Gjykata Speciale po konstituohet fshehtas

Prishtinë, 14 tetor – Qeveria e Kosovës është duke ndërmarrë një varg veprimesh në llogari të konstituimit të Gjykatës Speciale. Është duke i zbatuar fshehtë ato.




Burime të gazetës kanë thënë të martën se ka një listë çështjesh që janë në proces realizimi, shruan sot Koha Ditore.

«Po punohet në disa drejtime. Edhe në hartimin e legjislacionit sekondar të gjykatës, edhe në marrëveshjen me shtetin nikoqir», ka thënë një zyrtar qeveritar në kushte anonimiteti, që nuk është lëshuar në detaje. «Janë hartuar edhe plane që përshkruajnë në detaje prej infrastrukturës që duhet vënë në dispozicion Gjykatës, e deri te veprimet që duhet ndërmarrë për ta menaxhuar situatën pas shpalljes së aktakuzave».

Për këto çështje nuk kanë folur në Qeveri. Dikasteret qeveritare e kanë hedhur përgjegjësinë te njëri-tjetri, kur u është kërkuar për të dhënë informacione në lidhje me aktivitetet që janë në funksion të konstituimit të Speciales.

Gazeta ka adresuar pyetje në Zyrën e Kryeministrit përkitazi me këto veprime, e po kështu edhe për negociatat me shtetin tjetër ku do ta ketë selinë Specialja, si dhe për fazën në të cilën është finalizimi i Statutit të Gjykatës. Kjo zyrë ka sugjeruar për t’i referuar pyetjet në Ministrinë e Drejtësisë.

Pyetje i janë adresuar edhe Ministrisë së Punëve të Jashtme që drejtohet nga Hashim Thaçi. Por, përgjigjet nga ky institucion kanë munguar