«Emri i gabueshëm» dhe kërcënimi i një mësueseje: mbi urrejtjen e përditshme ndaj të huajve në Zvicër

Kush e ka mbiemrin Berisha apo Bajrami e ka më vështirë të gjejë banesë. Dhe kur një mësuese i njofton nxënësit myslimanë se me ligj u takon të marrin një ditë të lirë për festat e tyre fetare, ajo atakohet brutalisht në mediat sociale nga një deputet.

Andreas Glarner.



«Të nderuar zonja dhe zotërinj, shpallja juaj për dhënien me qira të një banese më intereson shumë. Jam beqare, 29-vjeçare, punëtore sociale në këtë rajon dhe kërkoj banesë të re. A është e mundshme të shohë banesën në ditët në vijim? Në caktimin e datës i përshtaten agjendës suaj. Përshëndetje të përzemërta…».

Më shumë se 11 mijë letra të këtij lloji i ka dërguar një grup shkencëtarësh nga Universitetet e Gjenevës, Neuenburgut (Neuchâtel) dhe Lausannes mes marsit dhe tetorit 2018. Janë letra me kërkesa për të parë banesat që ofrohen për dhënie me qira në tërë Zvicrën. Një pjesë e letrave janë nënshkruar me emra tipikë vendorë, domethënë zviceranë, të tjerët me emra të tregojnë prejardhjen nga Gjermania, Franca, Italia, Kosova apo Turqia, njofton gazeta «SonntagsBlick».

Rezultati nuk është aq befasues, por prapë tronditës: varësisht si e ka emrin i interesuari apo e interesuara për banesë, rriten apo ulen gjasat për të parë banesën dhe eventualisht për ta marrë me qira. Studimi i universiteteve zvicerane është bërë me kërkesë të Entit Federal për Banim.

«Personat me mbiemra kosovarë apo turq kanë dukshëm më pak shanse për të parë një banesë», shkruajnë autorët. Të hendikepuar janë sidomos ata me emra e mbiemra «të gabueshëm». Kush e ka mbiemrin Berisha apo Bajrami e ka më vështirë të gjejë banesë në Zvicër. Kur qiradhënësi është person privat dhe zviceran, ai më shumë preferon që banesën t’ia japë një zvicerani dhe jo një të huaji (qoftë ky edhe me shtetësi zvicerane). Andrea Filippi nga platforma humanrights.ch thotë: «Racizmi në fushën e kërkimit të banesave është një problem i madh në Zvicër».

Një rast tjetër i nxitjes së urrejtjes ka ndodhur gjatë javës që shkoi. Deputeti i Partisë Popullore të Zvicrës (SVP), Andreas Glarner, ka publikuar në Facebook emrin, emailin dhe numrin e telefonit të një mësueseje, e cila ditë më parë i kishte njoftuar nxënësit myslimanë se me ligj u takon të marrin një ditë të lirë për festat e tyre fetare, për shembull për Bajram. Glarner i bëri thirrje publikut t’ia thotë mendimin mësueses për këtë veprim të saj. Në të vërtetë ishte një thirrje për të sulmuar, kërcënuar, atakuar mësuesen e re, e cila sapo ka filluar të punojë. Dhe urrejtësit zviceranë e kryen punën: i telefonuan mësueses dhe e kërcënuan. Ajo tani për tani nuk është në gjendje të punojë. Glarner, një provokator mendjefyell, ishte i gatshëm të fshijë postimin e tij vetëm pas intervenimit të autoriteteve arsimore. Por ai nuk ka kërkuar ende falje për veprimin e tij.

Siç shkruan gazeta «SonntagsZeitung» në një koment, sjellja e Glarner nuk është edhe aq befasuese, ai edhe në të kaluarën ka rënë në sy të opinionit me veprime absurde, qesharake, nxitëse, kërcënuese. Skandaloze është heshtja e krerëve të partisë SVP. «Për një parti që është etabluar si më e madhja e vendit, krejt kjo është e turpshme».

Ndërkohë mësuesja e atakuar ka dorëzuar padi. Po këtë e kanë bërë edhe shkolla. Drejtoresha e Arsimit e kantonit të Zürichut Silvia Steiner ka deklaruar: «Fakti se deputeti Andreas Glarner e njollos në internet një mësuese që është sjellë në mënyrë korrekte, është e paparanueshme». Glarner është përpjekur të arsyetohet duke thënë se nuk e ka publikuar telefonin privat të mësueses, por atë zyrtar. Një anëtar i shoqatës #NetzCourage ka ofruar 3000 franga për të mbuluar shpenzimet e avokatit që do të merret me lëndën e deputetit Glarner. Ky nuk është provokimi i parë i këtij deputeti. Më 2018 ai botoi një listë me emrat e nxënësve të një shkolle në Dübendorf afër Zürichut: vetëm njëri nga 12 emrat e publikuar nuk tingëllonte i huaj. Me këtë aksion Glarner dëshironte të tërhiqje vëmendjen se në Zvicër ka tepër të huaj. Më vonë ai e fshiu këtë postim dhe kërkoi falje.