Falja e fundit presidenciale në Maqedoni

Tani që presidenti ka shkatërruar shpresën e fundit për përmbushje të kushteve për nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza, ndërmjetësuar nga BE-ja, vetëm një ndërhyrje ndërkombëtare mund ta shpëtojë vendin nga dhuna.

Presidenti maqedonas Ivanov.



Më 12 prill, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, lajmëroi se kishte lëshuar një «vendim për të ndaluar të gjitha procedurat ligjore mes politikanëve dhe partnerëve apo mbështetësve të tyre të afërt, nga palët kundërshtare».

Vendimi i pa lajmëruar më parë do të thoshte një falje prej 56 individë të akuzuar për krime të ndryshme, përfshirë biznesmenët e kompanive jashtë shtetit dhe manjatët e medias. Shumica e çështjeve janë nisur nën mandatin e Zyrës së Prokurores Speciale, Katica Janeva, ndërsa vendimi i Ivanovit i jep fund punës së kësaj zyre.

Nëse dikush do të mendonte se diçka nuk shkonte me fjalën nga njoftimi zyrtar për shtyp i presidentit, do të kishte të drejtë. Kjo nuk është një çështje e përkthimit. Presidenti, gjoja duke vepruar për të mirën e vendit, kishte deklaruar se do të ndalojë të gjitha procedurat «midis» politikanëve.

Problemi është se përveç fyerje të përditshme dhe shkëmbimit të deklaratave për shtyp, politikanët në fjalë nuk kryejnë procedura ligjore mes tyre. Nga ta dinte presidenti ynë, që kjo është punë e gjyqësorit – i ndarë dhe i pavarur nga ekzekutivi dhe legjislativi, ku shumica e politikanëve operojnë.

Disa nga politikanët në këtë listë janë akuzuar për manipulim të zgjedhjeve, ndër të tjera, ato në të cilat vetë Ivanov u zgjodh. Nëse këto akuza provohen ndonjëherë, gjë që tani ka shumë pak mundësi, do të kemi një situatë paradoksale të një presidenti të paligjshëm që jep faljen për krimin e zgjedhjes së tij të paligjshme.

Në deklaratën e tij, Ivanov deklaroi se ai ishte duke vepruar për të mirën e vendit, për ta mbrojtur atë nga interesat e huaja. Për presidentin, kriza ka filluar, është nxitur dhe po përdoret në interes të fuqive të huaja, që synojnë shkatërrimin e unitetit maqedonas. Nuk e dinte presidenti ynë se më shumë se 3000 shtetas të tij ishin gati t’i tregonin atij se gabohej.

Brenda disa orëve, protestuesit dolën në rrugë, duke hedhur vezë në zyrën e tij në qendër të qytetit para se të lëvizin për në selinë e partisë qeverisëse VMRO DPMNE dhe ndërtesës së qeverisë. Ose të huajt e kishin kamufluar veten si qytetarë të Maqedonisë, ose asnjë i huaj nuk ishte përfshirë në protestat kundër një diktature.

Faljet presidenciale i kanë dhënë fund gjithçkaje që mbeti pa u shkelur nga koalicioni qeverisës nga procesi i darkorduar në Marrëveshjen e Përzhinos.

VMRO DPMNE e kishte kthyer tashmë komisionin hetimor parlamentar për shkeljet zyrtare në një farsë. Nuk ka pasur marrëveshje për zgjidhjen e çështjes së njëanshmërisë mediatike para zgjedhjeve. Ndërkohë, nga 330’000 votues të dyshimtë në listën zgjedhore, ekipet në terren kanë kontrolluar vetëm 89’000.

Të gjitha vendimet e marra nga ministrat e emëruar nga socialdemokratët, SDSM, në opozitë, janë anuluar. Puna e Zyrës së Prokurorisë Speciale ofroi shpresën e fundit që autorët e dhjetëra veprave penale të ekspozuar në bisedat telefonike të përgjuara të përballen me drejtësinë.

Sado që kjo është një humbje për përpjekjet pro-demokratike të qytetarëve të Maqedonisë, është gjithashtu një humbje e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht BE-së.

Në një analizë ku kam për bashkëautor Nikolla Dimitrov dhe Dane Taleskin, të publikuar dy javë më parë për Fondin Europian për Ballkanin, ne argumentuam se do të ishte e palogjikshme të pritet që individët e akuzuar për shkaktimin e krizës të vepronin në mënyrë të përgjegjshme dhe ta zgjidhnin atë. Për më tepër, ne kemi argumentuar se vetëm një prani e fortë dhe e vazhdueshme ndërkombëtare në formën e një të dërguari ndërkombëtar mund të sjellë ndonjë shpresë për zgjidhjen e krizës.

BE-ja, në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara, duhet të emërojë një të dërguar për të ushtruar presion të vazhdueshëm, para së gjithash ndaj koalicionit qeverisës, për të respektuar dhe për të përmbushur të gjitha kushtet e Marrëveshjes së Përzhinos. Siç është bërë e qartë dje dhe sot, qytetarët dhe SDSM-ja do të bëjnë pjesën e tyre në eksplorimin e të gjitha mjeteve demokratike dhe ligjore për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Janë lajmëruar protesta të përditshme në orën gjashtë pasdite derisa vendi të kthehet në rrugën e duhur. SDSM ka bërë thirrje për një mbledhje urgjente të parlamentit për të debatuar një kërkesë të vetme për fajësimin Ivanov. Reagimi i kryetarit Trajko Veljanovski ishte që parlamenti nuk është në seancë.

Është marrëzi të presim që një grup kriminal të fillojë të respektojë ligjin papritur dhe t’i dorëzohet presionit të demonstratave paqësore. Pra, nëse komuniteti ndërkombëtar nuk ndërhyn, kjo do të jetë një fitore për grupin kriminal ose demonstratat do të pushojnë së qeni paqësore. Çdo rezultat nga këta të dy do të jetë shkatërrues për vendin.

Duket se BE-ja mund të jetë në rrugën e duhur për të kuptuar se një i dërguar ndërkombëtar është tani e vetmja zgjidhje e besueshme për krizën. Komisioneri Johannes Hahn ka deklaruar se: «Në dritën e këtyre zhvillimeve, unë dyshoj nëse janë ende të mundshme zgjedhje të besueshme». Deputetët e Parlamentit Europian, Ivo Vajgl, Riçard Hovit dhe Eduard Kukan kanë deklaruar se falja presidenciale rrezikonte seriozisht sundimin e ligjit. Por duhet ende të dëgjojmë planet dhe hapat konkretë përtej thirrjes që të gjitha palët të vazhdojnë negociatat.

Në këtë krizë që ka zgjatur dy vjet, kemi arritur shumë gjëra për herë të parë. Kemi shkruar mësimet e historisë për brezat që do të vijnë dhe janë vendosur standarde reale qytetare për demokracinë. Nga dita e djeshme do të shtojmë në listën tonë: për herë të parë kemi një president i cili i ka shpallur qytetarët që kërkojnë më shumë demokraci, si joekzistentë.

(Copyright: BIRN/Reporter.al: http://www.reporter.al/falja-e-fundit-presidenciale-ne-maqedoni/)