Festivali i lirisë dhe i folklorit mbarëshqiptar në Klinë

Klina edhe sivjet, si në çdo qershor që gjashtëmbëdhjetë vjet me radhë, bëhet vendtubim dhe vendtakim i artdashësve të folklorit burimor shqiptar të të gjitha trojeve etnike, ku marrin pjesë qytetarë jo vetëm të lokaliteteve të Komunës së Klinës, por edhe nga e gjithë Kosova, Shqipëria, Tetova, Presheva, Medvexha, Malësia, Ulqini, e edhe nga Kalabria e viset tjera ku ka shqiptarë, si dhe nga diaspora.




Për tri ditë me radhë, më 6, 7 e 8 qershor i këndohet lirisë, pavarësisë, trimërisë heroike të luftëtarëve të UÇK-së e Komandantit të shquar të saj Mujë Krasniqit- Kapuçit, festival i cili përkon me ditëlindjen e Mujës.

Drejtoria artistike seleksionimin dhe përzgjedhjen e grupeve dhe pjesëmarrësve në festival e ka filluar para tre muajve, ndaj edhe për çdo vit vijë vlera të reja të folklorit tonë të pashtershëm.

Ndërsa e veçanta e festivalit të sivjetshëm është se më 3 qershor hapjes së festivalit i parapriu marrshi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK-së) të cilët pas homazheve te shtatorja Mujë Krasniqit u nisen drejt vendlindjes së Komandantit duke ecur deri të Kulla- muze në Çabiq.

Drejtori i festivalit «I këndojmë Lirisë», shkrimtari, publicisti dhe kritiku i mirë njohur Prend Buzhala, thotë se të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë.

«Edhe sivjet kemi pjesëmarrës të të gjitha trojeve shqiptare, ku në skenë do të ngjiten për tri ditë rresht këngëtarë, valltarë e instrumentistë për të shpalosur vlera, e tradita kombëtare. Pjesëmarrja është masovike, do të jenë rreth 700 pjesëmarrës», thotë Buzhala.

Ndërkaq, edhe sivjet festivali «I këndojmë Lirisë» mbahet nën përkujdesjen e Kryetarit të Komunës së Klinës, Sokol Bashota, i cili me përkushtimin dhe përkujdesjen e tij ka bërë që cilësia të ngritët për çdo vjet.

Për tri net, në festival zhvillohen edhe aktivitete të tjera, promovime librash, ekspozita, orë letrare, tribuna shkencore e aktivitete të tjera.