Gorani: Ishte më vështirë për Vetëvendosjen, sesa për mua të jem aty

Analisti Dukagjin Gorani, që sot ka aderuar në Lëvizjen Vetëvendosje, ka thënë në «Interaktiv» të KTV-së se ka nderin që është, tashmë, pjesë e Vetëvendosjes.




«Kam nderin që të jem anëtar i Vetëvendosjes, për ata ka qenë më vështirë sesa për mua që të jem aty», ka thënë Gorani, teksa ka shtuar se njerëzit po bashkohen në Vetëvendosje për shkak të qëndrimeve dhe bindjeve, transmeton Koha.net.

Zgjedhja e Vetëvendosjes nga Gorani ka ndodhur sepse ai e ka parë atë si të vetmën organizatë që ka vendosur t’i bëj ballë dhe të kundërshtojë gjatë këtyre viteve kulturën politike në Kosovë.

«Vetëvendosja është e vetmja organizatë që është e vendosur që të rezistojë, në skenën e sotme politike, besoj se te Vetëvendosja ekziston një potencial për ndryshim modeli, vetëvendosjes i duhet përkrahje dhe ndihmë. Kundërshtimi ka ardhur vetëm prej Vetëvendosjes, nëse ka tjetër më tregoni», ka shtuar Gorani, duke thënë se AAK dhe Nisma janë aktivizuar vetëm së fundmi.

Anëtari më i ri i Vetëvendosjes, Dukagjin Gorani ka pranuar se ka provuar të krijojë një parti të re, por që ka dështuar të mbledhë njerëz për këtë punë.

«Nuk kam mundur të gjej njerëz», është shprehur ai në «Interaktiv» të KTV-së, duke shtuar se nuk ka lënë njeri në skenën politike, me të cilin nuk ka diskutuar për krijimin e partisë, transmeton Koha.net.

Gorani ka treguar se partia të cilën ka tentuar ta krijojë, do të ishte libera-demokrate apo një e majtë e zbutur, por që nuk do të dallonte nga Vetëvendosja.