Granit Xhaka do të bënte mirë të kërkonte një punëdhënës tjetër

Në çështjen Granit Xhaka dhe Arsenali bëhet fjalë për pritjet ndaj një futbollisti të shtrenjtë dhe problemeve të thella në klub.

Granit Xhaka.



Është e diele, 27 tetor, në orën 16:28. Granit Xhaka prek edhe njëherë shiritin e kapitenit në krah. Pastaj ai i prin Arsenal drejt barit në ndeshjen kundër Crystal Palace. Pritjet nuk lënë shumë hapësirë manovrimi: Arsenali duhet të fitojë. Në orën 17:51 paralajmërohet një ndërrim në ekip; rezultati i ndeshjes është 2:2. Një numër i madh i 60’345 shikuesve duartroket kur në tabelë shfaqet numri 34. Numri 34 është Granit Xhaka. I shoqëruar nga thirrmat urrejtëse ai kalon mbi bar, vendos duart te veshët, lëviz krahët dhe ua përplas një sharje fansave të pakënaqur. Pastaj e mbështjellë kokën me dres dhe i tronditur zhduket në brendi të stadiumit. Në këtë ndeshje nuk shënohet ndonjë gol tjetër dhe publiku bërtet edhe më shumë.

Në orën 19:00 trajneri i Arsenalit, Unai Emery, thotë se reagimi i Xhakës kishte qenë «gabim», por nuk ndihmon në sqarimin e situatës. Katër ditë më vonë Xhaka publikon në Instagram një deklaratë ku thekson dashurinë e tij për Gunners (siç quhet Arsenali). Klubi tregon pak dashuri ndaj Xhakës. Më 5 nëntor ai nuk është më kapiten, në ndeshjet kundër Liverpool, Wolverhampton, Vitória Guimarães dhe të dielën në Leicester ai qëndron larg ekipit. Para se të bëhet bashkë me lojtarët e tjerë të kombëtares zvicerane, ai i jep një intervistë gazetës bulevardeske zvicerane «Sonntags-Blick», ku flet për rreziqet e mediave sociale dhe me ton luftarak tregon besnikërinë e tij ndaj Arsenalit.

Në Londër shtrohet ky pyetje: si mund të eskalojë kaq shpejt një marrëdhënie? Përgjigjja është shumështresore. Ajo ka të bëjë me lojën e futbollistit, i cili më 2016 është blerë për 40,5 milionë funta. Si Mesut Özil ai i përket futbollistëve më të shtrenjtë, të cilët nuk kanë arritur ta fitojnë mbështetjen e publikun – edhe për shkak të sjelljeve të çuditshme. Por lojtarët janë pjesë e një imazhi të madh, i cili shpalos pakënaqësinë mbi Arsenalin. Shumë përkrahës nuk janë të kënaqur me ecjen e punëve; kjo ka të bëjë me pronarin amerikan të klubit Stan Kroenke dhe me trajnerin spanjoll Unai Emery, i cili në maj 2018 ka zënë vendin e trajnerit shumëvjeçar Arsène Wenger.

Fakt është se shumica e fansave të Arsenalit nuk kanë qenë aq të entuziazmuar kur në shtator Xhaka, pas shkuarjes së Laurent Koscielnys, u emërua kapiten. Të pakënaqur janë sidomos ata përkrahës të cilëve u kujtohet se si francezi Patrick Vieira me vite të tëra si kapiten e ka dominuar mesin e fushës.

Xhaka është përgjegjës në defensivë dhe pikërisht atje janë parë mangësi: kur shfaqet rreziku, reagimet e tij shpesh shkaktojnë gola – si për shembull kundër Tottenhamit në shtator, kur ndërhyrja e tij pati për pasojë një penallti. Krahas kësaj edhe statistika nuk është në favor të zviceranit (fjala është për Granit Xhakën, v.j.). Opta, një firmë për analiza sportive, mbledh të dhënat e Premier League, dhe këtu dëshmojnë qartë se Xhaka bën shumë gabime, të cilat shkaktojnë gola të kundërshtarit.

Shpesh shtrohen pyetje mbi sukseset e zviceranit, i cili më 2016 ishte një transfer i shtrenjtë. Por ajo që nga ana e fansave u zbraz kundër Xhakës në ndeshjen kundër Crystal Palace, nuk mund të shpjegohet vetëm me animozitete personale. Ky është kapitulli i fundit në serinë e keqkuptimeve mes klubit, i cili nuk luan më për tituj të mëdhenj, dhe bazës së fansave gjithnjë e më të zemëruar, të cilët ëndërrojnë kohërat e mira me Wengerin para dhe pas vitit 2000.

Xhaka nuk është i pari që ballafaqohet me këtë mllef si të thuash institucional. Madje edhe Arsène Wenger, i cili qëmoti i ka fituar tre tituj të Premiere League dhe ngaherë ka qenë në finalen e Champions League, është përzënë nga stadiumi nga brigada «Wenger Out». Edhe Emery është përballur me kritikë, e cila nuk po merr fund pas disfatës 0:2 kundër Leicester të dielën. Deri më tani Emery shpesh e ka degraduar Özilin, por kjo i ka ndarë fansat në dy taborë. Ndërkohë anglishtja e trajnerit nuk po përmirësohet. Kjo në anglisht problematizohet shpejt dhe ka potencial të hutimit, sidomos kur si në rastin e Xhakës rritet kompleksiteti.

Mënyra se si Koscielny para fillimi të sezonit e dorëzoi shiritin e kapitenit është simptomatike për një klub të përfshirë nga tensionet. Francezi refuzoi të udhëtojë në SHBA dhe imponoi transferin në Bordeaux. Kështu u shumëzuan gabimet dhe mllefi kolektiv u shndërrua në ortek, i cili së fundi e mbuloi edhe kapitenin. Mënyra se si u deklarua Xhaka në Instagram, hedh një dritë mbi atmosferën toksike në klub. Me sa duket ai i është nënshtruar sulmeve të ashpra, edhe të natyrës personale.

Sidoqoftë, aktualisht Arsenali është duke e helmuar veten nga brendia. Në Londër mendimet janë të qarta: Xhaka do të bënte mirë të kërkonte një punëdhënës tjetër dhe të largohej me një «sorry». Para ndeshjes kundër Leicester Emery nuk u shpreh aq qartë për Xhakën. Thelbi i asaj që tha: Xhaka e ka njoftuar trajnerin se «ende nuk është në dispozicion». Njohës të rrethanave thonë se Xhaka po kërkon zgjidhje – përkundër parullave që i shprehur në «Sonntagsblick». A ka folur Emery me bordin e Arsenalit? Trajneri refuzoi të përgjigjet qartë. Ai tha diçka në këtë kuptim: të gjithë po e njoftojnë njëri-tjetrin mbi zhvillimet.

Nuk do të ishte befasi nëse Xhaka në shkurt nuk është më lojtar i Arsenalit. Ndoshta atëherë as Emery nuk është më trajner i arsenalit.

Ian Winrow është gazetar në Londër dhe shkruan për «Telegraph» dhe «Times». Ky tekst u botua në gazetën zvicerane «Neue Zürcher Zeitung».