Europa mbështet shumëgjuhësinë

Në mbarë Europën, 47 vende anëtare të Këshillit të Europës me mbi 800 milionë banorë çdo vit më 26 shtator shënojnë Ditën Europiane të Gjuhëve. Pesha e shqipes po rritet.




Këshilli i Europës së bashku me institucionet tjera të BE-së mbështesin organizimin e manifestimeve të ndryshme që kanë të bëjnë me gjuhët e Europës dhe rëndësinë e mësimit të tyre, si dhe vlerësimin e të gjitha gjuhëve dhe kulturave. Në këtë ditë flitet për ndërgjegjësimin mbi përparësitë nga mësimi dhe njohja e gjuhëve dhe mbështetja e shumëgjuhësisë.
Theksohet rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë së qindra gjuhëve në Europë si dhe promovimi i shumëgjuhësisë në mbarë Europën, si vlerë themeltare e trashëgimisë së pasur kulturore në kontinentin europian. Dihet që njohja e më shumë gjuhëve ndihmon edhe në heqjen e barrierave kulturore. Mbështetja e shumëgjuhësisë bëhet për të nxitur dialogun ndërkulturor, zgjimin e përkatësisë së përbashkët evropiane, si dhe për të rritur mundësinë e lëvizjes, studimit dhe punësimit në sipërmarrjet globale të BE-së.

Sa gjuhë ka Europa?

Sipas studimeve të Institutit për antropologji evolucionare «Max-Planck» në Lajpcig, sot në botë, me mbi 7 miliardë banorë dhe me rreth 200 shtete të pavarura, ka 6500 deri 7000 gjuhë të ndryshme. Në Evropë ka mbi 220 gjuhë, kjo është 3 për qind e të gjitha gjuhëve të botës; shumica prej tyre flitet në Azi (32 për qind) dhe në Afrikë (30 për qind).

Edhe gjuhët në mes veti janë të lidhura përmes farefisnisë; shumica e gjuhëve të Evropës janë pjesë e familjes së madhe të gjuhëve indoevropiane. Në kuadër të saj dallohen 3 degë të mëdha si ajo e grupit gjermanik të gjuhëve ku bëjnë pjesë: anglishtja, gjermanishtja, holandishtja, danishtja, suedishtja, norvegjishtja etj.; dega e gjuhëve romane: frëngjishtja, italishtja, spanjishtja, portugalishtja, rumanishtja etj.; grupi i gjuhëve sllave: rusishtja, belorusishtja, ukrainishtja, polonishtja, çekishtja, sllovakishtja dhe të gjithë gjuhët sllave jugore: sllovenishtja, kroatishtja, serbishtja, bosnjakishtja, malazishtja, bullgarishtja dhe maqedonishtja.

Greqishtja, shqipja dhe armenishtja janë degë më vete në kuadër të familjes së gjuhëve indoevropiane. Finlandishtja, estonishtja, hungarishtja, turqishtja, gjuha e baskëve (euskara) si gjuhë të Evropës për nga prejardhja nuk janë pjesë e familjes indoevropiane. Malta përveç anglishtes ka gjuhë zyrtare maltezishten, e cila rrjedh nga një dialekt i arabishtes dhe me këtë është gjuha e vetme semite e Evropës. Me alfabetin latin shkruhen shumica e gjuhëve të Europës, disa gjuhë sllave përdorin shkrimin cirilik. Greqishtja, armenishtja, gjeorgjishtja dhe jidishtja kanë secila nga një alfabet më vete.

Nga viti 2013 me kroatishten janë gjithsej 24 gjuhë zyrtare të 28 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Gjuhët shtetërore janë përherë gjuhë zyrtare të BE-së. Ka edhe gjysmë gjuhë zyrtare si katalonishtja, gjuha e baskëve, valizishtja etj., dhe gjuhë që nuk kanë status të gjuhës zyrtare në BE-së, si: bretonishtja, frizishtja, sorbishtja etj.

Prej të gjithë këtyre gjuhëve zyrtare në përdorim të brendshëm të organeve të BE-së para së gjithash janë: anglishtja, frëngjishtja dhe gjermanishtja. Këto kanë statusin e gjuhës së punës për të lehtësuar komunikimin me institucionet evropiane. Në BE fliten rreth 60 gjuhë rajonale apo minoritare dhe mbi 180 gjuhë të emigrantëve.

Kemi disa gjuhë që në Evropë për shumicën janë të panjohura, kanë pak folës dhe janë të rrezikuara të zhduken, si: livishtja në Letoni, karaimishtja në Ukrainë, tersamish, votish në Rusi, umesamish, pitesamish në Suedi, gagauzishtja në Bullgari, kapadokish në Greqi, istriotishtja dhe arbnishtja (Arbanasi) në Kroaci etj. Sipas studimeve të fundit në botë gati çdo javë vdes një gjuhë dhe thuajse gjysma e tyre rrezikohen nga globalizimi e modernizimi, asimilimi, dyndjet e detyrueshme, varfëria, diskriminimi dhe shkelja e të drejtave të njeriut.

Organizata e Kombeve të Bashkuara vitin 2019 e ka shpallë si «vit i gjuhëve indigjene». Sipas parashikimeve të Kombeve të Bashkuara deri kah fundi i këtij shekulli gjysma e gjuhëve të botës rrezikojnë të zhduken, nëse nuk ndërmerren mekanizma mbrojtës. Në Kanada në maj të vitit 2019 hyri në fuqi «Ligji për respektimin e gjuhëve indigjene». Shteti mbështet financiarisht edhe një institucion përgjegjës për të vrojtuar zbatimin e këtij ligji. Rreth 2 milionë kanadezë identifikohen si «indigjen»; kjo nuk është as 5 % e popullsisë së përgjithshme në Kanada. Atje ka rreth 90 gjuhë të ndryshme indigjene.

Për disa gjuhë ka pasur edhe tentativa të ringjalljes së tyre. Folësit e fundit të gjuhës korne në Cornwall, vdiqën që në fund të shek. XVIII, megjithatë gjuhëtarët ia dolën që nëpërmjet një projekti unik të ringjallin atë. Kornishtja është e njohur sot në Britani si gjuhë pakicë.

Gjuhët rajonale apo minoritare në Europë janë: a) gjuhët që lidhen me një rajon, p.sh.: bretonishtja në Bretanjë të Francës; b) gjuhët që fliten nga një pakicë në një shtet, por në një shtet tjetër fqinjë janë gjuhë zyrtare, si p.sh. hungarishtja në Sllovaki; c) gjuhë që nuk janë të lidhura me një territor, si p.sh.: jidishtja, gjuhët sinti dhe roma.

Përmes valës së refugjatëve, shtimit të emigrantëve Evropa po bëhet edhe më shumë multilinguale. Në Londër fliten rreth 300 gjuhë, në Berlin mbi 120, në Vjenë gati 100 gjuhë nga të katër anët e botës.

Sipas statistikave të shumta gjermanishtja është gjuha me më shumë folës në BE (18 për qind), pason anglishtja dhe italishtja me 13 për qind secila, frëngjishtja me 12 për qind, spanjishtja me për qind. Frëngjishtja është gjuhë zyrtare në tre shtete anëtare të BE-së: në Francë, Belgjikë e Luksemburg dhe në Zvicrën neutrale. Anglishtja dhe spanjishtja janë gjuhë të Europës që fliten më shumë në botë, por folësit më të shumtë të tyre nuk jetojnë në Europë. Anglishtja është më e përhapur si gjuhë e huaj e parë në Europë, por sipas studimeve ende sot, vetëm më pak se gjysma e qytetarëve të BE-së dinë mirë anglisht.

Rëndësi i jepet edhe njohjes së qytetarëve me politikat gjuhësore të BE-së, sidomos informimi për të drejtat qytetare bëhet në të gjithë gjuhët zyrtare të unionit.

Detyra e shërbimeve të përkthimit dhe interpretimit të BE-së është të mbështetet shumëgjuhësia në mbarë Bashkimin Evropian dhe qytetarët të njihen më mirë me politikat e BE-së. Dokumentet e organeve dhe institucioneve të BE-së përkthehen sipas prioritetit duke i ndarë në grupe dhe qëllime. Komisioni Europian më së shumti përkthen në tri gjuhët e punës për të lehtësuar komunikimin: anglisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Anëtarët e parlamentit evropian i marrin dokumentet e punës secili në gjuhën e vet. Më shumë për përkthimin do të flasim në një shkrim tjetër me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Përkthimit.

Dy- dhe shumëgjuhësia ofrojnë shumë përparësi pasi lehtësojnë mësimin e gjuhëve tjera, ndryshojnë mënyrën e të menduarit, mundësojnë lidhjen e kontakteve në mes njerëzve dhe kulturave të ndryshme. Nga kjo ka edhe dobi ekonomike, kush flet më shumë gjuhë gjen më lehtë punë, pasi sipërmarrjet multilinguale ofrojnë më shumë përparësi se ato monolinguale.
Ndër qëllimet kryesore të politikës gjuhësore të BE-së është të mbështesë diversitetin gjuhësor dhe mësimin e gjuhëve të huaja, që e gjithë kjo të forcojë identitetin kulturor të përbashkët mbarë-europian.

Mësimi i gjuhëve të huaja në Europë

Nga viti 2002 qëllimi i udhëheqësve të Bashkimit Europian është që në një periudhë afatgjate të gjithë qytetarët, përveç gjuhës së tyre amtare të mund të flasin edhe 2 gjuhë të tjera.

Përmes inkurajimit të mësimit të gjuhëve në një moshë sa më të re, mbështetjes së mobilitetit për të mësuar gjuhët jashtë vendit, përsosjes së metodave të mësimdhënies më moderne, mendohet që kjo do të arrihet më shpejt dhe më lehtë. Qendrat e Gjuhëve të Huaja dhe Institutet e Gjuhës janë gjithnjë në rritje si pasoj e kërkesës dhe nevojës për mësimin e gjuhëve të ndryshme. Si gjuhë më të preferuara për të mësuar janë: anglishtja (97 për qind), frëngjishtja (34 për qind), gjermanishtja (23 për qind), spanjishtja (13 për qind) etj.

Njohja e gjuhëve të huaja është një kompetencë kyçe për punësim më të lehtë në këto kohë të rritjes së papunësisë dhe vështirësive ekonomike. Në Shqipëri njihej dhe mësohej më shumë italishtja, anglishtja e frëngjishtja, por viteve të fundit për shkak të tregut të punës në botën gjermane, interesi për mësimin e gjermanishtes është shtuar aq shumë sa ka bërë atë thuajse gjuhë të parë të huaj, duke kaluar kështu italishten dhe anglishten.

Në Kosovë po ashtu edhe për shkak të pranisë së madhe që disa dekada të punëtorëve dhe emigrantëve shqiptarë në hapësirën gjermanishtfolëse, si dhe hapjes së tregut të punës sidomos në Gjermani, mësimi i gjermanishtes ka një intensitet të tillë, sa në përqindje Kosova radhitet ndër vendet e para në botë ku mësohet më së shumti gjuha gjermane.

Në Maqedoninë e Veriut, sidomos pjesa shqiptare këtu ndjek të njëjtat trende si në Kosovë dhe Shqipëri, ku mësimi i gjermanishtes është pjesë e përditshmërisë që përfundon me largimin e rinisë dhe fuqisë punëtore për në botën gjermane.

Pesha e shqipes po rritet

Si gjuhë zyrtare të vendeve kandidate për në Bashkimin Evropian janë: turqishtja, maqedonishtja, serbishtja, malazishtja dhe shqipja.

Gjuha shqipe që në kohën e Rilindjes Kombëtare edhe sot e gjithë ditën mbetet strumbullari i identitetit shqiptar, ajo ende vlen si tipari kryesor i ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar! Shqipja sot është gjuhë zyrtare në katër shtete të Ballkanit Perëndimor: në Shqipëri si gjuhë shtetërore, në Kosovë si gjuhë e parë zyrtare dhe në dy vende tjera, në Maqedoninë e Veriut dhe në Mal të Zi në bazë të përqindjes në nivel nacional dhe lokal.

Në Republikën e Maqedonisë së Veriut pas miratimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve (14.01.2019), avancohet dukshëm statusi i gjuhës shqipe. Sfidë do të jetë zbatimi i këtij ligji dhe për këtë është themeluar Agjencia për Zbatimin e Gjuhës (13.03.2019), që të ndihmojë në këtë proces kompleks. Përveç vullnetit të nevojshëm politik duhet edhe ndërgjegjësimi qytetar për t’u njohur ma mirë me atë që përmban dhe garanton ky ligj. Barazia gjuhësore është domosdoshmëri dhe parakusht i barazisë së plotë qytetare dhe ruajtjes së identitetit kombëtar shqiptar.

Në Mal të Zi me ligjin e ri nga viti 2017 gjuha shqipe është gjuhë zyrtare jo vetëm në Ulqin, Tuz dhe Plavë, por edhe në Rozhajë, Podgoricë dhe Tivar. Shqipja në Mal të Zi për shkak të migrimit të shqiptarëve dhe demografisë në rënie mbetet e rrezikuar. Gjuha shqipe ka edhe statusin e gjuhës pakicë në Serbi, Itali, ndërsa në Greqi dhe Turqi ende mbetet pa status të njohur ligjor.

Gjithnjë e më shumë interesi për shqipen po shtohet; sot ajo mësohet nga fëmijët shqiptarë në diasporë. Shpesh dëgjojmë për hapje të shkollave shqipe në Evropë e SHBA, sidomos në Zvicër, Austri, Gjermani dhe Suedi.

Gjuha shqipe ofrohet, mësohet dhe studiohet në vende e qytete të ndryshme të Evropës si: Munihu, Berlini, Vjena, Parisi, Londra, Roma etj. Studimi i gjuhës, kulturës dhe civilizimit shqiptar po i kthehet traditës së studimit të mëhershëm që kishin disa qendra universitare të qyteteve të lartpërmendura.

Por përveç trendëve pozitive ka edhe disa devijime dhe shfaqje të rreziqeve të reja. Në Shqipëri përballemi me një tjetërsim të shqipes përmes ndikimit të gjuhëve tjera, veçmas italishtes. Nga ndikimet e gjuhëve fqinje e të huaja dhe me disa përpjekje të krijimit i një varieteti të ri të shqipes në Kosovë vështirësohet komunikimi ndërshqiptar, por edhe ai në raport me të huajt, pasi edhe të tjerët do duhej që të mësonin dy variante standarde të shqipes!

Shqiptarët në diasporë përballet me një rrezik të humbjes së gjuhës amtare; ata ruajnë vetëm një version të së folmes prej nga vijnë, kompetencë kjo e pamjaftueshme për të zotëruar standardin e shqipes dhe të ndihmojë në mësimin e gjuhëve të huaja.

Kjo tendencë tjetërson gjuhën shqipe dhe standardin e saj, largon nga njëri-tjetri shqiptarët dhe rrezikon unitetin gjuhësor, shpirtëror dhe kulturor mbarë-shqiptarë!

Pasi çdo vit festohet Dita e disa gjuhëve të mëdha, si Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Angleze çdo vit më 23 prill, Dita e Gjuhës Frënge 20 marsi, festohet një javë e gjuhës frënge dhe e frankofonisë, Dita e Gjuhës Gjermane (e shtuna e dytë e shtatorit, sivjet 14.09.2019); në Gjermani festohet edhe Dita e fjalëve të huaja në çdo 20 maj të vitit, që nga 2006.

Do të ishte në të mirë të shqipes dhe folësve të shumtë të saj anë e mbanë botës, që të kemi një Ditë Ndërkombëtare të Gjuhës Shqipe. Festimet me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare më 21 shkurt, nuk e zëvendësojnë një ditë të tillë.