Fati i paqartë i «përmendores së revolucionit»

«Përmendorja e revolucionit» në Prishtinë, e cila gjendet në sheshin aktual «Adem Jashari» të kryeqytetit që nga viti 1961, duhet të rrënohet vetëm për LDK-në, shkruan sot Koha Ditore.




Kreu i Komunës, Shpend Ahmeti, në një deklarim për KTV-në ka thënë se mund të mbahet një referendum qytetar, teksa subjektet e tjera, shoqëria civile dhe arkitektë nuk janë për dy opsionet e mësipërme, shkruan sot «Koha Ditore».

«Mendoj se duhet të marrin vendim qytetarët e Prishtinës, pse jo edhe me referendum. Mirëpo, nëse është e mbrojtur nga Ministria a Qeveria si monument i trashëgimisë kulturore, mendoj se duhet të ruhet», është deklarata e Ahmetit, i cili e ka vlerësuar si paradoks që sheshi e ka emrin «Adem Jashari», kurse në të gjendet përmendorja e bashkim-vëllazërimit. «Kjo nuk shkon, ose duhet t’ia ndërrojmë emrin, ose duhet të ndërmarrim diçka», ka thënë Ahmeti.