpjekur pa sukses të imponojnë si kryetar të komunitetit mysliman një dinjitar të afërt me Diyanet-in, presidencën për çështje fetare të Turqisë. Kryetari i mëparshëm i komunitetit mysliman në Shqipëri përbuzej nga militantët e Erdoanit dhe etiketohej si gylenist. Në të vërtetë ai angazhohej që myslimanët shqiptarë të mos jenë pjesë e agjendës së Erdoanit për t’i bërë shqiptarët ndjekës e vartës të «vëllazërisë myslimane».

Erion Velija (tani Xhonturku) dhe Edi Rama (tani Çorbaxhiu) dikur flisnin shumë të për drejtat qytetare dhe silleshin si mondialistë, tani sillen si sekretarë të Erdoanit. Andaj nuk flasin kurrë për qindra gazetarë e aktivistë të shoqërisë civile turke të burgosur e dënuar pa asnjë fakt, të terrorizuar pamëshirshëm nga pushteti i Erdoanit dhe drejtësia e kontrolluar prej tij dhe të shtyrë të ikin në ekzil. Për shembull: qe 650 ditë gjendet në burg Osman Kavalla, filantropi më i njohur i Turqisë, aktivisti që me dekada ka luftuar që në Turqi të mbizotërojnë vlerat perëndimore siç janë demokracia dhe sundimi i ligjit, por edhe respektimi i pakicave. Avokati i Osman Kavallës thotë se klienti i tij po mbahet në burg pa asnjë fakt. Këtë po e thotë madje edhe një deputet i partisë së Erdoanit.

Prokuroria e akuzon Osman Kavallën se ka mbështetur protestat kundër shkatërrimit të parkut Gezi. Këto protesta prokuroria i sheh si përpjekje për të rrëzuar Erdoanin, i cili dikur ka thënë se për të demokracia është si tramvaji: «Kur të arrijmë në cak, zbresim». Erdoani qëmoti ka zbritur nga tramvaji i demokracisë. Ndoshta pikërisht kjo u pëlqen Edi Ramës e Erion Veliajt.

Kur u bë kryeministër, Rama tha se do e hapte një ambient në kryeministri për aktivitete kulturore. Tani është momenti që artistët, zërat publikë, aktivistët e shoqërisë civile, studentët e Tiranës të shkojnë në atë ambient në kryeministri dhe të organizojnë një aktivitet në kujtim të Osman Kavallës dhe qindra turqve properëndimorë të ndëshkuar paligjshëm nga Erdoani. Njëkohësisht duhet t’i jepet një ultimatum Erion Veliajt: nëse brenda një afati të shkurtër nuk i heq pllakat përkujtimore që e bëjnë Tiranën të duket si kazan të politikës turke, atëherë le të bëhet gati për revoltë qytetare. Duhet vetëm të gjenden qytetarët shqiptarë që revoltohen.