Gruaja si problem

Dy fjalë për 8 Marsin, «muhabetet e burrave» dhe patriarkalizmin.



Sërish vjen marsi! Sërish vjen stina e kanagjeqeve njëgjinore. Nëpër kakofoni urimesh dëgjon tek thuhet «Urime! Ndonëse tash 8 Mars po e kemi për çdo ditë». Luksi i 8 Marsit të çdoditshëm lidhet me «të drejtën» dhe mundësinë për t’u rregulluar (lexo: shkretuar) çdo ditë, për t’u veshur (lexo: për ta tepruar), për të dalë e shëtitur (lexo: për të pirë kafe mbas kafe nëpër qendra tregtare dhe për të pozuar me fëmijët tek thithin tymin e cigareve).

Megjithatë, nuk dua të analizoj 8 Marsin si ditën kur vetë të qenurit grua shndërrohet në një manifestim për të vërtetuar dhunën. Dhunë, që jo detyrimisht manifestohet me grusht dhe dhunë fizike, por me konceptin patronizues e maskilist për «gjininë e butë» dhe qytetare të rendit të dytë. Këtë herë do të merrem me tre nga katër problemet e gruas që janë të pakapërcyeshme për mendësinë patriarkale kosovare.

Në këtë mars diskursi publik në Kosovë është hegjemonizuar nga muhabete «burrash» për tradhti, kombëtari, shenjtëri dhe çështje tjera që në shoqëritë e para-zhvilluara konsiderohen vetëm tema për bartësit e fallusit. Pikërisht në këtë dimension dua të shpjegoj se gruaja është ajo nënvetëdija e shtypur ku gjenden të gjitha sëmundjet, komplekset, histeritë dhe dhuna.

Janë katër «mëkate» të një gruaje që patriarkalizmi shqiptar i Kosovës nuk i përpin dot. E para, kur një grua e manifeston hapur pavarësinë e vet ekonomike dhe shoqërore. Edhe në rastet kur ajo është përkrah një burri shumëherë më mediokër, më të paarrirë, më të palexuar se ajo, rendi (patriarkal) e do që primatin ta ketë burri. Në punë një grua mund të jetë astronaute, prokurore, rektore univeresiteti, por në shtëpi dhe në shoqëri ajo është vetëm një grua me virtyte të larta të përulësisë, durimit dhe bindjes. Në fund të fundit, gjithçka që gruaja ka arrritur në jetë është në saje të zemërgjerësisë së burrit të saj, jo sepse ajo në vetvete është e denjë për të drejtën e shkollimit, formimit, emancipimit etj. «Burri nuk ia ndal as shkollën, as punën», se ai e ka fuqinë dhe mbi të gjitha të drejtën edhe për t’ia ndaluar.

E dyta, kur një grua vendosë vetë të ndahet nga burri! Për mendësinë patriarkale kërkesa – jo vendimi – për ndarje mund të ndodhë në rastet kur burri e dhunon gruan. Flasim gjithmonë për dhunë fizike e cila është e vërejtshme nga komshiu, rrethi etj., sepse forma të tjera të dhunës më sublime psikologjike as që merren në mend. Raste të tjera për këtë kërkesë mund të jenë nëse burri «ka hyrë rrugëve të këqija», dhe këtu zakonisht aludohet te narkomania dhe bixhozi. Në rast kur asnjëra nga këto nuk ka ndodhur, nuk ka argument mbi këtë tokë që do të legjitimonte kërkesën për t’u ndarë. Mungesa apo zbehja e dashurisë, mirëkuptimit apo zhvillimi i të dyja palëve në drejtime të kundërta janë thjeshtë lazdrime të inspiruara nga telenovelat.

E treta, psikika patriarkale kosovare nuk e kapërdin faktin që një grua e shkurorëzuar (me ligj apo me adet) të jetojë normalisht si njerëzit e tjerë. Një grua e shkurorëzuar është e detyruar ta veshë përgjithmonë petkun e turpit, dështimit dhe uljen e pritshmërive për vetveten. Ajo duhet ta pranojë damkën ndëshkuese patriarkale si identitetin e saj parësor. «Është e ndame prej burrit» – ky është identiteti i parë që del për të, para emrit, moshës, punës, njerzillëkut etj. E në rastin e parë që një e shkurorëzuar guxon të mos përluet, damkosja për të merr përmasa biblike.

E katërta, dhe ndoshta më agresivisht e përhapura, është të guxuarit e një gruaje shqiptare të Kosovës të ketë një lidhje (jo)serioze me një joshqiptar. Meqenëse kjo është një temë që do shtjellimin të vecantë, po e lë për ndonjë herë tjetër.

Debatet e fundit për shenjtërinë e miqësisë me Adem Jasharin, për besnikërinë ndaj luftës dhe për tradhtinë, dëshmuan edhe njëherë se burri shqiptaro-kosovar ka mbetur i ngujuar në krenari të tejkaluara të fallusit, të «burrnisë» dhe të luftës heroike. «Në kulturën time, nuk është princip të shtyhem me gra, por me burra», ka qenë replika e paharrueshme e zëvendëskryeministrit të Kosovë, Hajredin Kuçit. Për këtë mendësi gruaja, qoftë si bashkëshorte, qoftë si kolege, qoftë si konkurrente, është aty sepse është e «toleruar» nga një burrë, por jo pse ajo ka një pjesë të barabartë për të ndarë në bashkëjetesë, në punë, në zyrë apo edhe në lavdi të luftës.

Krejt të kundërtën, në këto tri dekadat e fundit, gruaja është zhvilluar dhe emancipuar, paçka se në të shumtën e rasteve ajo vazhdon të gjejë baraspeshën për të përmbushur pjesën e saj në karrierë, në krijimin e familjes dhe në trajtimin me kujdes të sedrës prej fëmije të burrit të trazuar kosovar.