Fëmijët të bëjnë të mendosh për qëllimet jetësore

Zana Abazi-Ramadani u lind më 13 shtator të vitit 1983 në Mitrovicë. Shkollën e ulët të muzikës e kreu në vendlindje, në shkollën «Tefta Tashko», në seksionin e pianos.




Gjithashtu edhe shkollën e mesme e kreu në shkollën e muzikës «Tefta Tashko», përveç vitit të dytë, të cilin e ndoqi dhe e mbaroi në konservatoriumin e Étampes (Paris) në seksionin e pianos, në klasën e prof. Nicole Palmieri.

Në vitin 2002, organizata «Muzikantët pa kufij («Musicians Without Borders») nga Holanda organizuan një koncert në Mitrovicë, ku ajo punoi dhe bashkinterpretoi në koncert së bashku me Otto de Jong – dirigjent (Holandë) dhe Anastasija Nizamova – mezzosoprano (Maqedoni). Po atë vit filloi të punonte si mësimdhënëse e lëndës muzikore në gjimnazin «Frank Bardhi» në Mitrovicë, ku punoi për dy vjet me radhë.

Në vitin 2003 filloi studimet në degën e solokëndimit, në Fakultetin e Arteve (Prishtinë), që do të vazhdonin për katër vite me radhë, në klasën e prof. Merita Juniku (mezzosoprano). Në vitin 2004 filloi të punonte si mësimdhënëse në shkollën e muzikës «Tefta Tashko» në Mitrovicë, ku punon edhe aktualisht. Ka marrë disa çmime në karrierën e saj ndërkaq në vitin 2015 interpretoi me Orkestrën e Operës dhe të Baletit të Maqedonisë.

Ndërsa në korrik të po të njëjtit vit, ajo përfundoi studimet e masterit në Universitetin e Shkupit «Kiril & Metodij», në drejtimin e solo-këndimit, klasa e prof. mr. Maria Muratovska-Naumovska. Para pak kohe ajo konkurroi edhe në audicionin e masterkursit «Il Bel Canto», ku kishte fatin dhe nderin që të pranohej për të punuar me një ekip të profesorëve shumë të kërkuar aktualisht nëpër botë si: Ermonela Jaho (soprano), Elda Laro (pianiste/dirigjente), Paolo Andreoli (pianist) dhe Angelo Gabrielli (muzikant/menaxher i artistëve).

Në janar të këtij viti performoi me rolin e Xhildës, në operën «Rigoletto», në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Me po të njëjtin rol, muajin e kaluar interpretoi në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, në festivalin «Mbrëmjet operistike të majit».

Abazi-Ramadani është personazhi i kësaj jave që rrëfehet në rubrikën e përjavshme «7 Shkronjat» në «E diela e Koha Ditore».

Fëmijët janë ilaç i shpirtit. Jeta ime ndryshoi shumë që nga momenti që u bëra nënë. Që nga momenti kur hodhën hapin e parë të ecurit, e thanë fjalën e parë dhe pastaj secilën herë duke u bërë më të etur për dijeni, me pyetje të shumta, çdo moment dhe ditë e re me fëmijët është e mbushur me gjëra të reja të cilat na mbushin jetën me lumturi, gjallëri dhe emocion.