Fotografi nga Sarajeva që përjetësoi tragjedinë kosovare

Si sot para 17 vitesh revista e famshme TIME botoi në ballinë fotografinë e një nëne kosovare, e cila i jepte gji foshnjës duke ikur nga policia serbe në drejtim të Maqedonisë. Kush është autori i kësaj fotografie që tashmë i takon kujtesës kolektive të Kosovës?

Ballina e revistës TIME e datës 12 prill 1999.



Në vitin 1999 fotografi nga Sarajeva Damir Shagol i agjencisë «Reuters» e përjetësoi me aparatin e tij tragjedinë kosovare: një nënë duke i dhënë gji foshnjës derisa po braktiste vendin e saj bashkë me qindra e mijëra njerëz të tjerë. Mbi kokë ajo grua e re bartte një shami të bardhë – ndoshta për të fshehur feminitetin e saj përballë policëve, ushtarëve e paramilitarëve të regjimit serb që dhunonin, vrisnin e grinin çdo gjë shqiptare. Kjo fotografi ka hyrë në kujtesën kolektive të shqiptarëve të Kosovës. Fuqia e saj ikonike ishte aq e madhe, saqë revista TIME e nxori në ballinë në numrin e saj të datës 12 prill 1999, pra si sot para 17 vitesh. Po kjo fotografi ishte edhe në ballinën e revistës gjermane DER SPIEGEL të datës 5 prill 1999.

Kush është autori i kësaj fotografie? Damir Shagol punon nga viti 1997 për agjencinë «Reuters» si fotoreporter dhe gazetar. Ai ka qëndruar në shumë vatra të krizave anekënd botës dhe është shpërblyer me çmimin prestigjioz World Press Photo. «Fotografia mund të bëjë mrekulli! Nëse ka fuqi, autoritet dhe nëse plasohet mirë, në çastin e duhur, vetë fotografia, nëse asgjë më shumë, mund të jetë shtysa që dikë e bën të bindet për diçka», ka thënë Shagol në një intervistë për gazetën kroate Novi list.

Shagol ka lindur në Sarajevë në vitin 1971, ku ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Ka studiuar arkitekturë dhe ndërtimtari në Sarajevë dhe Moskë, ku kishte jetuar për shkak të rrethanave familjare: babai i tij ishte korrespondent i gazetës më të madhe boshnjake Oslobodjenje. Gjatë luftës së Bosnjës (1992-1995) Shagol shërbeu në ushtrinë boshnjake dhe filloi të fotografojë. Në vitin 1995 ai nisi të punojë për agjencinë e fotografive SIPA me seli në Paris, duke i ofruar fotografi edhe agjencisë Reuters. Më 1997 ai u bë kryefotograf i kësaj agjencie në Bosnjë. Me shpërthimin e luftës në Kosovë Shagol përcolli tragjedinë e banorëve të këtij vendi. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më 24 mars 1999 ai shkrepi edhe fotografinë më të njohur të karrierës së tij kosovare: një grua që afër kufirit me Maqedoninë po i jepte gji foshnjës.

Me qetësimin e situatës në Ballkan Shagol punoi në Lindjen e Mesme, kryesisht në Iran, Liban dhe Izrael – dhe pas 11 shtatorit 2001 në Afganistan dhe Irak. Një fotografi e tij e trupave amerikane dhe aleate gjatë pushtimit të Irakut ishte e nominuar për çmimin e famshëm Pulitzer. Shagol ka mbuluar edhe ngjarje sportive, por edhe tragjedi natyrore si Cunamin në Japoni dhe krizën e urisë në Korenë e Veriut. Aktualisht Shagol është shef i zyrës së Reuters në Bangkok. Fotografitë e tij janë botuar në gazeta e revista të famshme si TIME, DER SPIEGEL, Stern, The New York Times, Life, The Washington Pos dhe Le Monde.

Në intervistë me gazetën Novi list Shagol është përgjigjur edhe në pyetjen nëse mediat kanë arritur të dëshmojnë përtej Ballkanit se çfarë ka ndodhur, ta zëmë, në Srebrenicë? «Pa asnjë dyshim kanë arritur. Nëse e vërteta do të kishte mbetur vetëm te politikanët dhe <historianët>, ajo do të ishte si politika – kurvërore, egoiste dhe e ndryshueshme. Pa gazetarë, te huaj dhe vendorë, pa përkushtimin dhe sakrificën e tyre, ambicien dhe dijen, informatat në bazë të të cilave formohet vetëdija do të mbesnin në nivelin e komunikatave që lëshojnë qendrat e pushtetit. Kjo nuk do të ishte assesi mirë», ka thënë Shagol.