Fitorja është në duart e prijësve të VV-së dhe LDK-së – humbja po ashtu nëse vazhdohet me sulme personale

Në Kosovë duhet të krijohet një kulturë politike ku marrëveshjet vlejnë dhe zbatohen pa manipulime. Kosova gjendet para një sfide dhe një shansi të madh. Po nuk u shfrytëzua pozitivisht ky shans, ekziston rreziku i dëshpërimit të shumë të rinjëve të cilët me gjasë alternativën më të mirë do ta shohin në migrim.

Foto: Arthimedes / Shutterstock



Deri pak orë para se të përfundonte afati i regjistrimit të partive apo koalicioneve politike për zgjedhjet e 6 tetorit, nuk ishte e qartë se a do të arrihej një koalicion në mes të Lëvizjes Vetëvendosje (VV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Shumë njerëz shpresuan në një koalicion të tillë për shkak të frikës se prapë mund të bëhej një koalicion i natës prej partive të tjera i cili do ta vështirësonte apo pamundësonte udhëheqjen e qeverisë nga VV apo LDK.

Ky koalicion parazgjedhor nuk u arritë por shpresa për një ndryshim të madh dhe rrënjësor mbeti. Pyetja tani shtrohet se a do të arrihet një koalicion paszgjedhor në mes të VV-së dhe LDK-së dhe çka nevojitet për një koalicion të tillë. Përveç përafrimit të programeve qeverisëse, elementare është, dhe do të duhej të ishte e vetëkuptueshme, respekti i ndërsjellë.

Nëse shikohen disa prej paraqitjeve të fundit në fushatën parazgjedhore, mund të konstatohet se mundësia e koalicionit në mes të këtyre dy partive të paktën prej disa prej figurave vendimmarrëse shihet si çështje e kalkulimit dhe duket sikur nuk ekziston serioziteti i nevojshëm, të cilin e kërkon situata në të cilën ndodhet Kosova.

Në njërin prej tubimeve të LDK-së, Lutfi Haziri e quajti Albin Kurtin «Mr. Bean» (Mister Bini) dhe e përqeshi veshjen e tij. Një qasje e tillë tregon mungesën e seriozitetit të Lutfi Hazirit dhe natyrisht krijon hapësirë për spekulime se çka është qëllimi i tij dhe i bashkëpartiakëve të tij që kanë një ndikim të madh në LDK dhe mendojnë ngjashëm si ky. Paraqitjet e tilla të pavenda dhe joseroize e dëmtojnë bashkëpunimin eventual të VV-së dhe LDK-së dhe i shërbejnë partive që e kanë dëmtuar Kosovën shumë rëndë deri më tani. Me Albin Kurtin mund të mos pajtohemi por për një njeri që është angazhuar qe 25 vite për çështjen e Kosovës dhe është kryetari i partisë së parë apo të dytë duhet të tregohet një respekt minimal.

Publiku i ka ende të freskëta kujtimet e premtimeve të LDK-së se kurrë nuk do të bëjnë koalicion me SHIK-un (PDK), të cilin e akuzonin për vrasjen e bashkëpartiakëve të tyre dhe pastaj ndërrimin e qëndrimit brenda natës, bërjen e koalicionit me PDK-në dhe zgjedhjen e Hashim Thaçit president të Kosovës pothuajse në rrethana të gjendjes së jashtëzakonshme. Lutfi Haziri ka qenë figurë e rëndësishme në marrjen e këtyre vendimeve. Me të drejtë ekziston një frikë se personat si ky – e për fat të keq ky nuk është i vetmi – sërish mund të bëjnë pazare të ndyra të cilat do t’i paguaj prapë shtrenjtë Kosova.

LDK dhe VV e kanë një mundësi historike për largimin e partive të korruptara dhe të kriminalizuara dhe fillimin e një ndryshimi të madh të qeverisjes në Kosovë. Për t’u arritë një gjë e tillë nuk mjaftojnë vetëm «numrat» por një respekt, qasje konstruktive, angazhim i madh dhe punë profesionale. Ky është një moment ku mund të fillojë instalimi i një kulture më ndryshe politike në të cilën në rend të parë do të kishte konkurrencë idesh, konceptesh e programesh dhe jo akuza dhe sulme të ulta personale.

VV dhe LDK e kanë një mundësi të madhe për një partneritet të mirë dhe të frytshëm për Kosovën për dy apo ndoshta edhe më shumë mandate. Të dy këto parti mund të mësojnë shumë nga gabimet dhe dinakëritë e Thaçit dhe Veselit. Këta dy partnerët e koalicioneve i manipuluan dhe mashtruan varësisht prej interesave të tyre të ngushta personale dhe partiake. Duhet të krijohet një kulturë politike ku marrëveshjet vlejnë dhe zbatohen pa manipulime.

Ata të cilët e grabitën shtetin për 20 vite me radhë, do t’i përdorin parat e vjedhura në të gjitha format e mundshme për një rezultat më të mirë zgjedhor. Kosova gjendet para një sfide dhe një shansi të madh. Po nuk u shfrytëzua pozitivisht ky shans, ekziston rreziku i dëshpërimit të shumë të rinjëve të cilët me gjasë alternativën më të mirë do ta shohin në migrim. Një zbrazje e re e madhe e Kosovës mund të ketë pasoja afatgjate dhe të pariparueshme. Është obligimi ynë qytetar që të bëjmë çfarë mundemi për një ndryshim dhe një kthesë të madhe për vendin tonë.