Gruaja Demokratike vazhdon aktivitetet e fushatës kundër kancerit të gjirit

Gjatë ditës së sotme në Pejë, kryetarja e Grua Demokratike, Justina Shiroka Pula në shoqëri të bashkëshortes së zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, Lumnije Thaçi, dhe anëtaret tjera të kryesisë së GD-së, zhvilluan takim në fushatën sensibilizuese kundër kancerit të gjirit.




Në pjesën qendrore të këtij manifestimi, Afërdita Lajçi, kryetare e GD-së në Pejë, foli për rëndësinë e fushatës në luftë kundër kancerit të gjirit.

«Për secilën sëmundje më e mirë është preventiva, andaj të gjitha gratë duhet të mobilizohemi për t’i shërbyer asaj», tha Lajçi.

Nënkryetari i degës së PDK-së, Muhamet Latifi, pasi përshëndeti të gjitha gratë pjesëmarrëse të këtij manifestimi, theksoi: «Kjo fushatë është iniciativë që e kanë zili të gjitha partitë tjera, madje edhe ne meshkujt. Uroj të vazhdohet me aktivitete të tilla».

Bashkëshortja e zëvendëskryeministrit Hashim Thaçi, Lumnije Thaçi, gjithashtu e ka vlerësuar lart aktivitetet e kësaj fushate, e cila shërben parandalimit të një të keqe për shoqërinë.

«Aktualisht nga kanceri i gjirit preket çdo e dhjeta femër, andaj na duhet mobilizim i gjithë shoqërisë, pasi jeta e çdo femre, ka vlerë për familjen, miqtë shoqërinë dhe shtetin», tha Thaçi.

Kryetarja e GD-së, Justina Shiroka Pula, e vlerësoi muajin tetor si muaj i aktiviteteve për sensibilizimin në luftimin e kancerit të gjirit.

«Gratë duhet ta dinë që zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit, është fitore për të gjitha ne, gjersa vetë kontrolli është forma më e mirë që i shërben preventives», tha Pula.

Në vazhdim të këtij aktiviteti u shfaq dokumentari që shënon fushatën e luftimit të kancerit të gjirit, të punuar nga regjisorja Burbuqe Berisha.