Fundi i shekullit amerikan

Çfarë na tregon jeta e Richard Holbrooke për rrënimin e Pax Americana.

Richard Holbrooke.



Ai që është quajtur shekulli amerikan zgjati në të vërtetë diçka më shumë sesa gjysmëshekulli, aq sa jetëgjatësia e Riçard Hollbrukut (Richard Holbrooke). Ai filloi me Luftën e Dytë Botërore dhe shpërthimin krijues që e pasoi luftën, Kombet e Bashkuara, Aleanca e Atlantikut, politika e mbajtjes nën kontroll të komunizmit (containment), bota e lirë, e mandej vijoi me uljet dhe ngritjet marramendëse derisa vdiq një ditë së fundi. Gjëja që u shkakton fatkeqësinë Fuqive të Mëdha, a është thjesht kryelartësia arrogante (hubris), apo dekadenca dhe shpërdorimi, apo një lloj humbjeje e vëmendjes, apo humbja e besimit, apo thjesht kalimi i viteve? Në një kohë të caktuar ajo gjëja vjen dhe ne nisim e flasim për një epokë të mbaruar. Nuk ishte një epokë e artë, ka pasur edhe shumë marrëzira e gabime, por mua më ka marrë malli për të. Për ne, më e mira ka qenë e pandashme nga më e keqja. Ndjenja se ne mund të bënin çdo gjë na dha Planin Marshall dhe Vietnamin, paqen në Dejton (Dayton) dhe luftën e pafundme në Afganistan. Vetëbesimi dhe energjia jonë, shtrirja dhe zotërimi ynë, tepria dhe verbëria jonë, nuk ishin aq të ndryshme nga ato të Riçard Hollbrukut. Ai ishte njeriu ynë. Kjo është arsyeja pse duhet rrëfyer kjo histori.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Hollbruku shërbeu si diplomat nën drejtimin e çdo presidenti demokrat, që nga Xhon Kenedi (John F. Kennedy) e deri te Barak Obama (Barack Obama), që nga Vietnami e deri te Afganistani. Por, kulti i tij për vetveten e largonte nga eprorët e kolegët dhe ai nuk e arriti dot qëllimin e jetës: të bëhej Sekretari i Shtetit. Ai nuk ishte një strateg i madh, por prania e harbuar publike e tij e shndërroi atë në mishërimin e disa ideve në veprim. Pikëpamjet e tij, si të gjithkujt, dilnin nga sistemi i tij nervor, nga thelbi i karakterit të tij, ku Amerika ishte diçka më tepër sesa pushteti i saj. Ai besonte se pushteti sjell përgjegjësi, dhe nëse ne nuk ia dilnim t’i përballonim ato përgjegjësi, vuajtjet e botës do të përkeqësoheshin dhe, rrjedhimisht, problemet e të tjerëve do të bëheshin edhe tonat, dhe nëse nuk vepronim ne askush tjetër nuk do të vepronte. Ndoshta jo domosdoshmërisht me forcë, por ama me gjithë peshën e plotë të ndikimit amerikan. Kjo ishte doktrina e Hollbrukut, e mishëruar në Dejton, ku ai i dha fund një lufte dhe solli një paqe të trazuar në Bosnjë. Vendi i mbetet borxhli për ekzistencën e kësaj paqeje internacionalizmit liberal të Pax Americana. Tanimë që këto fjalë janë kthyer në histori të shkuar dhe ne jemi tërhequr drejt nacionalizmit, shëmtia e të cilit të kujton gjithmonë e më tepër politikën ballkanike, na duhet t’i rikthehemi Bosnjës për të këqyrur se cilat janë humbjet kur Amerika vendos ta lërë botën në punët e saj.

I. ISH-JUGOSLLAVI, dhjetor 1992

Bënte shumë ftohtë por nuk kishte rënë ende dëborë. Kampi i refugjatëve ishte në një qytezë barakash me emrin Karllovac, një orë në dalje të Zagrebit, kryeqytetit kroat. Tre mijë boshnjakë myslimanë, kryesisht burra, jetonin në dy ndërtesa prej betoni. Boshnjakët flinin në krevate marinarësh me nga tri kate të vendosur mbi dyshemetë prej betoni rrethuar me mbulesa përqark shtyllave të tyre. Në ajrin e rënduar ata prisnin e prisnin një fjalë për ndonjë shtëpi të re në një vend tjetër. Ndërkombëtarët donin që një ditë ata të ktheheshin sërish në Bosnjë, por ata burra nuk e dëshironin një gjë të tillë.

Hollbruku, që ishte në Ballkan në emër të Komitetit Ndërkombëtar të Shpëtimit, një organizatë për refugjatët me një bord me gra dhe burra të famshëm, përfshirë edhe atë vetë, u përkul përpara me duart pas shpine për të dëgjuar një djalë të ri në një grup të shtrirë mbi krevate. Ai ishte një bukëpjekës nga Prijedori, një qytet në veri të Bosnjës. Qyteti kishte qenë me shumicë myslimane deri kur kishte shpërthyer lufta në pranverë. Paramilitarët serbo-boshnjakë kishin zbarkuar në Prijedor, edhe në Zvornik, Bijelinë, Omarska, Orashaci, Bishçani, Sanski Most dhe në qytetet e tjera. Duke ndjekur plane të kujdesshme, njerëzit e armatosur e rrethonin qytetin, i bllokonin daljet, dhe pastaj shkonin shtëpi më shtëpi teksa serbët vendas identifikonin familjet myslimane, e në më pak raste edhe familjet kroate. Paramilitarët i nxirrnin banorët jashtë në rrugë dhe pastaj plaçkitnin e shkatërronin shtëpitë. Gratë, fëmijët dhe pleqtë nxirreshin jashtë qytetit dhe detyroheshin të largoheshin drejt sigurisë relative të Kroacisë. Burrat ndaheshin në grupe. Ata që i kishin emrat në listat e njerëzve të njohur vendas i merrnin dhe nuk i shihte më njeri.

Të tjerët dërgoheshin në kampe përqendrimi, ku liheshin pa ushqim dhe detyroheshin të jetonin në fëlliqësitë e tyre. Njerëzit e armatosur i torturonin të burgosurit me rrëfime për përdhunime grash dhe vrasje fëmijësh. Të burgosurit urdhëroheshin të kryenin akte seksuale me njëri-tjetrin. Detyroheshin të hapnin varre masive dhe t’i mbushnin me kufomat e miqve dhe të afërmve të tyre. Në disa qytete paramilitarët ishin më pak diskriminues dhe vrisnin çdo mysliman deri tek i fundit. Por, qëllimi ishte gjithandej i njëjtë: të spastrohej vendi krejt duke lënë vetëm serbët; të bëhej e pamundur për grupet e ndryshme të Bosnjës që të mund të jetonin sërish së bashku.

Kur njerëzit e armatosur zbarkuan në Prijedor, bukëpjekësi ishte fshehur në pyll dhe i kishte vëzhguar ata teksa i shkatërronin shtëpinë. Fqinjët e tij, që ai i kishte njohur prej vitesh dhe i quante miq, e kishin gjetur dhe e kishin dorëzuar te paramilitarët. Fqinjët e kishin bërë atë akt pa keqardhje. Ai akt kishte qenë shenja e parë e urrejtjes që bukëpjekësi kishte vënë re tek ata, dhe befasia e tij e kishte tronditur. Kur Hollbruku e kishte pyetur pse i kishin bërë serbët gjithë ato gjëra, bukëpjekësi tha vetëm: «Nuk e di.» Ai kishte qenë me fat që ishte vetëm një bukëpjekës dhe jo njeri i njohur. Ai ishte dërguar në kampin e përqendrimit në Manjaça, nga ku ishte larguar përtej kufirit për në Kroaci, ku ishte bërë një nga dy milion refugjatët e luftës.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

E gjithë ajo ishte quajtur me një eufemizëm të shëmtuar që pasqyronte edhe mënyrën e të menduarit të autorëve: spastrim etnik. Në një udhëtim të mëparshëm në gusht në Bosnjë, Hollbruku kishte parë pasojat e menjëhershme të tij: radhën e shtëpive të shkatërruara të myslimanëve dhe një shtëpi serbe e paprekur, fabrikat e rrënuara, fushat me misër të kalbur, gangsterët e armatosur serbë, myslimanët e rreshtuar për të nënshkruar dorëzimin e pasurisë së tyre dhe pastaj të ngjeshur në autobusë për t’i nisur drejt Kroacisë. Tani ai po fliste me të mbijetuarit.

Ishte një punëtor fabrike nga Sanski Mosti përgjegjësi serb i të cilit një natë i kishte shkuar në shtëpi me një grup serbësh me uniforma dhe të armatosur. Ata e kishin urdhëruar të largohej nga shtëpia dhe pastaj e kishin hedhur në erë, teksa gjatë gjithë kohësh përgjegjësi nuk e kishte parë në sy asnjëherë. Ishte një burrë nëna 70-vjeçare e të cilit ishte përdhunuar dhe kishte mbetur ende e bllokuar në Sanski Most. A mundej Hollbruku ta ndihmonte për ta nxjerrë nga Bosnja? Ishte një plak që u hoq zvarrë midis shtretërve për t’i treguar Hollbrukut se si rojat serbe ia kishin thyer këmbën. «Këta serbët janë kaq të tmerrshëm, saqë sjellin edhe fëmijët e tyre 10-vjeçarë në kamp që këta t’i vështronin kur ata na rrihnin», tha plaku.

«Nuk janë të gjithë serbët e këqij», – tha një djalë, – «por ata që nuk pranonin të merrnin pjesë u vranë nga serbët e tjerë qysh në fillim».

Historitë ishin të gjitha njësoj. Një dalldi e egër dhe e pashpjegueshme ishte përhapur brenda natës midis atyre që kishin qenë miq dhe fqinjë dhe çdo gjë kishte marrë fund.

Teksa Hollbruku bëri të largohej, bukëpjekësi nxori një qese të pistë plastike nga poshtë dyshekut. Brenda në qese ishin dy figura të vogla prej druri, gati dhjetë centimetra të gjata. Figura njerëzish me fytyra të padallueshme dhe me kokat e përkulura poshtë e duart e kapura bashkë nga pas shpinës. Bukëpjekësi i kishte gdhendur me një copë qelqi të thyer kur kishte qenë i internuar në kampin e Manjaças, ku të burgosurit qëndronin të lidhur me orë të tëra me kokat poshtë për të shmangur rrahjen. Thjeshtësia memece e figurave të ngjallte pikëllim të madh. Teksa Hollbruku i mbante, ato dukeshin sikur digjeshin në dorën e tij. Ishte shumë i prekur për të bërë më shumë sesa thjesht pëshpëritjen e disa fjalëve dhe kthimin e figurave te i zoti i tyre.

«Jo», – tha bukëpjekësi. «Ju lutem merrini në vendin tuaj dhe tregojuani njerëzve tuaj. Tregojuni amerikanëve se si na kanë trajtuar. Tregojini Amerikës çfarë po na ndodh neve këtu».

Lufta e Ftohtë kishte marrë fund. Bill Klintoni (Bill Clinton) do të hynte në Shtëpinë e Bardhë dhe Shtetet e Bashkuara ishin në kulmin e fuqisë së tyre botërore. Mirëpo vendi dhe presidenti i ri ishin shumë të përqendruar te vetvetja dhe të shpërqendruar për të ditur se si mund ta drejtonin botën, ose nëse e dëshironin një gjë të tillë. Hollbruku ishte 51 vjeç dhe në kulmin e karrierës së tij, por nuk po e gjente dot një punë në administratën e re, ambicia e tij e pacipë i kishte sprapsur shumë njerëz të rëndësishëm. Në vend që të rehatohej në apartamentin e tij në Nju-Jork ku telefoni nuk binte, ai vendosi ta kalonte në Ballkan javën pas Krishtlindjes. Donte ta shikonte luftën me sytë e tij. Te Hollbruku, egotizmi dhe idealizmi ishin në një drejtpeshim të trazuar.

Në Bosnjën qendrore ai ndeshi rastësisht një mik nga vitet e Vietnamit i cili ishte aty në një mision humanitar. Ata falsifikuan një kartë identiteti të OKB-së dhe u nisën për në Sarajevë me një autoblindë daneze. Hollbruku ishte ulur përpara me jelekun antiplumb të vjetruar dhe helmetën që i rrinte e madhe. Ishte nata e Vitit të Ri prandaj ushtarët serbë në pikën e kontrollit e kishin filluar me kohë të pirën, kishin aty  edhe një grua me shumë kozmetikë në fytyrë dhe, meqë ishin me humorin e pushimit, i lejuan të huajt të kalonin, përfshirë edhe Hollbrukun me kartën e tij të dyshimtë. Pasdite vonë grupi mbërriti në aeroportin e Sarajevës. Ndërtesat ishin të dëmtuara kurse pista ishte e mbushur me mbetje nga bombardimi. Aeroporti ishte nën kontrollin e OKB-së, dhe helmetëkaltrit kishin urdhër të mos lejonin asnjë boshnjak të paautorizuar të largohej, ndonëse fatlumët e paktë që mundnin të gjenin 1000 marka gjermane mund të kalonin me ryshfet. Zyrtarëve të OKB-së i duhej të negocionin me forcat serbe për të lejuar ndihmat humanitare të kalonin në Sarajevë, dhe kalonin aq ndihma sa për të mbajtur gjallë qytetin dhe botën e jashtme të kënaqur. Organizata e Kombeve të Bashkuara ishte gjithashtu pjesë e rrethimit.

Vijat e rrethimit nuk kishin ndryshuar pothuajse fare. Çështja për serbët nuk ishte ta merrnin Sarajevën, por ta godisnin dhe ta shikonin të vdiste.

Kur Hollbruku doli nga makina, qielli kishte marrë një ngjyrë si qumësht i pisët. Makina të shkatërruara gjendeshin gjithandej. Përtej rrugës ndodhej kulla e bombarduar dhe e djegur e të përditshmes së Sarajevës, Oslobođenje, që vijonte të dilte në botim nga një strehim nëntokësor. Fëmijët kërkonin copa druri në një pirg me plehra.

Pastaj Hollbruku takoi dikë që e njihte, Xhon Bërnsin (John Burns), korrespondentin e gazetës New York Times në Sarajevë teksa po largohej nga një konferencë shtypi. Edhe ai dukej i rraskapitur fare. Bërnsi i sugjeroi që të qëndronte në dhomën e tij në hotelin Holiday Inn. Do të ishte vend shumë interesant për të kaluar Vitin e Ri.

Faza e fundit e udhëtimit e shpuri Hollbrukun përgjatë një bulevardi të gjerë, të njohur si Aleja e Snajperëve, në qendër të Sarajevës. Ishte dita e dyqind e shtatëdhjetë e njëtë e rrethimit.

Dëbora po binte mbi qytet, mbi ndërtesat e larta të nxira, dhe mbi varret e freskëta, dhe mbi bateritë serbe në male. Në radion boshnjake prezantuesi po thoshte: «Krimineli i luftës, Radovan Karaxhiq ka thënë se nuk do ta braktisë sovranitetin mbi territoret që serbët i quajnë të tyre». Një reporter i Oslobođenje-s po i digjte librat e tij në oxhak për t’u ngrohur.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Një klasë me fëmijë në shkollën fillore po merrte një mësim për minat anti-këmbësori nga një paqeruajtës italian. Fëmijët me pushkë prej dërrase vraponin në rrugë. Një burrë fshiu lotët teksa mbaroi së lexuari një letër nga e bija që kishte mbërritur në sigurinë e qytetit të Splitit.

Në një apartament të vogël diku në qytet njerëzit këndonin, duartrokisnin, përqafoheshin, putheshin, ngrinin dolli me gota plastike për të festuar Vitin e Ri në dritën e qirinjve.

Hoteli Holiday Inn ishte një ndërtesë betoni kuboide me ngjyrë të verdhë dhe kafe ku mungonin shumica e dritareve. Në muajt përpara luftës, hoteli kishte shërbyer si selia e partisë politike të Karaxhiqit. Tanimë dhomat e kateve të sipërme ishin zënë nga ushtarët boshnjakë dhe hoteli drejtohej nga një bandë kriminelësh me lidhje deri në majë të qeverisë. Hyrja binte përballë Alesë së Snajperëve dhe topave serbë në godinat e larta përtej lumit, prandaj bujtësit hynin nga pjesa e pasme duke i ngarë makinat me shpejtësi në garazhin e nëndheshëm. Nuk kishte as ujë, as ngrohje ndërsa energji elektrike kishte rrallë herë. Tarifa ishte 150 dollarë nata për një dhomë.

Bërnsi flinte dhe punonte në dhomën 305 kurse dhomën 306 e përdorte si vend depozitimi, ku kishte edhe 2000 litra karburant në banjo pasi e kishte kapur punonjësin e garazhit duke ia përlarë për ta shitur në tregun e zi teksa e zëvendësonte sasinë e vjedhur me ujë. Hollbruku u vendos në dhomën 306.

Pasi sistemoi sendet e veta, Hollbruku trokiti në derën e Bërnsit. U ulën dhe diskutuan midis hartave dhe pajisjeve, dy gjeneratorë të vegjël, një përpunues teksti dhe një transmetues satelitor të dhënash. Ata ishin takuar në Pekin kur Bërnsi kishte qenë korrespondent atje, mandej sërish në Manila menjëherë pas rënies së Imelda Markosit, kur kishin eksploruar pallatin e braktisur presidencial së bashku dhe kishin rrëmuar nëpër dollapët e familjes së Markosit dhe Hollbruku kishte lidhur rreth kokës një nga reçipetat e zonjës së parë me kupat e gjoksit te veshët e tij.

Bërnsi ndau me Hollbrukun pikëpamjen e tij: kjo nuk është luftë urrejtjesh të vjetra për të cilat të gjitha palët janë fajtore njësoj. Në këtë luftë kishte agresorë dhe viktima. Bërnsi kishte intervistuar artiljerët serbë nëpër kodra dhe e kishte parë se sa të qartë e kishin ata pamjen e spitalit të mbërthyer në rrezen e artilerisë së tyre, të nënës dhe fëmijës të futur në teleskopët e fuqishëm. Në qendër të Sarajevës, një xhami, një katedrale katolike, një kishë ortodokse dhe një sinagogë gjendeshin vetëm disa hapa larg nga njëra-tjetra, dhe të gjitha ishin të dëmtuara. Sarajeva kishte qenë gjithmonë qytet i përzier, dhe tani një ushtri me fashistë po e shkatërronin qytetin. Asgjë nuk do t’i ndalonte vrasjet përveçse një ndërhyrje nga jashtë.

Ata shkuan poshtë për t’iu bashkuar një reporteri tjetër në restorantin e ftohtë e të mbushur me tym për të ngrënë një pjatë 30-dollarëshe për darkën e Vitit të Ri të shërbyer me temperaturën e ambientit nga kamerierët që bënin ç’të mundnin për të ruajtur dukjen, të veshur me papione dhe me xhaketa jeshile të hotelit Holiday Inn. Sarajeva i pëlqente asaj pjese të shpirtit të Hollbrukut që nuk kishte reshtur së qeni aventurier i ri dhe me sens absurditeti të zymtë si në romanin e tij të parapëlqyer që mbetej «Yçkla-22» (Catch-22).

Pas darkës, reporterët e ftuan Hollbrukun në një mbrëmje në pjesën e vjetër të qytetit. «Do të shohësh diçka tamam sikur ka dalë nga Ferri i Dantes», – i tha Bërnsi.

Mbrëmja ishte në një shkollë arti buzë lumit Miljacka, vetëm pak më larg nga vendi ku nisi Lufta e Parë Botërore. Quhej «Vrima në Klubin e Murit» sepse atje hyje brenda duke u ngjitur mbi gërmadhat e predhave të mortajave dhe përmes një vrime. Brenda ishte errësirë dhe kishte zhurmë dhe tym duhani e mariuane. Një grup muzikor këndonte live këngë të «Rolling Stones». Reporterë dhe mirëbërës të huaj, si edhe artistë boshnjakë ishin mbledhur pranë një podiumi të vogël duke vallëzuar, klithur, duke u përqafuar e puthur, duke pirë raki kumbulle vendase dhe birrë OKB-je. Kur mbërriti mesnata, të gjithë zunë t’i hidhnin birrë njëri-tjetrit. Të gjithë ishin të rinj, të bukur dhe të gëzuar, dhe Hollbruku vallëzonte i veshur me jelekun antiplumb, por asnjëherë nuk e humbi ftohtësinë e tij. Ai e ndjente dëshpërimin në thelbin e qenies së vet.

Në ditën e parë të 1993 ai u zgjua rreth orës 07:30. Sarajevën e kishte mbuluar një shtresë dëbore. Topat serbë po gjëmonin për Vitin e Ri. Një mjegull e ftohtë nderej mbi qytet. Një stuhi po afronte dhe po ashtu edhe një ofensivë e ushtrisë boshnjake.

Rreth mesditës i hipi një makine të thjeshtë rrugës së ekspozuar drejt aeroportit. Udhërrëfyesi i tij bisedoi me paqeruajtësit danezë, por kredencialet e tyre i bënin ata udhëtarë me një përparësi të ulët. Hollbruku ishte ulur në dysheme dhe po lexonte. Nxori ditarin e tij dhe shkroi:

«Nëse nuk ua bëj të ditura pikëpamjet e mia ekipit të ri, atëherë nuk do të kem bërë aq sa duhet për të ndihmuar njerëzit e dëshpëruar që sapo kam takuar; por nëse i shtyj fort pikëpamjet e mia mund të dukem si tepër agresiv. Ndihem i kapur në kurth».

Krejt papritur u gjend një vend në një avion kanadez C-130. Teksa binte errësira avioni u ngjit drejt qiellit duke u larguar nga Sarajeva.

II. GJAKU I GJAKUT TONË

Në Ballkan çështja ka qenë gjithmonë sa thellë në të shkuarën duhet të zhytemi. Nacionalistët serbë shkonin deri më 1389, viti kur serbët luftuan me turqit në Fushën e Mëllënjave në Kosovë, ngjarja që i hapi udhën Perandorisë Osmane për pushtimin e sllavëve të jugut deri te portat e Vjenës. Presidentit kroat, Franjo Tuxhman, i pëlqente ta fillonte nga shpërbërja e Perandorisë Romake. Presidenti i Bosnjës, Alija Izetbegoviq, e niste autobiografinë e vet duke nënvizuar se Bosnja ishte përmendur për herë të parë si distrikt në anno domini 958. Pa kaluar mirë disa shekuj, pushtues të rinj, sllavët, osmanët, austriakët, kalonin nëpër Gadishullin Ballkanik duke lënë pas struktura të ndryshuara të identiteteve dhe besimeve. Kroatët ishin katolikë, serbët ishin ortodoksë, myslimanët ishin konvertuar në islam prej turqve. Serbët përdornin alfabetin cirilik, kurse kroatët dhe myslimanët përdornin alfabetin latin, edhe pse flisnin pak a shumë të njëjtën gjuhë. Ata edhe martoheshin me njëri-tjetrin. Kur i shikoje nuk i dalloje dot nga njëri-tjetri. Ata kishin një histori të dhunshme, por nuk e kishin prirjen gjenetike për të asgjësuar njëri-tjetrin.

Ose mund të ktheheshe pas deri në fillimin e shekullit të njëzetë, kur luftërat ballkanike i larguan osmanët nga Ballkani, e zgjeruan Mbretërinë serbe dhe e përndezën nacionalizmin që shpërtheu në 28 qershor 1914 në Sarajevë duke shkaktuar Luftën e Parë Botërore dhe më pas Konferencën e Paqes së Versajës, ku Mbretëritë serbe, kroate dhe sllovene u shndërruan në Mbretërinë e Jugosllavisë. Ose, me më shumë lidhje, mund të ktheheshe pas në Luftën e Dytë Botërore, që ishte ende një kujtim i gjallë kur Jugosllavinë e zunë dhimbjet e vdekjes në fillim të viteve ‘90. Hitleri dhe Musolini e sulmuan vendin në prill 1941. Serbët u shënjestruan dhe masakruan si racë armike. Kroacia u bë shtet i pavarur me emrin e vet nën drejtimin e një regjimi kukull i përbërë prej fashistëve vendas i njohur si ustashë, që përqafoi edhe besimin te origjina gjermane dhe superioriteti i tyre racor. Regjimi ustash vrau 400’000 serbë të Kroacisë bashkë me dhjetëra mijëra hebrenj, romë dhe partizanë komunistë. Bosnja u përfshi në Kroacinë e ustashëve, që besonte se myslimanët ishin kroatë të islamizuar.

Një milion njerëz u vranë në Jugosllavi gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesa më e madhe e të cilëve ishin serbë. Kjo ishte kujtesa kolektive, municioni i groposur, i gërmuar dhe i nxjerrë prej politikanëve ambiciozë një shekull më vonë.

Ose mund të kthehemi pas më 1987. Ai ishte viti kur njëri nga shefat e Partisë Komuniste Jugosllave i quajtur Sllobodan Millosheviq e kuptoi se mund të ngjitej edhe më lart edhe më shpejt në pushtet nëse merrte në duar flamurin e ndaluar të nacionalizmit serb. Josip Broz Tito, lideri partizan gjysmë kroat, gjysmë slloven që e kishte drejtuar vendin nga fundi i luftës, e kishte mbajtur vendin të bashkuar nëpërmjet një përzierje të zgjuar të shtypjes, decentralizimit dhe balancimit të fiseve. Por pas vdekjes së Titos më 1980, kjo gjë nisi të shpërbëhej. Komunizmi ishte ideologjia e dështuar që i kishte lënë të boshatisur shpirtrat intelektualë në Beograd. Disa syresh rrinin ulur nëpër kafene me cigare dhe gota rakie kumbulle dhe ëndërronin për një ide që do të ishte edhe e madhe edhe e këndshme aq sa duhej për të zënë vendin e komunizmit. Ishte ideja më e thjeshtë në botë: unë jam ky që jam. Ne jemi serbë, viktimat e historisë. Gjaku i gjakut tonë. Kjo është toka jonë.

Nacionalizmi doli se ishte më i fortë se komunizmi apo demokracia, më i fortë sesa besimi fetar, më i fortë sesa paqja dhe vëllazëria universale. Ai mund të jetë ideja më e fortë në botë. Nacionalizmi u trazua më 1986, u gatua në një manifest të shkruar nga një grup intelektualësh serbë, në një poçe me ankesa politike të vrullshme që nisën të zienin kur një thashetheme se një bandë shqiptarësh nga Kosova kishin përdhunuar një bujk serb, ndonëse nga ekzaminimi rezultoi se bujku ishte përpjekur të kënaqte veten duke u ulur mbi pjesën e trashë të një shisheje birre në fushën e vet.

Ideja u përhap në gjithë pjesën tjetër të Jugosllavisë. Ajo i trazoi sllovenët që e quanin veten më shumë austriakë sesa sllavë, i trazoi edhe kroatët lideri i të cilëve, Tuxhmani, një gjeneral në pension, dukej se e kishte modeluar veten sipas Françesko Franko – pompoz, racist dhe me fantazi për lavdi për veten dhe popullin e tij. Ideja i trazoi edhe shqiptarët, 90 për qind e popullsisë së Kosovës, një krahinë autonome e Serbisë, që kërkonte status të barabartë me republikat e tjera jugosllave. Ajo i trazoi edhe myslimanët e Bosnjës që zor se mund të quheshin një komb. Por, sigurisht, vija më agresive ishte ajo serbe. Dikush ka thënë dikur se për serbët nacionalizmi ishte mall që u sillte kaq shumë varësi, saqë ata nuk përballonin dot asnjë gllënjkë. Ai kishte shijen e papërballueshme të zemërimit, të aromatizuar me mbetjet e ankesave të vjetra, të distiluar me një fortësi të rrezikshme që shkaktonte halucinacione të pastrimit dhe hakmarrjes. Nacionalizmi ishte pija e dështakëve politikë. Ndoshta kjo është e vërteta për nacionalizmin ngado.

Nacionalizmi etnik nuk ishte i mundur në Bosnjë pa vrasjet masive sepse, ndër republikat jugosllave, Bosnja ishte më e përziera në popullsi. Për këtë arsye, përkatësia nacionale boshnjake do të duhej të ishte qytetare, e hapur për të gjithë, pavarësisht nga etnia e qytetarëve. Mirëpo, kur u mbajtën zgjedhjet e para demokratike në mbarë Jugosllavinë më 1990, fituesit e zgjedhjeve parlamentare në Bosnjë ishin tri partitë e formuara sipas vijave etnike.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Izetbegoviqi, një intelektual dhe aktivist politik që e kishte kaluar pjesën më të madhe të viteve ‘80 në burg si kërcënim për sigurinë e shtetit jugosllav, drejtonte partinë myslimane. Një psikiatër e poet i quajtur Radovan Karaxhiq, që kishte kaluar 11 muaj në burg me akuzën e dhënies së raporteve mjekësore të rreme në këmbim të materialeve ndërtimore falas për shtëpinë e tij të fundjavave, ishte bërë kreu i partisë së serbëve boshnjakë. Drejtuesit e tjerë të saj ishin një filozof, një studiues i Shekspirit, një profesor biologjie dhe një kontrabandist çimentoje, që kishte shkuar në burg bashkë me Karaxhiqin për përvetësim të fondeve publike. Mbizotërimi i intelektualëve në kastën e kriminelëve të luftërave në Ballkan nuk duhet t’ju befasojë. Lideri i Udhës së Shndritshme (Partia komuniste kiliane) ishte një ish-filozof. Pol Poti u bë marksist teksa studionte në Paris. Idetë mund të jenë vrastare.

Në vjeshtën e 1991, pasi Kroacia dhe Sllovenia kishin dalë nga Jugosllavia, Karaxhiqi u ngrit në Kuvendin e Bosnjës dhe i paralajmëroi myslimanët se çfarë i priste nëse edhe ata vijonin në të njëjtën rrugë: «Myslimanët nuk mund të mbrohen dot nëse do të ketë luftë. Si do t’i mbroni njerëzit nga vrasjet në Bosnjë-Hercegovinë?» Drejtuesi parlamentar i serbëve të Bosnjës po kërcënonte me gjenocid.

Logjika që i shtyu myslimanët dhe kroatët e Bosnjës të votonin masivisht për pavarësi në fillim të vitit 1992 ishte mbrojtëse. Alternativa tjetër ishte të mbeteshin nën kërcënimin dhe poshtërimin e një Jugosllavie në tkurrje e sipër që po bëhej Serbi e Madhe. Shumica e serbëve e bojkotuan referendumin. Milosheviqi, tani si president i Serbisë, në mënyrë sekrete urdhëroi formimin e ushtrisë serbo-boshnjake me 90’000 ushtarë dhe dërgoi atje oficerë serbë me origjinë nga Bosnja për të marrë në zotërim armët e rënda të ushtrisë jugosllave. Ai e mbështeti ushtrinë e re me njësi paramilitare terrori nga Serbia. Milosheviqi do të financonte dhe kontrollonte luftëtarët serbë në Bosnje pa i lënë askund gjurmët e gishtave të tij në konflikt. Plani i tij ishte krijimi i një korridori në Bosnjën veriore që do të lidhte një shtetth serb në Kroaci me Serbinë amë dhe ta kthente luginën e lumit Drina përgjatë kufirit Serbi-Kroaci në një zonë tampon. Të dyja krahinat kishin shumicë myslimane që duheshin shfarosur.

Spastrimi etnik nisi në fillimin e prillit me masakrat në qytetet kufitare të Bijelinës dhe Zvornikut. Izetbegoviqi qe i papërgatitur për luftë dhe nxori një urdhër për mobilizim të përgjithshëm. Serbët ngritën barrikada rreth Sarajevës dhe e ndanë qytetin në enklava etnike. Në 5 prill, 100’000 qytetarë nga të gjitha etnitë u mblodhën dhe marshuan për një Sarajevë multietnike. Snajperët serbë hapën zjarr dhe vranë një student mjekësie nga Dubrovniku. Ditën tjetër Bashkimi Europian e njohu Bosnjën e pavarur, që u pasua menjëherë edhe me njohjen nga Shtetet e Bashkuara. Po atë natë, serbë të armatosur në katet e larta të hotelit Holiday Inn qëlluan mbi një turmë para Parlamentit dhe vranë gjashtë persona. Ushtria jugosllave mori kontrollin e aeroportit dhe brenda disa ditëve artileria e rëndë serbe në rrethinat dhe kodrat përreth Sarajevës zuri të bombardonte qytetin. Kishte filluar rrethimi.

Deri në verë forcat serbo-boshnjake, të drejtuara nga gjenerali mizor Ratko Mlladiq, kontrollonin 70 për qind të Bosnjës. Kjo nuk do të ndryshonte gjatë tri viteve që pasuan. Ata e quajtën territorin e tyre Republika Srpska, me Karaxhiqin si president.

«Ne nuk kemi asnjë interes te kjo luftë», – tha Sekretari i Shtetit Xhejms Bejker (James Baker). Presidentit Xhorxh H. W. Bush (George H. W. Bush) i duhej t’ia kujtonin shpesh se çfarë ishte lufta. «Mos u ngatërro në një luftë guerilje, ku as ia ke idenë se çfarë bëhet dhe ia lidh duart ushtrisë», – tha ai – a nuk kishte qenë ky mësimi nga Vietnami? Bosnja nuk ishte problemi i Amerikës. Ajo ishte një gjakmarrje e vjetër në një kontinent tjetër. «Kjo është ora e Europës», – deklaroi një diplomat nga Luksemburgu. «Nuk është ora e amerikanëve». Por, Europa fliste e fliste teksa nata ra mbi Bosnjë. Shpresa e vetme mbetej presidenti i ri amerikan.

III. NJË LUFTË TRIBALE E VOGËL DHE E PËRGJAKSHME

Si kandidat presidencial, Bill Klintoni ishte betuar të merrte masa të forta në Bosnjë. Si president, ai nuk po e vendoste dot se çfarë duhej të bënte.

Teksa Uashingtoni bisedonte, rrethimi i Sarajevës hyri në vitin e dytë. Serbët e rrethuan Srebrenicën dhe 56 civilë u vranë prej një zjarri artilerie, shumica prej të cilëve ishin fëmijë që po luanin futboll. Lufta shpërtheu midis kroatëve dhe myslimanëve në Mostar; kroatët ndoqën serbët në punën e spastrimit etnik dhe ngritjes së kampeve të përqendrimit. Ushtarët boshnjakë ishin kaq të uritur për armë saqë ia dorëzonin njëri-tjetrit armët gjatë ndërrimit të turneve dhe i paguanin fëmijët për të mbledhur gëzhojat nëpër rrugë për t’u rimbushur në një fabrikë municioni në dalje të Sarajevës.

Pas tri muaj bisedimesh, ekipi i Klintonit doli me një politikë. E quajtën «heqje dhe goditje»: heqje të embargos së armëve të vendosur nga OKB-ja për Bosnjën, qoftë edhe njëanshmërisht po të ishte e nevojshme, me qëllim që myslimanët të mund të mbroheshin, dhe goditje të kufizuara ajrore ndaj serbëve të Bosnjës për t’i ndaluar të masakronin myslimanët para mbërritjes së armëve për ta. Qëllimi kryesor i politikës ishte të ruheshin Shtetet e Bashkuara nga përfshirja më e thellë. Problemi ishte se askush nuk besonte te kjo politikë. Një ekspert sondazhesh i ekipit të Klintonit i kishte thënë se populli amerikan ishte kundër veprimeve të njëanshme në Bosnjë, por opinioni publik ishte elastik. Klintoni vijonte ta shtynte vendimin përfundimtar ndërsa Entoni Lejku (Anthony Lake), këshilltari për sigurinë kombëtare, duke e nuhatur antipatinë e presidentit për gjithë atë katrahurë, tregohej i përmbajtur për ta shtyrë drejt marrjes së një vendimi. Më 1 maj Klintoni, më në fund, e dërgoi Sekretarin e Shtetit, Uorren Kristofer (Warren Christopher), në Europë për të dëgjuar aleatët, të cilët kishin mijëra trupa paqeruajtëse të OKB-së në Bosnjë dhe një pozicion zyrtar neutraliteti.

Ishte një udhëtim rrënues. Kristoferi lexonte me kokën ulur për opsionet e ndryshme nga libri i tij udhëzues, pa vendosur asnjë kontakt me sy si një avokat që po argumenton një çështje tek e cila e ka humbur të gjithë besimin. Kur mbërriti te politika e «heqjes dhe goditjes», britanikët ishin bërë shpërfillës. E njëjta gjë ndodhi në Paris, Bruksel dhe Romë. «Kam ardhur këtu për të dëgjuar», – tha Kristoferi, fjalë që nuk do t’i kishin kaluar kurrë buzët e Din Açisonit (Dean Acheson, ministër i jashtëm amerikan i shekullit të ’19, vër. e përkth.), fjalë që europianët as nuk i prisnin as nuk donin t’i dëgjonin nga Sekretari Amerikan i Shtetit, kur ora e Europës bëhej më e zymtë pas çdo minute. Por Kristoferi i ftoi europianët të përgjigjeshin ashtu si u përgjigjën: ne kemi trupa në Bosnjë, ju nuk keni. Ose çojini trupat aty ku keni politikën, ose sajoni një politikë tjetër, sepse «heqja dhe goditja» do t’i çojë drejt vrasjes paqeruajtësit tanë. Meqë Klintoni ishte betuar se nuk do të dërgonte kurrë trupa në konflikt, misioni i OKB-së u bë arsyeja kryesore për të mos bërë asgjë dhe për të ndenjur mënjanë ndërsa vrasjet vijonin.

Boshnjakët nuk prisnin gjë nga Europa. Një gjenocid ka ndodhur aty pas çdo një ose dy gjeneratash. Pse duhet të mendonin se ata do të ishin të veçantë? Me Amerikën ishte punë tjetër. Haris Silajxhiqi, kryeministri i Bosnjës, kishte besim të mjaftueshëm te sjellja e ndershme e popullit amerikan, te pafajësia jonë do të kishte thënë Graham Grini (Greene), saqë ai bëri udhëtime të panumërta drejt Uashingtonit për t’u shfaqur në emisionin Larry King Live dhe për të dëshmuar në Kapitol Hill, ku e denoncoi embargon e armëve, duke i thënë një komiteti me kongresmenë se ai dhe familja e tij meritonin mundësinë për të vendosur se si do të vdisnin. Duke dhënë intervista dhe dëshmi të mjaftueshme Silajxhiqi besonte se amerikanët do të bënin gjënë e duhur.

Klintoni po lexonte një libër që ia kishte dhënë bashkëshortja, «Fantazmat ballkanike» i shkruar nga një gazetar me emrin Robert D. Kaplan. Libri e portretizonte rajonin si të larë me gjakun e urrejtjeve të vjetra tribale; këta popuj kanë luftuar me njëri-tjetrin që kur s’mbahet mend. Kaplani, nga ana e tij, kishte udhëtuar nëpër Ballkan duke lexuar me kërshëri librin klasik të Rebeka Uestit (Rebecca West) «Qingji i zi dhe fajkoi gri» që bën fjalë për udhëtimet e saj nëpër Jugosllavi pak para fillimit të Luftës së Dytë Botërore, një libër me një prirje pro-serbe dhe me një paragjykim kundër myslimanëve. Aty ku europianët shikonin një luftë të qytetërimeve, amerikanët i ngrinin duart lart prej telasheve të pakuptueshme të Botës së Vjetër. Ne nuk e kuptojmë nacionalizmin e kombeve të tjera, ndonëse edhe ne kemi tonin, atë të llojit racial, sepse ne e themeluam republikën tonë nga një ide universale dhe shumë optimiste. Gjaku dhe toka janë për dështakët e historisë.

Ne e kuptojmë nacionalizmin më mirë tani që shekulli amerikan ka marrë fund dhe disa prej nesh tingëllojnë gjithmonë e më shumë si serbët. Ama më 1993, ne sapo kishim fituar Luftën e Ftohtë dhe kalëronim botën. Mbajtja nën kontroll (e komunizmit) ia kishte lënë vendin zgjerimit demokratik si politika e re e jashtme e epokës. Strategjia madhështore amerikane do të ishte zgjerimi i rrathëve të demokracive të tregut në mbarë botën duke mbështetur tregtinë e lirë, duke i ndihmuar ekonomitë të liberalizohen, duke e zgjeruar NATO-n drejt lindjes nëpërmjet institucioneve shumëpalëshe. Ishte politika e jashtme e globalizimit. Epo ç’lidhje kishte një luftë e vogël e përgjakshme tribale me gjithë këtë?

Më 6 maj në Zyrën Ovale Klintoni i tha Kolin Pauellit (Colin Powell), shefit të shtabit të përgjithshëm, dhe Les Aspinit (Aspen), Sekretarit të Mbrojtjes, se libri «Fantazmat ballkanike» i kishte lënë një përshtypje të thellë. Aspin u kthye në Pentagon dhe i telefonoi Lejkut. «Atij po i humbet fare interesi për këtë politikë. Nuk e ka fare për zemër. Uorren Kristoferi e mori lajmin kur ishte në Europë dhe u kthye në atdhe. Një libër udhëtimesh bazuar në një libër udhëtimesh kishte rënë në duart e presidentit të ri dhe ai kishte ndryshuar mendje për Bosnjën. Politika e jashtme nuk kishte më fare kuptim.

Vietnami e përndiqte Klintonin që kishte protestuar kundër asaj lufte dhe e kishte shmangur shërbimin ushtarak në të. E përndiqte gjithashtu edhe Somalia ku 19 ushtarë amerikane ishin vrarë nga milicia somaleze në Mogadishu në tetor 1993. Nëse Amerika do të vendoste të përdorte forcën në Bosnjë do të vriteshin njerëz jashtë kontrollit të politikëbërësve në Dhomën e Kontrollit. Por, njerëzit po vdisnin teksa Amerika rrinte mënjanë dhe shikonte CNN-in. Mësimet e Vietnamit ishin të ndërlikuara dhe ndoshta ishin të gabuara për Bosnjën. Ndoshta, përfshirja në Vietnam kishte qenë gabimi thelbësor i Luftës së Ftohtë dhe mospërfshirja në Bosnjë do të ishte gabimi thelbësor i epokës pas Luftës së Ftohtë. Kjo ishte pikëpamja e gazetarëve në Sarajevë, historitë dhe imazhet e tyre mbartnin mesazhe të kundërta nga raportimet e Vietnamit. Bosnja e kishte kthyer kokëposhtë Vietnamin. Ndoshta masakrat e vijueshme në një vend të vogël dhe të largët me të vërtetë mund t’i dëmtonin interesat amerikane. Ndoshta Shtetet e Bashkuara duhej të mësonin të përdornin forcën në mënyrë të kufizuar dhe të rindërtonin vendet e thyera. Ndoshta kjo do të thoshte të tregoheshe pragmatist.

Vietnami nuk e turbullonte aspak Hollbrukun. Ai nuk kishte asnjë konflikt në lidhje me Bosnjën. Njëzet e katër orët në Sarajevë e kishin imunizuar atë kundër pasigurisë që ndienin kolegët e tij të mëparshëm. Kurse Vietnami i kishte dhënë një ndjesi për realitetin në vendet e tjera, për njerëzit e tjerë të kapur në kurthin e tragjedive të historisë. «Duhet të angazhohemi në Europë», shkroi ai në një copëz letre. «Nevojë dhe dëshirë për angazhimin e ShBA-ve, (1947, jo 1919.)»

IV. «TË SHOHIM NËSE MUND TA RINGJALLIM ROLIN E FORTË DREJTUES TË AMERIKËS»

Në verën e 1994, Bill Klintoni dhe Uorren Kristoferi e bënë pa dëshirë Hollbrukun zëvendës sekretar të shtetit dhe i caktuan si detyrë të përpiqej t’i jepte fund katastrofës ballkanike që kishte hyrë në vitin e katërt. Hollbruku nisi t’i regjistronte në mikrokaseta historitë e tij.

Nesër nisem për në Sarajevë. Do të jetë udhëtimi im i tretë në zonën e luftës gjatë këtyre 25 muajve, por ky udhëtim do të jetë ndryshe, do të udhëtoj me një kontingjent të madh zyrtar gjë që do të më pengojë shumë. Megjithatë jam jashtëzakonisht i kënaqur që udhëtimet e mia të mëparshme më kanë përgatitur për këtë. Çdo gjë që kam dëgjuar për këtë rajon dhe problemet e tij, si edhe ngërçet politike e burokratike ku jemi pleksur, më shkaktojnë shumë dëshpërim. Nga ana objektive, gjëja e duhur që duhet bërë është presioni ushtarak ndaj serbëve. Ata janë agresorët dhe qëllimet e tyre irredentiste kërcënojnë gjithë rajonin. Por nuk jam i sigurt nëse publiku amerikan apo lidershipi i tij e ka vullnetin për këtë; britanikët dhe francezët janë dukshëm kundër dhe thonë se do të tërhiqen nga operacionet paqeruajtëse për të mbrojtur trupat e tyre, dhe rreziqet janë shumë të mëdha, edhe më të mëdha nëse ne nuk jemi të përgatitur për t’i shkuar deri në fund. Ky është një problem torturues, dhe është bërë edhe më keq nga keqmenaxhimi gjatë këtij një viti e gjysmë të fundit.

Edhe pse i qëndroj fort pikëpamjes se embargoja e armëve është imorale dhe duhet të hiqet me qëllim që myslimanët boshnjakë të mund të mbrohen, të arrijmë atje nga këtu ku jemi është jashtëzakonisht e vështirë në kuadrin e tanishëm. T’i mbajmë boshnjakët gjallë nëpërmjet furnizimeve të fshehta më duket se është opsion më i mirë, por edhe me këtë opsion nuk kam pasur edhe aq shumë fat deri më tani.

Europianët nuk duan ta përdorin forcën e NATO-s për të ndihmuar myslimanët, kurse Shtetet e Bashkuara nuk duan të vendosin forca tokësore në rajon. Ky qorrsokak është i sigurt se do të ndëshkojë myslimanët, përveçse ndoshta si shtet i copëtuar. Ofensiva myslimane në Bihaq i dha shkas kundërofensivës serbe që deri sot në mëngjes është në prag të një suksesi të plotë. Karaxhiqi dhe Mlladiqi, duke parë një mundësi për të shkatërruar vullnetin e armiqve të tyre para se dimri t’i fusë të gjithë në izolimin, bënë një lëvizje për të fituar gjithçka, kurse Perëndimi e ka të pamundur të gjejë një rrugë si të reagojë. Kundërpërgjigja e aleatëve është qesharake. Prandaj sot gjendemi në zgripin fundor të politikës sonë për rajonin. Kërkimi i një politike të re është i pashmangshëm, dhe kjo politike e re do të jetë në kurrizin e myslimanëve.

Më vjen pështirë që jam pjesë e një politike të tillë. Nuk ndihem përgjegjës pasi unë trashëgova një situatë të keqe. Askush nuk do ta thotë troç se lufta për myslimanët është e humbur në gjendjen e tanishme dhe se ne do të na duhet të shpëtojmë një shtet të copëtuar në formën e pykës trekëndore me shtrirje nga bregdeti kroat deri në Sarajevë e në fushën e Tuzllës, po të kërkojmë një armëpushim dhe të ruajmë statusin ndërkombëtar të shtetit. Askush nuk bie dakord me këtë, por ama askush nuk dëshiron të shpenzojë energji të mjaftueshme në përpjekjen për të ndihmuar myslimanët të fitojnë. Përpjekja për të shpëtuar myslimanët tani do të kërkojë fuqinë ajrore të NATO-s dhe trupa tokësore amerikane, diçka që është e pamundur të realizohet. Unë kisha shpresuar se do të ndërtoja një politikë që do të na nxirrte nga dimri me një gjendje të pandryshuar (status quo), por ofensiva e Bihaqit e shpartalloi këtë mundësi.

Niksoni (Richard Nixon) dhe Kisingeri (Henry Kissinger), kur u përballën me katastrofën e pashmangshme të Vietnamit, sajuan një mënyrë për të pretenduar para publikut amerikan se ajo ishte paqe me nder, edhe pse ajo ishte një shitje e Vietnamit të Jugut. Ata fajësuan Kongresin, morën disa masa të fuqishme dhe thanë se kjo ishte çdo gjë që ata mund të bënin, si edhe e paraqitën të shtrembëruar marrëveshjen me Saigonin. Unë nuk po sugjeroj që edhe ne të bëjmë të njëjtën gjë. Ky nivel cinizmi është i papranueshëm, dhe sidoqoftë jo diçka që kjo administratë mund ta bëjë duke qenë se i mungon koherenca dhe disiplina. Por fakti mbetet se na duhet të përballemi me dilemën tonë, duhet të përballemi me situatën e tmerrshme ku gjendemi, të vendosim disa përparësi dhe të shohim nëse mund ta ringjallim rolin e fortë drejtues të Amerikës. Kjo do të jetë e vështirë për t’u jetësuar.

Toni Lejku (Anthony Lake) i ndalon veprimet dhe as vetë nuk pranon të bëj asnjë veprim. Uorren Kristoferi është i gatshëm të veprojë por me pasiguri dhe me mëdyshje, dhe vetëm pasi është konsultuar me të gjithë. Presidenti duket krejt i papërfshirë. Unë jam nën sulmin e vazhdueshëm nga Toni, si edhe nuk kam mbështetjen e ‘katit të shtatë(aty ku punojnë zyrtarët e lartë, vërejtje e përkth.) me përjashtim të Strobit [Talbot] [këshilltarit të Kristoferit]. Edhe ajo mbështetje është e lëkundur sepse çmimi është shumë i lartë për të dhe sepse atij nuk i pëlqejnë ballafaqimet. Megjithatë nuk më mbetet gjë tjetër për të bërë përveç se të vijoj përpara me guxim. Ndiej se karrierës sime qeveritare po i afrohet fundi dalëngadalë. Nuk e kuptoj se si mund të vijoj në rrethanat e tanishme, ndonëse do ta provoj. Tanimë kam nisur të mendoj për mënyrat se si të largohem me nder, dinjitet, dhe reputacion të pashkatërruar.

V. TEATËR ME INTERESA VDEKJEPRURËSE

Nga 1995 ushtria kroate ishte bërë forca më e fuqishme e luftës dhe Millosheviqi e dinte se loja ishte pothuajse në fund. Objektivi i tij ndryshoi nga themelimi i Serbisë së Madhe në ruajtjen e pushtetit të tij duke dalë nga sanksionet ndëshkuese të OKB-së nëpërmjet një marrëveshjeje për paqe. Ai nisi të grindej me aleatët e tij serbë në Bosnjë, sepse Karaxhiqi dhe Mlladiqi, të ngazëllyer nga vitet e fitoreve në fushëbetejë, kishin vendosur të kapnin sa më shumë nga territori i mbetur para se forcat kroate dhe myslimane ta kthenin rrjedhën e luftës. Konflikti arriti kulmin në verën e 1995, me masakrën serbe të mijërave burrave dhe fëmijëve myslimanë në afërsi të Srebrenicës, si dhe një ofensive kroato-myslimane që i sprapsi serbët nga territoret në Kroaci dhe në veri të Bosnjës që i kishin mbajtur që nga fillimi i luftës. Në gusht, pikërisht kur Hollbruku po bëhej gati të jepte dorëheqjen nga detyra, administrata e Klintonit vendosi për një plan për të përdorur diplomacinë amerikane të mbështetur nga avionët e NATO-s për t’i dhënë fund luftës. Hollbruku u dërgua në Ballkan për t’u përpjekur të negocionte një marrëveshje paqeje me tre udhëheqësit ndërluftues.

Më në fund ai do të kishte diçka për të bërë larg nga agonia e Uashingtonit. Një bashkëbisedim metabolik do të katalizonte të gjitha tiparet e tij të vogla dhe shkatërruese në një qëllim të vetëm. Misioni ia riktheu besimin në sy dhe i aktivizoi çdo gjë që ai e dashuronte; shpejtësinë, historinë, Amerikën dhe pak dinakërinë. Kishte gjithë jetën që e priste një rast të tillë.

Në pallatin e Millosheviqit në Beograd Hollbruku u prit si një shok i vjetër i pijes. Kur kamerieri me xhaketë të bardhë i ofroi gotat me ujë mineral dhe me lëng frutash, Hollbruku e pyeti: «A mund të marr dy?», ndërsa Millosheviqi ia ktheu: «Ambasador, merrni tre». Ai e futi njërën nga duart e tij të trasha në xhepin e xhaketës, nxori një dokument të shkruar në serbishte dhe ia dha Hollbrukut. «Kjo shkresë krijon një delegacion të përbashkët Jugosllavi – Republika Srpska për të gjitha bisedimet në të ardhmen». Delegacioni do të ketë gjashtë anëtarë, tre nga Beogradi dhe tre nga Pale, selia e serbëve të Bosnjës. Udhëheqësi i delegacionit, vetë Millosheviqi, do të zgjidhte çdo ngërç. Nga ai çast e pas, ai do të negocionte për Republikën Srpska duke e hequr pengesën më të madhe për arritjen e një marrëveshjeje.

Millosheviqi ndezi një puro të madhe kubane. Hollbruku i bëri presion. «E nga e dini ju se miqtë e tuaj nga Paleja…»

«Ata nuk janë miqtë e mi», – pështyu Millosheviqi. «Është e tmerrshme që do të jem në një dhomë me ata për kaq gjatë. Ata janë mut».

Bisedimet, e ngrëna dhe e pira vazhduan për tetë orë. Millosheviqi pinte ngadalë dhe rregullisht, duke u bërë xurxull dhe pastaj sërish esëll disa herë, teksa Hollbruku e ngrinte gotën e tij me skoç ose shlivovicë (raki kumbulle) deri te buzët pa rrufitur pothuajse asgjë. Ai nuk i përmbahej pikave të bisedës, as nuk kishte fare pika për bisedën, por e çonte bisedën drejt një kursi dredha-dredha teksa kërkonte të gjente hyrjen. Millosheviqi e sorollaste bisedën sa te vera serbe, te Perandoria Osmane, te Lufta e Dytë Botërore, te ditët e tij bankare në Nju-Jork, pastaj tek e ardhmja ekonomike e Serbisë. Hollbruku e lejonte të vazhdonte duke e shijuar bisedën, dhe pastaj e kthente atë sërish te lufta.

Kështu u formua një lidhje me një njohje të tensionuar, si ajo midis dy lojtarësh hileqarë letrash. Një herë, në mes të një sesioni të pafund Hollbruku i telefonoi mikut të tij, Lesli Gelb në Nju-Jork.

«Ç’kemi shoku. Jam në zyrën e Sllobës. I thashë se edhe ti pi puro kubane, dhe i kërkova nëse mund të të jepte edhe ty disa. Më tha se do të dërgonte një kuti, por unë nuk e besoj, sepse ai gënjen gjithë kohën. A nuk gënjen gjithë kohën ti, Sllobo?»

Millosheviqi ishte edhe më i drejtpërdrejtë, duke e futur fjalën «fuck» gjithandej nëpër anglishten e tij çalamane, dhe duke thumbuar Hollbrukun. «Riçard Çarls Albert Hollbruk. Pse i ke gjithë këta emra?» Ose: «Pse e mban gjithmonë jakën të ngritur? Ti je politikan, të gjithë ju politikanët keni diçka të tillë. Me Tuxhmanin janë flokët, me ty është jaka».

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Tomas Mani (Thomas Mann) e quante artin «një shaka shumë serioze». Diplomacia e Hollbrukut ishte teatër me interesa vdekjeprurëse. Grupet e mëdha me gazetarë zunë të ndiqnin nga pas çdo lëvizje të ekipit të tij, duke pritur në lobin e hotelit Hyatt përtej lumit Sava nga zyra e Millosheviqit, apo jashtë pallatit të Tuxhmanit në Zagreb, kurse Hollbruku ndalonte dhe u jepte atyre nga një paragraf të rregulluar përsosurisht dhe spontanisht, por pa asnjë lajm në të, duke bërë kujdes që t’i mbante pritshmëritë e ulëta meqë nuk i sillte asnjë të mirë nëse i mbante të larta. Rrinte një ose dy ditë pa gjumë pastaj flinte për disa orë. Ai të jepte përshtypjen se ishte gjithmonë në lëvizje, duke kaluar me shpurën e tij nëpër hotele dhe aeroporte, duke e mbushur çdo ditë me takime deri natën vonë, duke qëndruar gjithmonë disa hapa përpara. Kjo krijonte vrullin për një arritje tjetër të vogël dhe çdo arritje ndihmonte të shtohej shpejtësia dhe pushteti. Ajo përvojë e ekzaltonte, dhe kur iu desh të kalonte një ditë të tërë në Gjenevë duke diskutuar me diplomatë europianë dhe bëri një natë të plotë me gjumë në një hotel luksoz e mbërtheu një rraskapitje dhe pastaj donte të kthehej në Ballkan, ku orët e tensionuara dhe pa gjumë me padronët e luftës ia rikthyen energjinë. Nëse ai kishte një strategji, ishte kjo: ai vihej në lëvizje dhe i bënte edhe të tjerët të lëviznin dhe gjërat bëheshin të mundura aty ku dukeshin të pamundura me njerëzit e rehatuar.

Në mesin e shtatorit, disa ditë pasi bombat e NATO-s godisnin pozicionet serbe, Hollbruku i detyroi Karaxhiqin dhe Mlladiqin t’i jepnin fund rrethimit të Sarajevës në këmbim të ndaljes së bombardimeve. Ai e solli marrëveshjen e nënshkruar në Sarajevë. Në pallatin presidencial, me shenjat e plumbave, të rrethuar me thasët me rërë dhe me dritaret e mbuluara me copa najloni, me dorezat që të mbeteshin në dorë, Izetbegoviqi, kryeministri i tij Haris Silajxhiqi dhe ministri i jashtëm Muhamed Shaqirbegoviq (Hollbruku i quante ata «Izi, Silli dhe Mu») ishin shumë të pakënaqur me ndalimin e bombardimeve. Ata dukej se preferonin që rrethimi të vazhdonte për sa kohë që NATO-ja po ndëshkonte serbët. Shaqirbegoviqi i tha Hollbrukut se negociatat e tij e kishin ndotur edhe atë me duhmën e serbëve.

Por, kur Hollbruku doli jashtë, një turmë e madhe që ishte mbledhur përtej rrugës nisi të brohoriste. Një ndihmës i tha t’ua bënte me dorë. Hollbruku zakonisht i përdorte shpatullat e tij të gjera dhe kraharorin e madh për të dominuar një dhomë apo një rrugë. Madhësia dhe energjia e tij iu dha boshnjakëve gati një sens fizik se tani më në fund ishte një diplomat që po synonte të zgjidhte problemin e tyre. Por këtë herë ai e ngriti dorën e tij me ngadalë, me siklet. Ishte gati të shpërthente në lot. Rrethimi kishte zgjatur 42 muaj.

Ushtria e serbëve të Bosnjës po shpërbëhej teksa forcat boshnjake dhe kroate ishin vetëm pak milje larg nga Banjalluka, fortesa serbe gjatë gjithë luftës. Millosheviqi iu lut Hollbrukut të mos e linte Banja Lukën të binte. Nëse do të binte disa qindra mijëra refugjatë do të vërshonin drejt Serbisë, e me gjasë do të kërcënonin regjimin e Millosheviçit. Por Izetbegoviqi e shikonte Banjallukën si një Sarajevë serbe. Çfarë drejtësie do të ishte sikur t’i bëje rrafsh me tokë duke ua bombarduar edhe atyre qytetin më të madh! Ai nuk kishte pasur kohë të mjaftueshme të mësohet duke parë serbët në panik dhe humbje.

Hollbruku rrallë e hidhte shikimin pas, por në vitet që pasuan ai pati dy pendime në lidhje me Bosnjën. Nga vjeshta e 1995 të gjitha palët e dinin se një marrëveshje paqeje do të krijonte një shtet boshnjak me pothuajse dy entitete të barabarta: një serb dhe tjetri kroato-mysliman. Pendimi i parë i Hollbrukut ishte presioni që ai u bëri myslimanëve për të pranuar emrin Republika Srpska për entitetin serb, Izetbegoviqi thoshte se ai ishte si një emër nazist. Republika Srpska u bë një mallkim që negociatorët ia vunë rreth qafës Bosnjës. Pendimi i dytë ishte që i detyroi ushtritë kroate dhe myslimane të ndalonin pa u futur në Banjallukë dhe të pranonin një armëpushim në fillim të tetorit.

Asokohe harta kishte ndryshuar prej fushëbetejës: nga 70 për qind-30 për qind në favor të serbëve, federata kroato-myslimane tani zotëronte më shumë se gjysmën e Bosnjës. Armëpushimi u dha fund luftimeve, por armëpushimet e mëparshme ishin thyer. Të gjitha çështjet diabolike që e nisën dhe e ushqyen luftën, cili e mori atë tokë, si do të funksionojë Bosnja si shtet, mbetën për t’u sheshuar në një konferencë paqeje e programuar pas disa javësh. Duke qenë se kishte kaluar dy muaj duke u endur midis udhëheqësve ballkanikë, Hollbruku nuk mendonte se shanset e suksesit ishin të mira.

Po sikur ta kishte lënë Banjallukën të binte? Ai do të kishte qenë fundi i Republikës Srpska. Sot Bosnja do të ishte një shtet shumëetnik, i rrëmujshëm, por tërësor. Lufta do të kishte pasur një fitues. Dhe nuk do të kishte pasur Dejton.

VI. DEJTON, OHAJO, 1995

Vendi më i kuptueshëm për një konferencë paqeje ishte Parisi ose Gjeneva. Hollbruku nuk donte as njërin, as tjetrin. Ato qytete vezulluese i kishin joshur diplomatët që kishin kaluar vite e vite të tëra duke diskutuar për Vietnamin, me të ngrënat e mira dhe me shëtitjet nëpër vendet e bukura, teksa vrasjet vijonin nga ana tjetër e botës. Hollbruku donte që mikpritësit për konferencën të ishin Shtetet e Bashkuara, në një bazë ushtarake ku do të kishte kontroll maksimal amerikan, asnjë shpërqendrim, dhe asnjë tundim për bjerrjen e kohës. Ai donte që suksesi të ishte amerikan dhe ishte gati të rrezikonte edhe dështimin amerikan dhe, ndonëse ishte vetëm zëvendës sekretari i shtetit, suksesi apo dështimi do të ishte gjithashtu vetëm i tij, sepse ai do të ishte spektakli i Hollbrukut dhe ai ishte gati të luante gjithçka për vendin dhe veten.

Pothuajse askush nuk e pëlqeu idenë e vendit amerikan për konferencën. Pse të rrezikoje ta dëmtoje presidentin para një viti zgjedhor? Por ata iu nënshtruan Hollbrukut që i kishte sjellë bisedimet deri në këtë pikë.

Hollbruku përzgjodhi bazën e forcave ajrore «Wright-Patterson» në rrethinat e Dejtonit, në Ohajo, një nga bazat ushtarake më të mëdha në Amerikë: gati 3200 hektarë të shtrira në një vend të sheshtë, 23’000 punonjës, një pistë avionësh dy milje e gjysmë të gjatë. Delegacionet u ulën në natën e 31 tetorit, dhe Hollbruku ishte i pari në qilimin e kuq që i shtrëngoi dorën secilit president të ardhur. Afër hyrjes së bazës ishin katër kazerma dykatëshe me tulla përreth një zone parkimi drejtkëndore, banesat e oficerëve vizitorë. Këto u bënë banesat e përkohshme të delegacioneve kombëtare. Boshnjakët dhe kroatët ishin përballë njeri-tjetrit nga pjesa veriore dhe jugore; serbët dhe amerikanët nga pjesa lindore dhe perëndimore, europianët qëndruan në një kazermë të pestë jo larg drejtkëndëshit. Kazermat kishin korridore të gjata dhe të ngushta si dhe dhoma të vogla me zbukurime sintetike dhe mobile të vjetruara, si të një moteli 49 dollarë nata.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Të vetmet vende ku mund të haje në bazë ishin Klubi i Oficerëve, shumë afër me makinë, dhe te restoranti «Packy’s Sport Bar and Grill» në Hotelin dhe Qendrën e Konferencave Hope, 80 metra larg prej kazermave përtej një fushe me bar. Punëtorët sajuan një rrugicë të gjarpëruar mbi bar të ravijëzuar me drita tokësore, një prekje modeste elegance. Por, në historinë e diplomacisë ndërkombëtare nuk ka pasur asgjë më pak elegante sesa baza «Wright-Patterson».

E megjithatë, kjo përzierje e madhësisë fizike me zymtësinë, kjo atmosferë tipike amerikane e perëndimit të mesëm sa banale dhe mbizotëruese aq edhe serioze njëkohësisht, u kumtonte pallateve të praruara të Europës se ju keni histori dhe bukuri, por nuk ia dolët t’i jepnit fund kësaj lufte në kontinentin tuaj. Asgjë nuk ndodhi derisa u përfshinë amerikanët, derisa ndërhyri i pagdhenduri dhe i pagjumi Hollbruk.

Ai mbërriti nervoz dhe i rraskapitur. Kishte dy muaj që shkonte sa andej këndej Atlantikut duke rendur nga një kryeqytet europian te tjetri, duke fjetur vetëm tri orë për natë dhe dukë marrë nga një sy gjumë me dhjetëminutësha, duke ngrënë ushqim të rëndë, dhe duke duruar mbledhje pa mbarim. Fytyrën e kishte të zbehtë dhe të buhavitur. Tashmë ia kishte dalë ta mblidhte gjithë trupën ballkanike 5000 milje larg dhe brenda murit të sigurisë së një baze amerikane.

Unë vijoja të mendoja për teatrin e drejtpërdrejtë dhe Hollbrukun si regjisor dhe producent, si një drejtor. Ai nuk pranonte të shiste bileta: korpusi i jashtëzakonshëm i shtypit ndërkombëtar u kufizua në një ndërtesë pa ndonjë bukuri të madhe nga ana tjetër e bazës ku ushqehej me dietën e paktë të informimin ditor. Ai i shndërroi europianët në lojtarë të vegjël, diskutimet e tyre të tejzgjatura procedurale ia hiqnin fare trurin atij, prandaj pa kaluar shumë kohë ai ia delegoi zëvendësit të tij takimet e mëngjesit me ta. Po ashtu, ai e mbajti larg edhe Uashingtonin, duke e parë çdo pyetje apo kundërshti si një ndërhyrje të patolerueshme.

Kishte qindra aktorë figurantë në Dejton, por drama ishte e kufizuar te gjashtë personazhe. Skena ishte kaq intime saqë ata mund të shihnin dritat në dritaret e kazermave dhe ta kuptonin se cili ishte tjetri që po rrinte zgjuar. Subjekti përparonte me takime të paplanifikuara në asfaltin e parkingut. Hollbruku e krijoi këtë skenë klastrofobike sikur të donte që zbrazëtia e saj të detyronte personazhet të përballeshin me të vërtetat që ai donte t’u tregonte.

Nuk kishte datë të përcaktuar për mbylljen, ndonëse ai e dinte se kjo trupë nuk do të duronte më shumë se dy javë në bazën «Wright-Patterson». Ai erdhi pa planifikim apo skenar, kjo do të ishte një pjesë e improvizuar që mund të mbyllej në çdo çast.

Ai e mendonte edhe se mund të dështonte. Por prapëseprapë, ja ku ishte, i futur në çdo skenë të dramës.

Tuxhmani, presidenti kroat, erdhi në Dejton si fitimtari i luftërave në Ballkan. I gjithë vendi i tij ishte i spastruar etnikisht, me përjashtim të Sllavonisë lindore, krahina përtej lumit Danub nga ana e Serbisë aty ku kishte filluar lufta. Sllavonia lindore ishte gjithçka që Tuxhmani kërkonte nga Dejtoni, ai mund të shkonte sërish në luftë nëse do të ishte e nevojshme, kështu që ai kishte mundësi të vinte dhe të ikte në Zagreb bashkë me shpurën e tij të lajkatuesve, duke i kundërvënë dy palët e tjera me njëra-tjetrën për përfitimin e vet.

Millosheviqi donte paqen në Dejton. Ai donte që amerikanët ta nxirrnin atë nga ajo çka ai vetë kishte nisur vite më parë. Te Hollbruku ai gjeti shpëtimtarin e vet dhe sapo vuri këmbët në Shtetet e Bashkuara, ku u prit me pasqyrimin e ashpër si ideatori i lig i luftës, kjo në vetvete ishte një lloj fitoreje. Ai donte të mbante pushtetin në Serbi dhe donte të hiqeshin sanksionet. Hollbruku u përpoq t’ia hiqte sanksionet para se të fillonin bisedimet, si një nxitje për marrëveshje, por Entoni Lejk dhe Medllin Ollbajt (Madeleine Albright), ambasadore e ShBA në Kombet e Bashkuara, e kishin bllokuar. Shtrëngimi mbytës që vazhdonte e bënte të dobët Millosheviqin, (ai u nis nga Beogradi me frikën se një grusht ushtarak mund të ndodhte gjatë mungesës së tij ose do ta vrisnin kur të kthehej) prandaj në Dejton ai e nisi pa qenë në disponim për negociata. Por, ai ishte i gatshëm të shkonte më larg se çdokush tjetër për të arritur paqen. Karaxhiqi dhe Mlladiqi nuk ishin mes serbëve të Bosnjës në Dejton pasi të akuzuar si kriminelë lufte ata do të arrestoheshin nga autoritetet amerikane.

Boshnjakët ishin karta e paparashikueshme. Izetbegoviqi i urrente bisedimet pasi kjo gjë do t’i kërkonte të merrte vendime dhe çfarëdo vendimi që ai të merrte ose do ta zhyste popullin e tij sërish në luftë ose do të përligjte mizoritë serbe. Ai i shihte bisedimet për paqe si një lloj shantazhi, prandaj edhe i dukeshin kaq të shtirura mirësjelljet diplomatike gjatë vakteve me njerëzit që donin ta shkatërronin, saqë kthehej në dhomën e vet. Ai flinte shumë keq në Dejton dhe zgjohej në mes të natës me zemrën që i rrihte kaq fortë sikur do t’i binte ndonjë infarkt. «Ndjehesha si i kryqëzuar», do të shkruante ai më vonë. Dy këshilltarët e tij kryesorë, Sillajxhiqi dhe Shaqirbegoviqi, e urrenin njëri-tjetrin. Ata po luftonin për të ardhmen e tyre politike, Bosnja e pasluftës nuk do të kishte vend për të tre udhëheqësit.

Askush nuk mund të ishte i sigurt për një qëndrim përfundimtar nga ana e boshnjakëve. Ata donin një Sarajevë jo të ndarë dhe po ashtu donin edhe enklavat e tjera, përfshirë Srebrenicën, të mbajtura nga serbët, donin edhe tokat që ata dhe kroatët kishin marrë kohët e fundit, donin edhe akuzimin e kriminelëve të luftës në Hagë. Boshnjakët ishin si viktima e një sulmi; tepër e traumatizuar dhe e hidhëruar tek shikon se si autori i sulmit përfiton një shfajësim.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

Tri palët e tjera ishin kaq armiqësore saqë pas ditës së parë të konferencës ata nuk bënë më takime zyrtare deri në ditën e fundit. Këtu nuk ishin Shtetet e Bashkuara dhe Vietnami i Veriut që diskutonin për formën e tavolinës dhe pastaj përsërisnin qëndrimet zyrtare vit pas viti. Nuk ishte shah midis dy mjeshtërve të mëdhenj si Henri Kisingeri dhe Zhu Enlai. Kjo ishte diplomaci në formën e vet më njerëzore, përplasje mavijosëse e shpirtrave të vrazhdë.

Në natën e parë, Hollbruku e ftoi Millosheviqin te «Packy’s Sport Bar and Grill», restoranti sportiv në Hotelin Hope. Haris Sillajxhiqi dhe një diplomat amerikan ishin ulur në një tavolinë pranë një muri me televizorë me ekran të mëdhenj. Sillajxhiqi ishte një akademik nga Sarajeva, vetëm 50 vjeç dhe me një vizion modern për një Bosnjë shumetnike, por ishte qejfprishur, i prire drejt një trishtimi të zymtë, mllefeve dhe qëndrimeve ekstremiste inatçore. Hollbruku, gjithmonë zyrtar me Izetbegoviqin, mund ta trajtonte Sillajxhiqin si të barabartë. Duke qenë se Izetbegoviçi ishte negociator pa vullnet, Hollbruku e dinte se Dejtoni do të shkonte drejt bërjes së këtyre dy burrave, Sillajxhiqit dhe Millosheviçit, të flisnin me njëri-tjetrin.

Por te restoranti «Packy’s Sport Bar and Grill» ata e shpërfillën njëri-tjetrin. Millosheviqi ishte në një gjendje mendore të keqe për shkak të sanksioneve. Ai i tha Hollbrukut se e gjithë qasja e tij për bisedimet ishte idiote. «Ti nuk e kupton Ballkanin».

«Sigurisht që nuk e kuptoj, zoti president, por këtu kemi ardhur për të bërë paqe, dhe unë shpresoj se ju do të na ndihmoni».

Millosheviqi deklaroi se ushqimi i restorantit ishte «mut». Pas asaj nate të parë ai rezervoi një tavolinë te Klubi i Oficerëve si vend paksa më i fisëm dhe fliste gjatë me gotën e skoçit dhe pjatën e karavidheve të sjella nga Mejni prej një simpatizanti amerikan. Shkoi të bënte pazar në një qendër tregtare përtej bazës dhe bleu një palë këpucë Timberland për bashkëshorten, dhe dukej i përgatitur të qëndronte në Dejton përgjithmonë.

Simboli i luftës ishte Sarajeva. Serbët e Bosnjës donin ta ndanin qytetin më të përzier të Jugosllavisë në distrikte etnike, si Berlini i Luftës së Ftohtë apo Jerusalemi Lindor dhe Perëndimor, Karaxhiqi madje propozoi edhe një mur. Myslimanët e donin atë si kryeqytet të pandarë në territorin e federatës. Hollbruku ishte i vendosur se nuk mund të kishte një tjetër mur Berlini në fund të shekullit të njëzetë në Sarajevë. Amerikanët propozuan një model të tretë federal, si Distrikti i Kolumbias. Diskutimet silleshin vërdallë.

Të shtunën, më 18 nëntor, Hollbruku bëri një shëtitje me Millosheviqin në zonën e parkimit dhe e kërcënoi se do t’i jepte fund çdo gjëje. Bisedimet kishin vijuar për tri gati javë të kota. «Sarajeva duhet të përcaktohet në Dejton», – tha ai.

«Dakord», – qeshi Millosheviqi. «Sot unë nuk do të ha derisa të zgjidhim Sarajevën».

Pak më vonë Millosheviqi erdhi në suitën e Hollbrukut. «Dakord. Dakord. Në djall me gjithë modelin tuaj të Distriktit të Kolumbias. Është shumë i ngatërruar. Nuk ka për të funksionuar. Do ta zgjidh unë Sarajevën».

Hollbruku ishte i befasuar. Millosheviqi do të lëshonte kryeqytetin e Bosnjës. Kaq shumë kishte filluar t’i përçmonte klientët e tij serbë nga Bosnja. Ata janë mut. Ai i tha Hollbrukut të mos u thoshte asnjë fjalë serbëve boshnjakë të delegacionit të tij, Millosheviqi i kishte izoluar ata tërësisht duke mos pranuar t’u tregonte as edhe një hartë të vetme. Vija të rëndësishme kufitare mbeteshin ende për t’u hequr, por i gjithë qyteti, përfshirë edhe distriktet e mbajtura prej serbëve, do t’iu kalonte të rrethuarve.

«Ju e meritoni Sarajevën sepse gërmuat një tunel dhe hynit e dilnit si dhelprat», – i tha më vonë Millosheviqi Sillajxhiqit. «Ju luftuat për të, kurse ata burracakët ju vranë nga kodrat».

E diela u gdhi e ftohtë. Pavarësisht Sarajevës askush nuk besonte se kishte më kohë dhe vullnet për të zgjidhur çdo gjë, prandaj ndjesia e një dështimi të afër pllakosi. Hollbruku, që kalonte sa nga cikli i rraskapitjes te cikli i ripërtëritjes, u tha amerikanëve të bënin gati valixhet dhe t’i nxirrnin te parkimi, ku do të mund t’i shikonin të gjitha delegacionet, për t’u transportuar te pista e fluturimit. Ishte një bllof dhe dështoi shumë keq. Në mbrëmje valixhet u kthyen sërish nëpër dhoma.

Xhon Menzies (John Menzies), një diplomat amerikan, kishte krijuar disa harta në tabelën e posterave për t’u treguar boshnjakëve se çfarë kishin fituar deri më tani në Dejton. Hollbruku i lejoi boshnjakët që t’i mbanin ato, dhe kur Millosheviqi erdhi për të biseduar me Izetbegoviqin në suitën e tij të dielën pasdite, një hartë ishte e hapur midis krevatit dhe një tryeze anësore, me një rresht të vetëm të dukshëm në krye: «Federata merr 58 për qind të territorit». Millosheviqi nuk e kishte kuptuar se sa shumë kishte lëshuar pe dhe sa herë që ai përpiqej ta zbulonte Hollbruku, që kishte qasje në një hartë ushtarake të kompjuterizuar në një dhomë të sigurt përtej sallës nga suita e tij, bishtnonte t’ia tregonte.

Millosheviqi shpejtoi të dilte nga baraka e boshnjakëve drejt dhomave amerikane dhe e gjeti Hollbrukun në dhomën e tij. «Ti më mashtrove«», – i bërtiti ai. «Si mund të të besoj?»

Millosheviqi ishte i gatshëm të lëshonte pothaujse çdo gjë për një marrëveshje, madje edhe një varrezë serbe në kodrat mbi Sarajevë, por ai nuk do të tërhiqej nga marrëveshja e përhershme që i jepte serbëve 49 për qind të Bosnjës dhe amerikanët nuk mundeshin t’ia kërkonin këtë gjë.

Kështu që Millosheviqi dhe Sillajxhiqi i këqyrnin hartat në dhomën e vogël të konferencave te kazerma amerikane duke diskutuar gjatë gjithë darkës, deri pas mesnatës e në orët e para të mëngjesit se nga ku do të dilnin 7 për qind. Sillajxhiqi nuk lëshonte pe duke kërkuar një rezervuar këtu dhe një fshat atje për boshnjakët. «Ti do të më marrësh edhe pantallonat», – u ankua Millosheviqi, por ai i pranonte kërkesat e Sillajxhiqit dhe vijonte të kërkonte ato 7 për qind. Dejtoni ishte shndërruar në prerje copash toke.

Në dhomën e hartave përtej sallës nga suita e Hollbrukut, inxhinierët kompjuterikë po i shndërronin filmimet ajrore të Bosnjës prej planifikuesve të NATO-s në një lojë videoje tri-dimensionale. Duke përdorur një dorezë shikuesit mund të fluturonin mbi të gjithë vendin dhe të shikonin të gjitha tiparet fizike me detaje nga më të imtat. Kur Hollbruku solli Millosheviqin dhe ndihmësin e tij, presidentin e Malit të Zi, Momir Bullatoviq, për të shijuar këtë mrekulli të teknologjisë amerikane, ai papritur e kuptoi se nuk kishte asgjë ç’të shihje në ekran, as shtëpi, as fshatra, vetëm male dhe shkëmbinj. Ai ua nënvizoi këtë dy udhëheqësve e tjerë.

«Ke të drejtë», – tha Bulatoviçi, – «por ja që kështu është Bosnja».

Hollbruku zuri kokën me duar. «Kjo do të më shkatërrojë martesën, do të më shkatërroj jetën. Shikoni për çfarë po luftoni. Nuk ka asgjë atje».

Rreth orës 3.30 të mëngjesit, Sillajxhiqit i erdhi një ide: t’u jepte serbëve një copë territori në perëndim të Bosnjës që forcat kroate dhe myslimane e kishin marrë pak para armëpushimit. Pjesën më të madhe të atij territori Sillajxhiqi e quante të pavlerë, kurse Millosheviqi vetëm sa donte të arrinte 49 për qind, dhe papritur ata zunë të shtrëngonin duart. Ishte ora 4 e mëngjesit. Uorren Kristoferi porositi një shishe me shardonenë e tij të parapëlqyer kaliforniane. Të gjithë ngritën dolli me njëri-tjetrin përreth një tryeze të rrumbullakët.

Tuxhmani ishte top në gjumë, kështu që ministri i tij i jashtëm, Mate Graniq u thirr për të dhënë bekimin kroat. U zgjua edhe Izetbegoviqi që erdhi me pizhamet poshtë palltos dhe me pamje të palumtur. Graniqi, pa flokë dhe me sjellje të butë, e studioi hartën dhe u tërbua. E gjithë toka që Sillajxhiqi u kishte dhënë serbëve ishte e kroatëve të Bosnjës. Graniqi i ra me grusht hartës dhe bërrtiti: «E pamundur! Zero presje zero për qind shans që presidenti im ta pranojë këtë! Doli jashtë me turfullimë». Millosheviqi dhe Sillajxhiqi rrinin të ulur në qetësi. Paqja kishte zgjatur diçka më shumë sesa gjysmë ore.

Izetbegoviqi po vështronte nga cepi verilindor i hartës. Qyteti i Bërçkos, atje ku takoheshin Bosnja, Kroacia dhe Serbia përgjatë lumit Sava, kishte qenë në duart e serbëve që prej spastrimit etnik të 1992. Qyteti ndodhej në një ngushticë midis dy pjesëve të territorit serbo-boshnjak duke i lidhur ato me njëra-tjetrën dhe me Serbinë. Për këtë arsye serbët e konsideronin Bërçkon me rëndësi strategjike. Çdo hartë diplomatike ia kishte lënë Bërçkon serbëve. Millosheviqi vijonte të bënte presion për një korridor më të gjerë midis Bërçkos, 10 milje, kurse Sillajxhiqi donte ta ngushtonte vetëm në një nënkalim dhjetë metra nën një urë hekurudhore. Më herët atë mbrëmje, Izetbegoviqi e kishte nxitur Sillajxhiqin të pretendonte Bërçkon plotësisht. Kryeministri i ishte përgjigjur se kjo do t’i jepte fund bisedimeve. Tani Izetbegoviqi po e vështronte Bërçkon në hartë. Sillajxhiqi ua kishte lënë serbëve. Hollbruku e dinte se diçka nuk po shkonte mirë. «Çfarë mendoni zoti President? A mund t’i përfundojmë negociatat tani?»

Izetbegoviqi gjithmonë merrte shumë kohë për t’i kthyer përgjigje pyetjeve të vështira. «Unë nuk mund ta pranoj këtë marrëveshje«», – tha ai qetësisht në anglishte.

«Çfarë thatë?» – i kërkoi Kristoferi.

Izetbegoviqi e përsëriti fjalinë, këtë herë me zë më të lartë.

Sillajxhiqi i hodhi shkresat në tavolinë. «Nuk e duroj dot më këtë!» – bërtiti ai dhe doli me vrull nga dhoma.

E diela kishte qenë dita më e gjatë në Dejton, dhe u mbyll me një dështim dëshpërues.

Të hënën dielli shndriti dhe delegatët e rraskapitur po vërtiteshin përjashta, dhe kur e hasnin njëri-tjetrin ndaleshin për të folur sikur të ishin të çoroditur. Atë natë Kristoferi shkoi të takonte Izetbegoviqin. Presidenti boshnjak kaloi 10 minuta duke recituar historinë e ankesave myslimane kundër serbëve dhe kroatëve, derisa Kristoferi e humbi krejt qetësinë e tij të përsosur. Gati duke u dridhur, me zërin e ngritur, ai i qortoi boshnjakët për sjelljen e tyre të paarsyeshme dhe i dha Izetbegoviqit një orë për të ndryshuar mendjen, ose ndryshe konferenca do të merrte fund. Ora kaloi dhe Izetbegoviqi iu përgjigj ultimatumit. Kroacia do t’ua lëshonte serbëve 1 për qind të tokës myslimane në Bosnjë, por tani ai donte Bërçkon. Kjo ishte një kërkesë e re prandaj amerikanët e refuzuan menjëherë.

Me dijeninë se konferenca do të merrte fund në mëngjes, Izetbegoviqi shkoi të flinte dhe shijoi natën e parë me gjumë të qetë pas shumë kohësh. Ai nuk do të bëhej presidenti boshnjak që pranoi rezultatet e gjenocidit.

Po Hollbruku? Ajo ishte dita më e keqe e jetës së tij diplomatike. Ai pothuajse nuk kishte fjetur fare për tri ditë. Ai nuk dinte çfarë lëvizje tjetër të bënte, i kishin mbaruar fjalët. Qëndrueshmëria e tij e pashpjegueshme ishte sosur. Shfaqja ishte prishur, dhe pjesa më e madhe e fajit do të binte mbi të. Në një takim me europianët ai u plandos në karrige, me këpucët dhe çorapet e hequra, këmishën e shkopsitur, pantallonat e zhubrosura dhe tha: «Kaq ishte, ne do të largohemi».

Nuk ishte bllof. Delegacioneve iu kërkua të rishikonin një deklaratë për shtypin që njoftonte dështimin e konferencës së paqes. Një vizitë e planifikuar e presidentit Klinton u anulua, dhe ditën tjetër, e martë 21 nëntor, të gjithë do të ktheheshin në shtëpi. Hollbruku dukej i dërrmuar. Udhëheqësit e Ballkanit ishin të gjithë të çmendur, i tha ai Karl Bildtit, ish-kryeministrit suedez, që drejtonte delegacionin europian, por boshnjakët, për të cilët amerikanët kishin shkuar kaq larg dhe kishin bërë kaq shumë, e xhindosnin atë më shumë nga çdokush tjetër. Ai dyshonte se ata donin që bisedimet të dështonin me qëllimin që ata të ktheheshin të luftonin dhe të fitonin luftën. Po të qe ashtu, ata nuk do t’i kishin më amerikanët nga pas.

Mirëpo ishte një person që nuk do të lejonte që Dejtoni të dështonte.

Millosheviqi u takua me Bildtin në zonën e parkimit dhe iu lut atij që të vijonte përpjekjet për t’i siguruar serbëve 49 për qind: «Më jep diçka, kodra, shkëmbinj, moçale, çdo gjë është në rregull. Nuk ka më fare rëndësi». Ai e qortoi zëvendësin e Hollbrukut: «Nuk mund ta lejosh të ndodh kjo gjë. Ju jeni Shtetet e Bashkuara. Ju nuk mund t’i lejoni boshnjakët t’ju vërdallosin kështu. Thuajuni se çfarë duhet të bëjnë».

Të martën në mëngjes ra borë. Millosheviqi, njeriu përgjegjës për miliona tragjedi njerëzore gjatë katër viteve të fundit në Ballkan, po rrinte te parkimi. Po priste të dilte Hollbruku nga një mbledhje në mëngjes herët me stafin ku po i falënderonte kolegët amerikanë për përpjekjen e tyre të guximshme për t’i dhënë fund luftës. Kati Marton, bashkëshortja e Hollbrukut, dalloi Millosheviqin jashtë në dëborë dhe e futi në dhomën e tejmbushur dhe tejet të rrëmujshme të Hollbrukut.

«Dakord, dakord», – u tha Millosheviqi amerikanëve. «Unë do ta përshkoj edhe miljen e fundit për paqen. Ai binte dakord të dërgonte statusin e Bërçkos në arbitrim ndërkombëtar brenda një viti. Kjo ishte karta e fundit që ai kishte për të luajtur.

Hollbrukut iu rikthye menjëherë fuqia. «Kris», – i tha ai Sekretarit të Shtetit kur ishin vetëm dhe pasi e kishte mbyllur derën për privaci, «takimi tjetër mund të jetë më i rëndësishmi i gjithë karrierës tënde si sekretar». Kristoferi po dëgjonte i përqendruar. «Ne mund ta realizojmë këtë marrëveshje ose mund ta humbim. Harroje Uashingtonin. Kjo është krejt në duart tona. Duhet të shkojmë në takim me vendosmërinë absolute për të pasur sukses».

Ata shkuan te kazerma ngjitur e boshnjakëve. Nuk pranuan të uleshin. Nga pragu i derës Hollbruku i paraqiti ofertën e Millosheviqit. Izetbegoviqi, Sillajxhiqi dhe Shashirbegoviqi dëgjonin. Ai e përsëriti ofertën.

«A e pranoni arbitrazhin për Bërçkon?» Izetbegoviqi përjetoi një çast pështjellimi. Nuk e kishte pritur që Millosheviqi të dorëzohej. Pauza u duk sikur zgjati një jetë. Pastaj ai tha: «Nuk është një paqe e drejtë». Pasoi një heshtje e gjatë. «Por populli im ka nevojë për paqe».

«Atëherë, çdo gjë në rregull», – tha Hollbruku. Sillajxhiqit ai iu duk si një njeri që sapo ishte kthyer nga dhoma e gazit. Ai i pëshpëriti Kristoferit: «Eja të largohemi shpejt nga këtu».

VII. RRËNIMI I PAX AMERICANA

Le t’i japim Hollbrukut atë që meriton. Ai i dha fund një lufte. Domethënë ai dhe të tjerët, por pa Hollbrukun unë nuk e di se kush do t’ia kishte dalë që t’i lajkatonte, t’i detyronte dhe t’u dilte mbanë padronëve të luftës në Ballkan, deri sa ai i uli bashkë në një ceremoni fillestare në sallën e konferencave B-29 të Hotelit Hope atë pasdite të së martës dhe pastaj për ceremoninë e nënshkrimit muajin pasues në Paris. Ai u pyet njëherë se çfarë taktike kishte ndjekur. «Këmbënguljen», – u përgjigj. «Një lloj ngacmimi të pareshtur të të gjitha palëve për të bërë lëshime që ato nuk ishin të gatshme t’i bënin nëse nuk do t’u bëhej presion nga Shtetet e Bashkuara me kërcënimin e besueshëm për përdorimin e forcës».

Fundi i luftës erdhi shumë vonë për të gjallët dhe për të vdekurit. Izetbegoviqi kishte të drejtë: paqja nuk ishte e drejtë. Ato çfarë serbët i kishin fituar me vrasje u lejuan t’i mbanin me marrëveshje. Nuk mund të fajësohet Hollbruku për këtë. Në kohën kur gjërat i mori ai në dorë, Republika Srpska ishte një fakt kokëfortë. Ajo mund të zhbëhej më 1992 ose 1993, dhe asokohe Hollbruku donte të ndërhynte në anën e viktimave. Por, më 1995 qëllimi i tij i vetëm ishte t’i jepte fund luftës. Ajo ishte çfarë u nevojitej më shumë se çdo gjë tjetër boshnjakëve. Izetbegoviqi u ndje i kryqëzuar në Dejton, por kur u kthye në Sarajevë populli i tij e brohoriti për sjelljen e paqes. Në natën e Vitit të Ri, tre vite pas asaj që Hollbruku kishte kaluar duke u dridhur nga i ftohti në Hotelin Holiday Inn, sarajevasit ndoqën një koncert të hapur përpara bashkisë.

Historia është mizore në mënyrë efikase me ëndrrat tona. Tek e fundit, Dejtoni nuk ishte pika më e lartë. Ai nuk ishte as Plani Marshall as hapja me Kinën. Dejtoni zgjidhi një problem të ngatërruar, por nuk krijoi diçka të re apo madhështore. Për ata që përjetuan luftën, ata që vuajtën nga brenda dhe ata që shqetësoheshin prej saj nga jashtë, Bosnja ishte madhështore dhe kjo vetëm kishte shumë rëndësi. Por Hollbruku i kushtoi tri vite të jetës së tij një lufte të vogël në një vend të panjohur pa shumë pasoja afatgjata përtej asaj vetë. Shpërpjesëtimi midis përpjekjeve dhe domethënies, dhe për këtë unë e respektoj Hollbrukun. Por Dejtoni nuk shënoi një rrugë të re përpara ose lart në historinë amerikane. Ishte më afër fundit të diçkaje.

Nuk u duk ashtu në fillim. Dukej sikur Hollbruku mund të ishte autori i një doktrine të re.

Mendoni pak për fundin e viteve ‘90. Mikrosofti, tomahokët, Titaniku. Ekonomia, ushtria dhe kultura jonë ishin krejt të pasfiduara, në dukje edhe të pasfidueshme. Nuk ishte ashtu më parë, as ka nuk qenë më ashtu më pas. Ato vite ishin, besoj se mund ta themi, kulmi i shekullit amerikan. Por nuk pati një doktrinë Klinton. Zor se kishte një politikë të jashtme Klinton, përveç besimit të pakufishëm të presidentit te globalizmi. Çdo gjë dukej se po përmirësohej vetvetiu, e nëse njerëzit po vrisnin njëri-tjetrin në Kongon lindor apo në Ballkanin jugor, e po, ç’lidhje kishin ato me Amerikën?

Hollbruku dëshironte më shumë. Ai ishte nga ai lloj amerikani në majë të pemës që e çante trapin për vendet e errëta të botës. Mund ta quani edhe versioni i përditësuar i ndërkombëtarizmit liberal të Rusveltit (Roosevelt), Trumanit dhe Kenedisë. Tani armiqtë ishin luftërat e errëta civile, tiranët e dorës së dytë, vrasjet masive, shtetet e dështuara. Kisingeri as nuk do t’i kishte përfillur fare këto si tema me interes kombëtar, por Hollbruku, që asnjëherë nuk qe një praktikant i realpolitikës së pastër, ishte i vetëdijshëm për të tashmen.

NDALOHET BOTIMI NGA MEDIA TË TJERA

«Kjo nuk është koha për sëmundjen e fundshekullit (fin de siecle malaise)», – tha ai në një fjalim në 1997. «Epoka e pas Luftës së Ftohtë kërkon një shqyrtim të kujdesshëm dhe projektimin e mjeteve të reja për t’u përballuar me sfidat e saj, shumë prej të cilave janë edhe humanitare edhe politike. Deri më tani në këtë epokë të re, ende të pa emërtuar, ne kemi treguar vetëm aftësinë për të reaguar, që kushton shtrenjtë në jetë njerëzore dhe në para. Menaxhimi i kaosit është sfida e politikës së jashtme të viteve 1990. … Nëse me raste ishin shumë të rrëmbyer dhe të guximshëm gjatë Luftës së Ftohtë, sot jemi shumë të vetëkënaqur (ose indiferent) dhe të kujdesshëm».

Kaosi ishte një problem edhe më i vështirë sesa Bashkimi Sovjetik, më pak i parashikueshëm dhe ka më shumë nevojë për njohuri vendore dhe ndihmën e aleatëve. Edhe pse kundërpërgjigja mund të përfshijë forcë ose jo, duhet të jetë ndërhyrje, e hershme dhe e qëndrueshme, mirëpo Amerikës i pëlqen të vijë me vonesë, me shumicë të madhe, të imponojë një zgjidhje të shpejtë dhe të eci përpara. Menaxhimi i kaosit nuk ishte edhe aq terren i Shteteve të Bashkuara.

Diskutimi për mënyrën se si duhet përdorur superfuqia e Amerikës ishte kryesisht midis nesh. Ne nuk kishim kundërshtar. Rrethanat ishin unike. Marrëveshja e Dejtonit i vendosi trupat ruse në Bosnjën e pas luftës nën komandën e NATO-s, hera e parë dhe e fundit që ka ndodhur një gjë e tillë. NATO-ja po zgjerohej deri në kufirin e ish-Bashkimit Sovjetik, dhe Hollbruku i hodhi poshtë shqetësimet e njerëzve si Kisingeri në lidhje me provokimin e paranojës së vjetër të Rusisë. Ç’kishte Rusia që të frikësohej nga Perëndimi? Ne donim ta përfshinim edhe Rusinë në rrathët e zgjeruar të demokracive europiane, pa e vrarë mendjen për NATO-n. Një virtyt i realpolitikës është se ajo të jep një ndjesi edhe për interesat e të tjerëve, ndërsa Kisingeri mendonte se Hollbruku ishte ca si shumë kapadai amerikan për të kuptuar pse Rusia mund të përfytyronte se po e rrethonin. Ky rrezik në doktrinën e tij ishte një lloj imperializmi liberal.

Disa europianë, po ashtu edhe disa amerikanë, menduan se ne nxorëm mësimin e gabuar nga Bosnja, pra mjafton që Amerika të hedh gjithë peshën e vet për të arritur rezultate. Këta skeptikë heqin një vijë të drejtë nga Dejtoni deri te Iraku, dhe te Hollbruku ata shihnin fytyrën humanitare të kryelartësisë amerikane. Unë nuk mendoja ashtu. Unë mendoja se ai përfaqësonte atë çfarë ishte më e mira jonë. Tani duket shumë më e ngatërruar, por unë ende do të kisha zgjidhur atë në krahasim me alternativat e tjera.

Nëse do të më pyesnit mua se kur filloi rënia e gjatë amerikane, unë mund ta vendosja gishtin te 1998. Ne ishin të dobët, të vetëkënaqur dhe të përqendruar vetëm te vetja. Përfytyrojeni pak një president kaq të pakujdesshëm, saqë bie me kokë në kurthin e kundërshtarëve dhe e derdh pushtetin e vet mbi një fustan ngjyrë blu. Përfytyrojeni pak një superfuqi me kaq shumë besim te paqja dhe begatia e përhershme, saqë ndihej e aftë të humbiste një vit të tërë me diskutimet për seksin oral në Zyrën Ovale. As al-Kaida, që hodhi në erë dy ambasada në Afrikën lindore atë gusht nuk po na e tërhiqte dot vëmendjen: kundërpërgjigja e Klintonit ishte një bombardim me raketa çka u përqesh majtas e djathtas sepse ishte një ndjekje e skenarit të filmit «Wag the Dog». Republikanët vendosën që shkatërrimi i presidentit ishte më i ngutshëm sesa interesi kombëtar dhe ata sulmuan çdo lëvizje të tij si brenda dhe jashtë vendit. Udhëheqësit tanë mendonin se e kishin luksin të shkatërronin njëri-tjetrin dhe nuk u ndalën kurrë. A ka pasur vend tjetër që të ketë ndërthurur kaq shumë fuqi me kaq pak përgjegjësi? Dalëngadalë, dhe në fillim ende pa e vënë re, ne humbëm atë besimin thelbësor te vetja.

Shekulli amerikan mori fund në Bagdad dhe në Helmand, në Halep dhe në Odesa, edhe në Pekin. Ai po ashtu mbaroi në Uiskonsin dhe në Luginën e Silikonit, dhe ndoshta mbi të gjitha mbaroi në Uashington D.C. Ai mbaroi prej teprimit dhe rraskapitjes, konkurrencës në rritje, ndryshimeve të shpejta dhe premtimeve të pambajtura të globalizmit, si edhe prej dështimit të demokracisë tonë të bazuar te shtresa e mesme, e cila kur ishte e begatë na dha një ndikim që e tejkaloi forcën tonë.

Një vend tjetër ku mbaroi shekulli amerikan ishte Bosnja.

Njëzet vjet pas Dejtonit dhe pesë vjet pas vdekjes së Hollbrukut për shkak të çarjes së aortës gjatë një mbledhjeje në zyrën e Sekretares së Shtetet, Hillary Klinton, një grua në Sarajevë e quajtur Aida zuri të vuante nga pagjumësia. Edhe pse kishte mbijetuar gjatë gjithë rrethimit, ajo nuk bënte pjesë te ata qindra mijëra boshnjakë me çrregullimin e stresit pas-traumatik, por tani dy dekada pas luftës, ajo rrinte zgjuar natë pas nate, pa mundur t’ia shqiste sytë televizorit që jepte fushatën presidenciale amerikane. Diçka që lidhej me njerëzit në mitingjet e Donald Trumpit ishte shumë e njohur për Aidën, veshjet e tyre, dhëmbët e tyre, mustaqet e burrave, makiazhi dhe flokët e grave, mungesa e logjikës në ankesat e tyre, dufi i tyre, nevoja e tyre për një armik. Ajo i njihte mirë këta njerëz dhe teksa i shikonte rrahjet e zemrës i shtoheshin, frymëmarrja i bëhej më e shpejtë dhe më e pakët. Filluan t’i lëvrinin në mendje, shihte kujtime të shkuara, jo nga lufta por nga periudha para luftës, kur gjëra që njëherë e një kohë ishin të papranueshme edhe po të mendoheshin, befas ishin bërë të zakonshme për t’u thënë, derisa çdo kufi i mirësjelljes u rrafshua. Kishte çaste nga fushata amerikane që të sillnin në mendje ngjashmëri të çuditshme me ato vite në Ballkan. Një natë vonë, gjatë Konventës Kombëtare Republikane, Aida dëgjoi zërat e një milion serbëve në rrugët e Beogradit që klithnin për kokën e një udhëheqësi kosovar, «Arrestojeni Vllasin! Arrestojeni Vllasin!», teksa Millosheviqi vinte duart te veshët dhe i cyste: «Nuk ju dëgjoj!» Në Klivlend ata klithnin: «Futeni Hillarinë në burg! Futeni në burg!»

Aida e dinte se ku do të shpinte e gjithë kjo dhe ajo u përpoq t’i paralajmëronte miqtë e saj amerikanë se Trampi do të fitonte. Atyre kjo iu duk për të qeshur, sidomos kur ajo u ofroi atyre një strehë në vendin e saj, në shtëpinë e saj, një vend për t’u fshehur në Bosnjë pasi gjërat shkuan për dreq në Amerikë dhe miqtë e saj nga Zona Bay e kuptuan se pala tjetër kishte në dispozicion të gjitha armët. Fitorja e Trampit nuk e frymëzoi Aidën t’u thoshte: «Hë, a ju thashë». Tek e fundit, edhe ajo vetë nuk kishte pranuar ta shihte ardhjen e luftës në vendin e saj.

Pas Luftës së Ftohtë, strategët e mëdhenj propozuan disa skenarë për të ardhmen e botës: ngadhënjimin e kapitalizmit liberal, përplasjen e qytetërimeve, rivalitetin midis fuqive të mëdha, anarkinë pa kufij. Nacionalizmi as nuk u fut dot fare në listën e rëndësishme. Politika e ndryrë dhe vrastare e Jugosllavisë në grahmat e fundit ishte një atavizëm i çmendur, rikthim pas në atë që Bismarku, kur shprehte ndonjë parandjenjë në gjaknxehtësi e sipër, e quante «ndonjë marrëzi e mallkuar në atë dreq Ballkan». Luftërat vëllavrasëse të viteve ‘90 nuk kishin asnjë lidhje me epokën e globalizmit me shpejtësi të lartë që shumë shpejt do të rrafshonte identitetet kombëtare dhe do të na bënte të gjithëve kozmopolitë të ndërlidhur.

Padronët e luftës na dolën se ishin shumë para kohës së tyre. Kurt Bassuener, një ekspert amerikan për Bosnjën, e quan Trampin «presidenti i parë ballkanik i Amerikës». Paraqitjet e tij publike duken si përkthime nga serbishtja. Për Aidën, regjimi i Trampit i kumtoi asaj se Bosnja nuk ka më ku të mbështetet. Europa pushoi së qeni një ide fisnike kur demagogët popullistë zunë të ngrinin tela me gjemba për të mbajtur jashtë refugjatët. Tani u rrënua edhe ideali amerikan. «Pas rënies së vlerave të Shteteve të Bashkuara, cili shtet ka mbetur për t’u marrë si shembull?» – pyet Aida. «Cila? Lindja e Mesme? Azia? Kina? Ato nuk kanë fare dhembshuri. Rusia

Jo shumë kohë më parë, shkova të kërkoja frymën e Hollbrukut në malësitë e Europës juglindore ku ai u përpoq të gjente vendin e tij në histori. Ndoshta kjo do t’u befasojë, por nuk ka asnjë rrugë apo shesh me emrin Riçard Hollbruk në Sarajevë. Asgjëje nuk i është vënë emri i njeriut që është aq shumë përgjegjës për faktin se njerëzit mund të pinë kafe turke në tavolinat jashtë në Qytetin e Vjetër. Kur ia vura në dukje Aidës këtë gjë, ajo më tha: «Mua nuk më duhet shtatore për Riçard Hollbrukun. Unë jam shtatorja e Hollbrukut. Unë jam monumneti lëvizës i Riçard Hollbrukut».

Hollbruku kujtohet ende në Bosnje por pa shumë mirënjohje sepse lufta nuk mbaroi me të vërtetë. Dejtoni i ndaloi vrasjet dhe unë nuk kam takuar ende një boshnjak të çfarëdo origjine që të ketë pendesë për këtë gjë. Zhelko Komshiq, që humbi nënën prej plumbit të një snajperi teksa ajo po pinte kafen në apartamentin e saj në Sarajevë, ishte ushtar në ushtrinë boshnjake më 1995, dhe ishte i zhytur deri në brez në dëborë kur mësoi se palët kishin arritur një marrëveshje në Dejton. «Unë nuk gjej fjalët të ta përshkruaj lumturinë dhe gëzimin që ndjeva», – thotë ai. «A e di se sa i lumtur ndihesha që do shkoja në shtëpi?»

Tetorin e kaluar, Komshiq u zgjodh si anëtari kroat i presidencës me tre anëtarë. Ai ka një zyrë në ndërtesën e pallatit presidencial të restauruar në Sarajevë. Përveç disa vrimave plumbash në murin e jashtëm, nuk ka fare gjurmë lufte, mirëpo Komshiqi drejton një qeveri që nuk formohet dot. Duke qenë se ai nuk është një nacionalist kroat dhe i fitoi zgjedhjet me ndihmën e votave të boshnjakëve (kështu e quajnë veten myslimanët boshnjakë), politikanët kundërshtarë kroatë pretendojnë se Komshiqi nuk përfaqëson popullsinë kroate dhe kjo mungesë përfaqësimi dhunon të drejtat e dhëna për çdo grup në Dejton. Prandaj nacionalistët kroatë, të cilët duan një entitet të tyrin, kanë bllokuar formimin e qeverive vendore, gjë që e paralizon të gjithë sistemin e çmendur të juridiksioneve të ndërthurura të krijuar në Dejton.

Për të ndalur luftën, negociatorëve u duhej të sajonin një vend të paqeverisshëm. Kushtetuta e Bosnjë-Hercegovinës, Aneksi 4 i Marrëveshjes, krijoi një shtet që ka dy entitete (federatën myslimano-kroate dhe Republikën Srpska), tre presidentë (nga një për çdo grup kryesor etnik), 10 kantone, 14 sisteme ligjore dhe 152 ministri. Pacienti shpëtoi por mbeti i deformuar.

Të huajt, përfshirë edhe Hollbrukun, e panë Marrëveshjen e Dejtonit si një simbol të zëvendësueshëm për evoluimin e shtetit në të ardhmen. Ata prisnin që serbët, kroatët dhe boshnjakët të kapërcenin luftën dhe të nisnin ndërtimin e një vendi normal, nëse nuk do ta bënte dot këtë brezi që bëri luftën, atëherë do ta bënte brezi tjetër që do të kishte më shumë interes për mundësitë që ofronte shekulli i njëzet e një sesa për urrejtjen tribale. Aneksi 4 do t’ia linte vendin një kushtetute që do ta pastronte ndryshkun burokratik, do t’i degdiste nacionalistët e plakur nga e shkuara dhe do të krijonte një shtet funksional modern për qytetarë të barabartë. Përfundimisht Bosnja do të zinte vendin e vet në Bashkimin Europian dhe ndoshta edhe në NATO.

Asgjë nga këto gjëra nuk ka ndodhur. Bosnja mbetet e spastruar etnikisht. Mendohej se refugjatët do të ktheheshin në shtëpi pas luftës, por shumë pak prej tyre u kthyen. Aneksi 4 është ende kushtetuta dhe lufta vazhdon me mjete paqësore. Vendi sundohet nga trashëgimtarët, politikë dhe shumë herë edhe biologjikë, të tri lëvizjeve nacionaliste që bënë edhe luftën. Ata e denoncojnë njëri-tjetrin publikisht dhe i fryjnë frikërave të ndërsjella në kohë zgjedhjesh, por në prapaskenë ata janë shokë që bashkëpunojnë për të qëndruar në pushtet dhe për t’u majmur nga i njëjti sistem plaçkitjeje. Struktura qeverisëse e ndërtuar në Dejton e bën të sigurt se nacionalistët do të vijojnë të fitojnë zgjedhjet dhe të sundojnë si shefat mafiozë. Politika etnike prodhon korrupsion të shfrenuar që mbyt ekonominë dhe pengon ndryshimin shoqëror. Shumica e vendeve të punës kontrollohen prej klientelizmit politik dhe shiten për qindra mijëra dollarë ryshfet, papunësia e të rinjve është mbi 60 për qind, shkalla e lindjeve është më e ulët sesa niveli i zëvendësueshmërisë, më shumë sesa gjysma e popullsisë jeton jashtë vendit dhe dhjetëra mijëra boshnjakë largohen jashtë, kryesisht drejt Gjermanisë. Por pavarësisht nga tensionet dhe zymtësia e përditshme, pavarësisht nga kallashnikovët e kohës së luftës të fshehur nëpër dollapë dhe granatëhedhësave të groposur nëpër oborre, boshnjakët thonë se nuk do të ketë një luftë tjetër civile, sepse Bosnja nuk ka njerëz mjaftueshëm për të luftuar.

Bassuener-i, që punoi për 11 vjet në Bosnjë, e quajti Marrëveshjen e Dejtonit «sistem kontrolli për padronët e luftës, që është po ashtu edhe sistem i plotësimit të dëshirave të padronëve të luftës». Ajo krijoi një vend në të cilin pothuajse askush nuk është i lumtur. «Çdokush e di se e ka humbur luftën personalisht, dhe fituan shkërdhatat me audi të zinj».

Data 9 janar është Dita e Republikës Srpska, dita kur serbët e Bosnjës festojnë lindjen e vendit të tyre të ëndrrave më 1992, i pagëzuar me një «emër nazist». Në 2016 gjykata e lartë e Bosnjës vendosi se Dita e Republikës Srpska është diskriminuese dhe si e tillë e paligjshme, por ceremonia ende mbahet çdo vit në formë sfiduese në Banjalluka, kryeqyteti i entitetit serb. Këtë 9 janar, rrugët e Banjallukës ishin veshur me flamuj serbë dhe policët serbë të veshur me uniformat paraushtarake dhe duke mbajtur armë automatike parakaluan mes për mes sheshit qendror duke këndur himnin kombëtar të Republikës Srpska, dhe Ujqërit e Natës, një bandë motoçiklistësh rusë pro-Putinit, iu bashkuan paradës ku autoblinda të prodhuara në vend të quajtura «Despote» kalonin ngadalë përpara shtetarëve të mbledhur. Më pas, valltarë të zbukuruar kërcyen një balet popullor për dashurinë e përjetshme për Republikën Srpska të quajtur «Lindja». Mund të mendoje si ishte fillimi i viteve ‘90.

Milorad Dodik është anëtari serb i presidencës. Në vitet pas Dejtonit, kur në vend vërshuan paratë dhe personeli perëndimor, ai fliste si liberal dhe ishte politikani serbo-boshnjak i parapëlqyer i amerikanëve. Por në 2006, në periudhën e para zgjedhjeve, e njëjta epifani që e shndërroi Millosheviqin në nacionalist serb dy dekada më parë tani kishte përndritur edhe udhën e Dodikut që e shihte të ardhmen e tij duke e bërë Republikën Srpska sërish të madhërishme. Që prej atyre viteve Dodiku e ka konsoliduar pushtetin dhe pasurinë e vet si një nacionalist i helmatisur. Qëllimi i përbetuar i tij është një shtet më vete për serbët e Bosnjës.

Në fjalimin e tij në Ditën e Reublikës Srpska, Dodiku foli sikur të ishte president i një vendi të pavarur, jo anëtari serb i një presidence me tre anëtarë të një vendi të quajtur Bosnje. «Ne nuk duam të privojmë të tjerët nga liria e tyre, ne thjesht duam të bëjmë të ditur se ne jemi gati të luftojmë dhe të mbrojmë lirinë tonë», – tha ai. «Më 1995 marrëveshja e paqes së Dejtonit u arrit, dhe serbët e mbështetën. Por … Bosnjë-Hercegovina nuk është dëshira jonë, është diçka që ne u desh ta pranonim. Na detyruan të pranonim nëpërmjet një procesi ndërkombëtar negociatash». Pastaj ai e përfundoi me një paralajmërim. «Unë e dua Republikën Srpskën. Unë e dua popullin serb. Unë nuk urrej askënd. Të gjithë miqtë tanë janë të mirëpritur, qofshin kroatë apo boshnjakë, ngado qofshin afër apo larg. Por kur të vini këtu do të gjeni njerëz që e dinë se çfarë duan, dhe ata nuk do t’ju lëndojnë, por sigurohuni që as ju të mos i lëndoni».

Marrëveshja e Dejtonit përmban dy forma kundërshtuese nacionalizmi, një etnik dhe një qytetar, dhe beteja e vërtetë për Bosnjën gjendet midis atyre dy formave. Në preambulën e Aneksit 4 shkruhet: «Boshnjakët, kroatët dhe serbët si popullsi përbërëse (së bashku me të tjerët), dhe qytetarët e Bosnjë-Hercegovinës përcaktojnë këtu se kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës është si vijon». E gjithë kontradikta gjendet atje, në ngërçin e një fjalie. Bosnja paska popullsi përbërëse, për të qenë i saktë tre që duhen përmendur me emër së bashku me të tjerët e paidentifikuar, si për shembull hebrenjtë apo romët, dhe pastaj ka edhe qytetarë. Kushtetuta duket se i vendos qytetarët në kategori të ndara nga popullsitë përbërëse. Qytetarët e mendojnë veten fillimisht si boshnjakë. Ata duan të jetojnë në një shtet që u garanton të drejtat individëve, jo grupeve. Ata votojnë për parti multietnike dhe qytetare që bëjnë fushatë për demokraci dhe sundim të ligjit, si për shembull Nasha Stranka, apo «Partia jonë», që drejtohet nga një serb por që doli mirë zgjedhjet vendore të fundit të tetorit në Sarajevë dhe gjetkë. Qytetarët mund të jenë më të paktë në numër sesa popullsitë përbërëse, por edhe ata po ashtu i kthejnë sytë nga Dejtoni për mbështetje.

Në mars 2018, trupi i një 21-vjeçari serb i quajtur David Dragiçeviq u gjet në baltë në anë të një lumi në periferi të Banjallukës. Policia deklaroi se djali i vdekur ishte një kriminel i vogël dhe vdekja e tij ishte shkaktuar nga droga, por gjetjet përmbanin kaq shumë boshllëqe dhe kontradikta saqë qytetarët e Banjallukës të udhëhequr nga prindërit e brengosur të Davidit filluan ta sfidonin atë që ata besonin se ishte mbulimi i një ligësie zyrtare. Protestat e përditshme u shndërruan në një lëvizje të quajtur «Drejtësi për Davidin». Lëvizja vijoi të rritej gjatë gjithë vitit. Në disa mbrëmje dhjetëra mijëra njerëz mbushnin sheshin kryesor të Banjallukës. Edhe joserbët nga federata u hipën makinave për të marrë pjesë, si edhe pati protesta solidarizuese në Sarajevë dhe në Tuzëll. Babai i Davidit dhe babai i një boshnjaku të ri që ishte vrarë në mënyrë të mistershme bashkuan duart në Sarajevë. Më 21 nëntor, në përvjetorin e Marrëveshjes së Dejtonit, një turmë shumë e madhe doli në Banjallukë. Protestuesit mbanin lart parulla me të drejtat e njeriut që u garantohen nga Marrëveshja e Dejtonit por që ua kanë vjedhur autoritetet.

«Drejtësi për Davidin» është lëvizja e parë që i bashkon boshnjakët përtej ndarjeve etnike, kundër të këqijave që i prekin të gjithë, korrupsionit, klientelizmit politik, abuzimit policor, paprekshmërisë së zyrtarëve. Asgjë e ngjashme nuk kishte ndodhur në Bosnjë, prandaj kjo i alarmoi «shkërdhatat me audi të zinj». Në 30 dhjetor, policia e Dodikut i sulmoi protestuesit në sheshin qendror të Banjallukës me qëllim që të pastrohej sheshi për Ditën e Republikës Srpska.

Protesta u zhvendos përtej qoshes, në sheshin përballë katedrales ortodokse. Disa net pas 9 janarit, 150 vetë u mblodhën jashtë kishës. Ishte një takim me më pak njerëz sesa ato të mëparshmit ndërsa policia vëzhgonte nga afër qytetarët qëndruan të qetë duke mbajtur qirinj me dinjitet. Midis tyre ishte Aleksandra Vranjes, një nënë e vetmuar 41-vjeçare. Ajo kishte qenë anëtare e partisë së Dodikut, por hidhërimi për prindërit e djaloshit të vdekur e kishte prekur dhe i ishte bashkuar lëvizjes «Drejtësi për Davidin», gjë që i kushtoi punën mbështetëse në ministrinë e arsimit dhe kulturës.

«Unë jam nënë, prind, njeri. Këto gjëra njeriu ose i ndien ose nuk i ndien», – tha ajo. «Për ata», – dhe ajo përmend partitë etnike sunduese të Bosnjës, «ne jemi farë e keqe, ne jemi fara e shoqërisë civile çka është ajo që i tremb ata më shumë, sepse ne po i mbledhim njerëzit. Gjithçka dinin të bënin ata ishte të ndanin njerëzit. Ne jemi një kërcënim për sistemin që ata kanë ngritur këto 20 vjet». Më 21 nëntor, Aleksandra iu bashkua turmës duke mbajtur parullën ku shkruhej liria e shprehjes. «Dejtoni na jep ne ato të drejta të cilat nuk kemi më të drejtë t’i përdorim. Ata po e përdorin Dejtonin për të ndarë njerëzit, por marrëveshja e paqes së Dejtonit është e përkryer për njerëzit e thjeshtë, sepse ajo ka çdo gjë për t’iu thënë njerëzve se janë të lirë, si janë njerëzit kudo në botë».

Ja ku doli një lëvizje që bëri thirrje për të drejtat e njeriut dhe për qeverisje të mirë, duke përdorur gjuhën e përdorur nga amerikanët në tekstin e marrëveshjes. Unë besoja se lëvizja «Drejtësi për Davidin» mund të gëzonte mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Por në ditën që pasoi qëndrimin jashtë natën para kishës, Dejan Shajinoviq, një gazetar vendor që ka mbuluar «Drejtësinë për Davidin» që është lidhur shumë me babain e Davidit, ma tha troç.

«Nuk ka pasur përfshirje të ShBA për të mbështetur lëvizjen ‘Drejtësi për Davidin’. Ndoshta mësimi më i mirë nga gjithë kjo gjë është se çfarë ndodh në nivelin mikro kur Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga çështjet ndërkombëtare, çka është ajo që po ndodh. Nëse Shtetet e Bashkuara do të përfshiheshin siç kanë bërë, edhe para dy apo tre vjetësh, unë e dija mirë se çfarë t’i thosha babait të Davidit. Unë do t’i thosha: ‘Shko në ambasadën amerikane’». Asnjë politikan në Bosnjë, as ata që e urrejnë ShBA-në, nuk mund ta shpërfillin. Vendi që i dha fund luftës dhe që u bë mamija e lindjes së Bosnjës ka ende shumë ndikim dhe prestigj, shumë më tepër sesa Bashkimi Europian. Por ndikimi po davaritet, sepse tani nuk po përdoret më. «Ose nuk bëjnë fare deklarata, ose janë të butë», – thotë Dejan Shajinoviqi. «Të gjithë popullizmat që ndodhën gjatë viteve ‘90, kanë filluar të ndodhin sërish».

Ai vijoi: «Presidenti amerikan po thotë se gazetarët janë armiku i popullit amerikan. A e di ti sa shkatërruese është kjo gjë këtu te ne? Ç’mund të thotë ambasadori amerikan për lirinë e medias?» Ai e përmbylli me këto fjalë: «Shtetet e Bashkuara po tërhiqen nga çështjet botërore në përgjithësi. Dhe kjo nuk filloi me Trampin, por me Trampin u përshpejtua».

Kur vizitova Sarajevën në janar, ambasada amerikane ishte në periudhën e ndërrimit të ambasadorëve. Për shkak të mbylljes së qeverisë në ShBA, ambasada funksiononte me personel shumë të tkurrur, dhe askush nuk u lejua të fliste me mua. Kristofer (Christopher) Hill, një ambasador në pension që punoi së bashku me Hollbrukun gjatë diplomacisë së tij lëvizëse dhe gjatë Dejtonit, e përshkroi kështu profilin e ulët amerikan në Bosnje: «Ne po bëjmë shumë hapa pas. Dhe kjo nuk funksionon».

Me një konsensus të përafërt, boshnjakët e vendosin datën e fillimit të tërheqjes amerikane diku nga 2006, i shkaktuar nga një ndjesi e përgjithshme se Bosnja po ecën në drejtimin e duhur, besim i vetëkënaqur te Dodiku si njeriu ynë në Banjallukë, padurimi europian për t’u bërë mbikëqyrësi, si edhe shpërqendrimi i madh për shkak të luftës në Irak. Ne e humbëm interesin për këtë fortesë të Pax Americana. Në 2007, trupat europiane zëvendësuan ato amerikane që u transferuan në Afganistan, sepse me sa dukej nuk kishte më nevojë për pushtet të fortë në Bosnje. Shpërfillja u thellua gjatë viteve të Obamës. Bosnja u bë çështje e nivelit të katërt në Uashington, përgjithësisht e lënë në drejtimin e nivelit të zëvendës sekretarit të shtetit. Fjalori për ndarje i Dodikut zuri të bëhej gjithmonë e më ekstremist. Në 2016, ai u godit nga sanksionet amerikane, por ai e dinte se ne nuk do të nisnim një betejë për parime. Vitet kur mund të shtrëngoheshin politikanët në Bosnjë kishin marrë fund.

Tani nacionalistët kanë një aleat të natyrshëm në Shtëpinë e Bardhë. «Trampi duhet të jetë një mik i popullit serb», – më tha një grua e moshuar në Pale, «sikur edhe vetëm për faktin se dadoja që i rriti fëmijët ishte një serbe». Kjo është e vërtetë: Milka Milisavljeviq ishte dadoja e Don Jr. Erik dhe e Ivankës për tetë vite dhe ajo u mësoi atyre disa fjalë në serbishte. Nëse Trampi do të dëgjonte ndonjëherë për Bosnjën, ai mund ta shkatërrojë vendin me një postim të vetëm në Twitter. Eksperti i Ballkanit, Bassueneri, e imagjinoi se si mund të ishte ai postim: «BE tashmë në kaos nga pushtimi mysliman. Bosnja? Ide e tmerrshme! Kroacia dhe Serbia duhet ta ndajnë atë. E thjeshtë!»

Teksa Shtetet e Bashkuara tërhiqeshin, Bosnja u bë një boshllëk gjeopolitik. Ky boshllëk po mbushet dalëngadalë nga Rusia. Deri më tani është vetëm me pushtet të butë: thirrje për bashkim pan-ortodoks, para të thjeshta për kompanitë vendore që kanë lidhje me shefat e partisë, borxhi që kthehet në ndikim politik. Sergej Lavrovi, ministri i jashtëm rus, i bëri një vizitë Dodikut dy javë para zgjedhjeve të tetorit të kaluar kurse presidenti Vladimir Putin u takua me të dy herë vitin e kaluar. Qëllimi strategjik i Rusisë është që të përdori ndikimin e saj te serbët për ta mbajtur Bosnjën jashtë NATO-s.

«Shteti i vetëm që ka një plan këtu është Rusia», më tha Emir Sulagiçi, një profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në Sarajevë që si adoleshent i mbijetoi gjenocidit në Srebrenicë.

«Europianët po bëjnë vërdallë, me besimin e tyre se procedurat dhe burokracia mund të zëvendësojnë politikat dhe vizionin. Amerika është më e ndarë sesa Bosnja në disa aspekte. Rusia është e vetmja që është e organizuar dhe e di çfarë do».

Shekulli i njëzetë filloi në Sarajevë. Duke përfshirë edhe Luftën e Parë Botërore, tri luftëra janë bërë në qytetet dhe malet e Bosnjës. Pastaj erdhi Hollbruku dhe marrëveshja e Dejtonit, që i dha Bosnjës një pikëmbështetjeje të pasigurt në botën liberale. Tani shekulli amerikan ka marrë fund, edhe Bosnja që nuk do të mund të ekzistonte pa Shtetet e Bashkuara, po rrëshqet dalëngadalë. Ndoshta gjithmonë ka qenë shumë e vogël dhe shumë e trazuar për të pasur rëndësi. Ndoshta nuk ka qenë kurrë e mundur që të jashtmit të sjellin ndryshimin atje. Gjithçka të huajt mund të bënin ishte të garantonin kushtet në të cilat boshnjakët të mund ta sillnin vetë ndryshimin. Por, tani ne po bëhemi shumë më tepër si Bosnja sesa Bosnja si ne.

Ka edhe diçka tjetër që do ta trazojë shpirtin e Hollbrukut. Ajo nuk është fundi i udhëheqjes tonë globale, pasi ajo nuk ka qenë asnjëherë diçka e qëndrueshme dhe 1995 ishte vit unik, por ajo është venitja e shembullit tonë. Ne e mbivlerësojmë veten në pothuajse çdo mënyrë, që nga patriotizmi i zjarrtë deri te urrejtja e vetvetes, dhe sakaq i shpërfillim njerëzit e paemër në vendet e errëta si Sarajeva dhe Banjalluka që mendojnë ende se ne përfaqësojmë diçka që e duan edhe ata për veten e tyre. Të përshtatesh me elegancë kur ke marrë një pjesë nga pushteti është mençuri. Ama është çmenduri ta flakësh tutje margaritarin e madhështisë sonë të vërtetë.

Ky artikull u përshtat nga libri më i fundit i Xhorxh Pekerit (George Packer), «Njeriu ynë: Riçard Hollbruku dhe fundi i shekullit amerikan». Libri do të dalë në maj 2019 në formë të shtypur me titullin «Elegji për shekullin amerikan». Botoi: The Atlantic 

Përktheu nga origjinali: Albert SHEQI